Vangjel Kosta dhe Albana Shtylla, kandidaturat e PS-së për në KLD

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste miratoi sot kandidaturat e Vangjel Kostës dhe të Albana Shtyllës për anëtarë të Këshilit të Lartë të Drejtësisë(KLD), pas shkarkimit nga Kuvendi të dy anëtarëve, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj.

Në mbledhjen e sotme të grupit të PS-së, deputetët socialistë vendosën të propozojnë kandidatët Vangjel Kosta dhe Albana Shtylla për plotësimin e dy vendeve vakante në KLD.
Vangjel Kosta ka shërbyer si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, ndërsa sot ushtron profesionin e avokatit. Në vitin 2010 ai u propozua nga Presidenti i Republikës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, por dekreti i emërimit të tij u rrëzua në atë kohë në Kuvend nga deputetët e maxhorancës së djathtë.

Kandidatja tjetër për anëtare të KLD-së, Albana Shtylla aktualisht mban postin e sekretares së përgjithshme të Kuvendit, ndërsa më parë ka qënë anëtare e KQZ-së.
Dy kandidaturat e propozuara sot nga PS do të kalojnë për shqyrtim në komisionin e Ligjeve, ku do të zhvillohet një seancë dëgjimore.

Në seancën e fundit parlamentare deputetët e maxhorancës miratuan shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa dhe të anëtarit Lulzim Lelçaj, me të njëtjin rezultat votimi: 72 vota pro dhe 1 votë kundër. Shkarkimi i tyre u bë me propozim të komisionit hetimor, i ngritur nga maxhoranca për të verifikuar shkeljet e Kushtetutës dhe të ligjit, të konstatuara për dy zyrtarët e KLD-së, të zgjedhur nga Kuvendi.

ATSH

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)