Iu dha lamtumira e fundit Dino Asanajt, drejtorit të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Asanaj u varros në orën 17 në varrezat e qytetit në Prishtinë, nga familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.

Ndërsa, me një minutë heshtje Kuvendi i Kosovës, filloi mbledhjen përkujtimore për kryetarin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj. 
Një fjalë rasti ka mbajtur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se Dino ishte një punëtor i madh dhe mik i dashur që do t`u mungoj të gjithëve. Nderimet nga deputetët janë bërë në hollin e Kuvendit të Kosovës.  

Krerët e Institucioneve vendore dhe ndërkombëtare u kanë bërë thirrje organeve të rendit që sulmuesit e Dino Asanajt, sa më parë të dalin para drejtësisë.
Vrasja e kreut të AKP-së është dënuar ashpër nga përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare. 
Presidenca, Qeveria, kreu i Kuvendit, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë dhe Zyra Civile Ndërkombëtare e kanë cilësuar këtë vrasje akt brutal e qyqar kundër institucioneve dhe funksionimit të rendit dhe ligjit. 

/rg/shqiptarja.com/