Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule në ditën e 10 të Censit 2023 të re akuzon se po shkelen procedurat e regjistrimit nga ana e anketuesve, sidomos në pjesën e pyetjeve për etninë, gjuhën dhe fenë.

Nga Kryesia e Kuvendit Dule tha se në një pjesë të madhe rastesh qytetarëve nuk po i bëhen këto pyetje.

‘Jemi përpjekur të përcjellim frymë bashkëpunimi me qëllimin e një rezultati demokratik dhe të gjithë pranuar. Me shqetësim po ju prezantojmë gjetjet aktivistëve të PBDNJ-së, në lidhje me zhvillimin  Censit. Në radhë të parë ka shumë raste kur regjistrueset në kundërshtim me ligjin nuk regjistrojnë me tabletat përkatëse por mbajnë shënime me premtimin se do ti hedhin më vonë. Nuk lihet njoftim me shkrim ashtu siç e kërkon ligji në banesat ku nuk gjendet një qytetar. Kemi raste të denoncuar si në Tiranë, Korçë, Sarandë, dhe gjetke ku nuk u drejtohen qytetarëve pyetjet për etnike gjuhën amtare dhe besimin fetar. Për këto u thuhet se janë fakultative. Është e detyrueshme përgjigja nga ana e regjistrueset.

Një biznesmen në Sarandë, në mënyrë të përsëritur u pyet 3 herë nëse ishte i sigurt se ishte minoritar grek, sepse kishte prona dhe pasuri. Ka një retorike agresive nacionaliste në shumë media duke ngritur kërcënime hipotetike të paqena. Po e shndërrojnë procesin në një farsë. BE të bëjë që mos të dështojë Censi 2023 për regjistrimin e minoriteteve.’- tha Dule.

Brenda 6 javësh INSTAT do të numërojë popullsinë dhe banesat në vend. Qytetarët do t’u përgjigjen 100 pyetjeve që kanë të bëjnë me familjen, punën, arsimin, apo banesën. Të vetmet pyetjeve që mund të mos u përgjigjemi kanë të bëjnë me fenë, etninë dhe gjuhën. Për personat që nuk ndodhen në shtëpi përgjigjen anëtarët e tjerë që ndodhen në banesë në momentin e censit, ndërsa ata që janë në emigrim nuk regjistrohen.

Mospjesëmarrja është në kundërshtim me ligjin, dhe çdo përgjigje e rremë ndëshkohet me gjobë 50 mijë lekë kur refuzon ose jep informacion të pasaktë, dhe 100 mijë lekë për organizatat që bëjnë pyetësor paralelisht me anketuesit e INSTAT, gjatë 6 javëve që zhvillohet censi.

Të dhënat paraprake të këtij censi do të publikohen në qershor 2024 ndërsa të detajuara në dhjetor 2024. Ky është censi i 12 që zhvillohet në vend që nga viti 1923, Kostoja do të jetë 16.5 milionë euro, dhe është i rëndësishëm edhe për zhvillimin ekonomik. Censusi i fundit është zhvilluar në vitin 2011, ku rezultoi se popullsia banuese ishte 2,821,977,  me një rënie prej 8%, nga Censusi 2001.