Në përfundim të numërimit të 118 kutive të votimit në KZAZ nr.19 në Dibër, rezultoi se Muharem Rama ka marrë 18 597 vota, ndërsa Shehu mori 14 435 vota. Numërimi i votave zgjati rreth 19 orë dhe u shoqërua i qetë e pa incidente.
Muharem Rama ka arritur që të fitojë edhe në disa nga bastionet e Partisë Demokratike. Pas thellimit të diferencës, përfaqësuesit e PD janë larguar nga KZAZ nr.19. I vetmi që ka uruar kandidatin socialist ka qenë Aldo Bumçi i PD.
Surprizë ishte rënia e PD në bastionet e saj, pasi Muharem Rama ka arritur që të fitojë thellë në disa prej tyre. Maqellara, njësi e cila njihet si bastion i fortë i demokratëve, sërish është fituar nga e majta. Edhe një vit më parë kur kandidonte Ilir Krosi, demokratët humbën në këtë njësi me një diferencë prej 34 votash në favor të kandidatit socialist, Shukri Xhelili. Ndërsa Rama e thelloi diferencën në 588 vota.
Ndërkohë, Sherefedin Shehu ka humbur edhe në fshatin e tij të lindjes, Sllovë. Në përfundim të numërimit, Shehu ka rezultuar me 25 vota më pak se rivali i tij, Muharem Rama.
Muharrem Rama ka fituar në Maqellarë, Luzni, Sllovë, Zall Reç, Zall Dardhë, Muhur, Lurë, Kastriot, Arras, Fushë Cidhen, Selishtë, Melan, Peshkopi dhe Tomin, ndërsa Shehu ka fituar vetëm në Kalanë e Dodës.
Procesi i numërimit u transmetua live nga Report Tv, nga grupi i xhirimit, ndërsa gazetari Arsen Rusta raportoi dinamikën e shifrave kohë pas kohe.
Zhvillimet minutë pas minute nga numërimi në Bashkinë Dibër
Ora 22:30 Tahiri: Dibra tregoi qytetari, urime kryetarit
Pas përfundimit të procesit zgjedhor në Dibër, ministri i Brendshëm Tahiri ka falënderuar qytetarët, policinë për profesionalizimin, ndërsa ka uruar edhe kryebashkiakun e ri, Muharem Rama.
“Rezultati i thote te gjitha :) Faleminderit votuesve te Dibres per qytetarine! Faleminderit drejtuesve dhe punonjesve te Policise Diber per profesionalizmin.
Urime Kryetarit te ri te Bashkise”.
Ora 20:30 Veliaj uron Muharrem Ramën për fitoren: Në Dibër, tani nis sfida reale për transformim
Kryetari I Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka uruar sot fitoren kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane, Muharrem Rama.
Në një postim në rrjetin social “Twitter”, kryebashkiaku Veliaj tha se me fitoren e z. Rama në Dibër do të nisë sfida reale për transofrmimin e qytetit.
“Urime Muharrem Rama për fitoren në Diber, tani nis sfida reale për transformim! Të mirëpresim në Shoqatën e Bashkive me gatishmëri për ndihmë”, shkruan Veliaj.
Ora 19:00 Policia e Dibrës: Gjatë numërimit të votave pati vetëm një incident
Policia e Dibrës njoftoi pas përfundimit të numërimit të 118 kutive të votimit në Dibër, se është kërkuar vetëm njëherë ndërhyrja e Policisë, ku rreth orës 12:25, me Vendim nr. 1 të KZAZ-së, shërbimet e policsë kanë ndërhyrë në ambientet e brendshme të KZAZ-së, për nxjerrjen jashtë të personave të pa autorizuar.
"Pas verifikimeve të kryera, policia ka nxjerrë jashtë ambienteve disa persona që ishin të pa pajisur me autorizim. Në orën 12:45, po me Vendim nr 2 të KZAZ-së, policia është larguar nga ambientet e brendshme të numërimit të votave", thuhet në njoftimin e Policisë.
"Policia e Dibrës gjatë gjithë fazave të procesit zgjedhor ka qenë e angazhuar maksimalisht për të përmbushur detyrat e përcaktuara në planet e masave të hartuara për këtë qëllim.
Gjatë tre fazave të procesit shërbimet e policisë kanë zbatuar me përpikmëri detyrat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe në ligjin për Policinë e Shtetit.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë në këtë proces u angazhuan rreth 181 forca policore të Policisë Dibër dhe rreth 20 automjete policie.
Në të tria fazat e procesit janë evidentuar 4 incidente që s'kanë cënuar procesin zgjedhor, të cilat janë trajtuar me profesionalizëm nga ana jonë, duke referuar materialet në Prokurori për personat përgjegjës.
Nga ana e Policisë së Dibrës është siguruar rendi e siguria në rreth 50 takime elektorale të zhvilluara nga dy subjektet politike.
Janë mbuluar me punonjës policie të gjitha objekt zgjedhore, si dhe është bërë shoqërimi i materialeve zgjedhore.
Policia e Dibrës vijon shërbimin në KZAZ deri në largimin për në KQZ të materialeve zgjedhore.
Njëkohësisht janë marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë festimeve që po kryhen në qytetin e Peshkopisë", theksohet më tej në njoftimin e Policisë së Dibrës.
Ora 18:35 KQZ: Fitues i Dibrës, Muharem Rama me 56.3% të votave
Komisioni Qendor i Zgjedhjeve informoi përmes zëdhënëses, Drilona Hoxhaj, se është përmbyllur procesi i numërimit të fletëve të votimit për zgjedhjet për kryetar të bashkisë së Dibrës, për 118 qendrat e votimit.
Rezultatet paraprake për çdo kuti të fletëve të numëruara u raportuan në kohë reale nga KZAZ në Qendrën e të Dhënave të KQZ-së, rezultate të cilat u shfaqen edhe në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së, duke sjellë informim të saktë dhe korrekt të opinionit publik.
Mbi bazën e tabelave të rezultateve të cdo QV-je të përcjellë elektronikisht nga KZAZ nr.19 në KQZ, rezulton se kandidati i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, z. Muharem Rama ka marrë 18597 (56.3%) vota dhe kandidati i koalicionit ‘Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, z. Sherefedin Shehu ka marrë 14435 (43.7%)vota.
Theksojmë se Tabela Përmbledhëse e Rezultateve të Zgjedhjeve të ZAZ nr. 19, Dibër, për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Dibër, miratohet dhe shpallet me vendim nga KZAZ-ja nr. 19.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se procesi i votimit dhe ai i numërimit të fletëve të votimit, u zhvillua i qetë dhe korrekt, komisionerët treguan përgjegjshmëri në respektimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor.
KQZ është në pritje të marrjes në dorëzim nga KZAZ-ja 19, të çdo materiali zgjedhore (kuti votimi, kuti të materialeve zgjedhore, vulat, e të tjerë), të çdo dokumentacioni zgjedhor të administruar nga KZAZ-ja 19, veçanërisht Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit të Zgjedhjeve në këtë bashki si dhe tabelat origjinale të rezultateve të votimit të çdo Qendre Votimi.
Ora 18:31 PDIU: Fitorja e ASHE, fitore për Dibrën dhe dibranët
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet uron fituesin e garës për kryetar të Bashkisë së Dibrës, Muharrem Rama.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, PDIU thekson se fitorja e Aleancës për Shqipërinë Evropiane është një fitore për Dibrën dhe dibranët. "Po ashtu, fitorja është përgjigja më e mirë ndaj sulmit të paprecedentë njëmujor, jo vetëm nga kundërshtari politik, por dhe turlifarlloj pseudoanalistësh, të cilët, në kufijtë e racizmit etiketuan degën e PDIU me epitete si çamët e Dibrës, etj", thuhet në deklaratën e PDIU.
"Është e vërtetë që nuk ka shqiptarë të Çamërisë në Dibër, por ka PDIU, sepse ka dibranë patriotë që e duan Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Prandaj, urojmë z. Rama, ASHE-në dhe degën e PDIU-së në Dibër dhe, veçanërisht, shprehim mirënjohjen për dibranët, për mbështetjen që i japin PDIU-së, larg barrierave antikombëtare krahinore, që
pseudoanalistë me frymëzime partiake duan të fryjnë në dëm të dobisë kombëtare", përfundon deklarata e PDIU.
Ora 18:20 Mbyllet numërimi, Muharem Rama fiton me 4 160 vota diferencë
Mbyllet numërimi në KZAZ nr.19 në Dibër. Kandidati i ASHE, Muharem Rama është shpallur fitues i zgjedhjeve për kryetar bashkie në Dibër, me një diferencë prej 4 160 vota ndaj demokratit, Sherefedin Shehu.
Në përfundim të numërimit të 118 kutive të votimit, rezultoi se Muharem Rama ka marrë 18 597 vota, ndërsa Shehu mori 14 435 vota.
(Rezultatet e KZAZ nr.19, në Dibër)
Ora 18: 15 Kryetari i ri i Bashkisë Dibër, Rama: Puna e parë, ndërtimi i infrastrukturës
Kryetari i ri i bashkisë së Dibrës, Muharem Rama, ka falenderuar zgjedhësit të cilët i dhanë atij fitoren si kryebashkiak, në zgjedhjet e pjesshme lokale.
Ai tha se sot për Dibrën fillon një epokë e re, ajo e mirëqenies, ndërsa theksoi se puna e parë e tij si kryebashkiak do të jetë ndërhyrja në infrastrukturën urbane të qytetit, e cila sipas tij është në gjendje të shkatërruar.
"Falenderoj popullin e Dibrës për mbështetjen masive. E prisja mbështetjen dhe fitoren, por jo kaq të madhe. Sot për Dibrën fillon një epokë e re, epoka e rritjes së punësimit dhe mirëqenies. Puna e parë në bashki do të jetë ndërhyrja në infrastrukturën e Dibrës, që është në gjendje të mjerueshme. Fitoren ia dedikoj të gjithë elektoratit të Dibrës, z.Gjiknuri dhe znj.Gjylameti dhe gjithë PS-së", u shpreh kryebashkiaku i ri i Dibrës, Muharem Rama.
Ndërkohë, festa e mbështetësve socialistë nisi në ambientet e jashtme të KZAZ nr.19 në Dibër, ku u mblodhën një numër i madh anëtarësh të PS.
Ora 18:00 Po numërohen kutitë e fundit, nis festa e anëtarëve të PS jashtë KZAZ
Ora 17:40 Deputeti i PD, Aldo Bumçi uron Muharem Ramën për fitoren
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi i ka dhënë dorën dhe ka uruar kandidatin socialist, Muharem Rama për fitoren në bashkinë e Dibrës.
(Aldo Bumçi i uron fitoren Muharem Ramës)
Numërimi i votave po shkon drejt fundit dhe kandidati socialist rezulton i shkëputur ndjeshëm me mbi 3000 vota më shumë se rivali i tij, Sherefedin Shehu.
Bumçi është i vetmi nga radhët e PD, që uron fitoren e Ramës.
Pjesa tjetër e deputetëve demokratë kanë zgjedhur të propagandojnë në rrjete sociale se fitorja e Muharem Ramës në Dibër u arrit përmes presioneve apo dhe blerjes së votave.
Ora 17:30 Sherefedin Shehu ka humbur edhe në fshatin e lindjes, Sllovë
Sherefedin Shehu ka humbur edhe në fshatin e tij të lindjes, Sllovë.
Në përfundim të numërimit, Shehu ka rezultuar me 25 vota më pak se rivali i tij, Muharem Rama. Një tjetër njësi administrative kjo që humbet nga demokratët, pavarësisht se premisat, për shumë arsye, i kishin që të fitonin aty.
Ora 17:20 Sadri Abazi: E prisja fitoren e Muharem Ramës, të ndjekë shembullin e Veliajt
Deputeti socialist, Sadri Abazi, u shpreh se e priste fitoren e kandidatit të ASHE, Muharem Rama, në bashkinë e Dibrës. Ai tha se PD ishte 8 vjet në pushtet dhe nuk bëri asgjë për Dibrën.
Deputeti i PS, i këshilloi Ramës që të ndjekë shembullin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
"Gjetëm njeriun e duhur, për kohen e duhur dhe sigurisht për drejtimin e duhur. Ne i falenderojmë me gjithë zemër e u jemi mirënjohës për verdiktin që dhanë e ju premtojmë se kryetari i Bashkisë me marrjen e detyrës, do të jetë në shërbim të qytetarëve të Dibrës. Ne si deputetë të Dibrës, i themi Muharem Ramës ndiq shembullin e Veliajt, që të jesh në shërbim të qytetarëve. Kjo është një mbështetje që qytetarët e Dibrës i dhanë kryeministrit Rama dhe qeverisë për këto tre vite qeverisje", u shpreh Abazi.
Ora 17:00 Numërimi drejt fundit, edhe 10 kuti
Drejt fundit numërimi i votave në KZAZ nr. 19. Deri tani janë numëruar 108 nga 118 QV, 10 kuti të mbetura.
Kryeson kandidati i majtë Muharem Rama me 16 849 vota, ndërsa ai i djathtë, Sherefedin Shehu deri tani ka 12 988 vota.
Kandidati socialist, Rama, kryeson me 3 861 vota më shumë se Shehu.
Ora 16:00 Numërohen 92 Qendra Votimi, Rama kryeson me 3 260 vota
Teksa janë numëruar 92 Qendra Votimi nga 118 gjithsej, kandidati socialist Muharem Rama kryeson me 3 260 vota ndaj atij demokrat, Sherefedin Shehu. Rama ka marrë 14 765 vota, ndërsa Shehu 11 505 vota.
Kanë mbetur edhe 26 kuti për tu numëruar, deri në përfundim të procesit.
Ora 15:45 Numërohen 89 Qendra Votimi
Deri tani janë numëruar 89 nga 118 Qendra Votimi. Kandidati i majtë Muharem Rama ka marrë 14 476 vota, ndërsa ai i djathtë, Sherefedin Shehu ka 11 118 vota.
Muharem Rama kryeson me 3 349 vota më shumë se Shehu. Procesi i numërimit të votave vijon në KZAZ nr.19, në Dibër.
Ora 15:37 Sherefedin Shehu fiton vetëm në Kalanë e Dodës
Kandidati i PD, Sherefedin Shehu ka arritur të fitojë vetëm njësinë administrative Kala e Dodës. Shehu ka marrë 498 vota, ndërsa Rama 332 vota. Kandidati demokrat ka fituar në këtë njësi me 166 vota më shumë.
Ora 15:25 Numërohen 85 Qendra Votimi, Rama thellon diferencën
Ka shkuar në 85 numri i Qendrave të Votimit të numëruara, nga 118 që janë gjithsej. Deri tani kryeson kandidati i majtë Muharem Rama me 14057 vota, ndërsa ai demokrat, Sherefedin Shehu, ka 10560 vota. Muharem Rama kryeson me 3 497 vota më shumë se Shehu.
Ora 15:20 Braçe-demokratëve: Kthehuni, kanë dy javë pa ju parë fëmijët
Deputeti i PS, Erjon Braçe duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve në Dibër ironizon demokratët duke u kërkuar që të rikthehen në shtëpi pas 2 javëve, pasi fituesi tashmë është i qartë duke parë diferencën e thellë të Ramës ndaj Shehut.
“Tani, nuk më ngelet gjë tjetër veç; Tu kërkoj dy tre kolegëve të mi të Partisë Demokratike, atyre me të cilët mund të flasësh, të cilët, kanë dy javë në Dibër:
kthehuni në shtëpitë tuaja se meruat fëmijët, kanë dy javë pa ju parë!!’shkruan ai.
Ora 15:15 Numërohen 82 Qendra Votimi, Rama kryeson me 3 477 vota
Kandidati socialist, Muharem Rama kryeson me 3 477 vota garën për kryebashkiak të Dibrës. Teksa janë numëruar 82 Qendra Votimi nga 118 në total, Rama kryeson me 3 477 vota më shumë se rivali i tij demokrat, Sherefedin Shehu. Kandidati socialist ka marrë 13 777 vota, ndërsa ai demokrat ka 10 300 vota. Numërimi i votave vijon në KZAZ nr.19, në Dibër.
Ora 14:30 Numërohen 75 Qendra Votimi, Rama 3310 vota kryesim
3310 vota është diferenca e deritanishme mes kandidatit Muahrrem Rama dhe Sherefedin Shehut.
Pas përfundimit të 75 qendrave, Rama numëron 13119 vota ndërsa Shehu 9801 vota.
Ora 14:43 Rakip Suli: Ne patëm kandidat ‘bio’, PD një limon ‘të shtrydhur’
Deputeti i Partisë Socialiste, Rakip Suli e cilëson surprizë fitoren me rezultat të thellë të Muharem Ramës përballë kandidatit të PD, ndërsa sipas tij dibranët i kanë dhënë një mësim Partisë Demokratike, pasi e la në harresë duke e kthyer në të pabanuar si Kandahari.
Duke i paraprirë akuzave të mundshme të PD për rezultatin, Suli thotë se nuk bëhet dot dielli pis me baltë nga dora e njeriut, pasi mesazhi ishte i qartë me një diferencë që nuk ka ndodhur prej 25 vitesh.
Meritë për suksesin në Dibër, sipas deputetit të PS ka vendosmëria e dibranëve, vetë kandidati Rama për atë që ka dhënë për komunitetin dhe koordinatori Gjiknuri.
“Muharem Rama është 3100 vota para kandidatit Shehu. Rama ka dalë fitues në të gjitha qendrat e votimit.
Rezultati ka qenë i papritur si për PS ashtu edhe për PD. Vlerësim për kandidatin Rama, i cili gjatë fushatës ka qenë kandidat bio, i mirëpritur.
Ka qenë shumë e lehtë për të qenë në krah të Ramës. Përballë kishim një kandidat si ‘limoni i shtrydhur’.
Mençuria dibrane i kanë dhënë një mësim Partisë Demokratike, pasi e la në harresë. Peshkopi është bërë e pabanuar nga PD, u kthye si Kandahari.
Kolona e parë e fitores ishte mençuria dibrane për harresën që i bëri PD dhe kolona e dytë ishte kandidati Rama, ndërsa e treta ishte ministri Gjiknuri që drejtoi fushatën.
Në krahun tjetër u angazhua PD me të gjithë drejtorët, por dibranët nuk i pranuan dhe i dhanë një mesazh PD. Mesazhi i Dibrës ishte qartë për PD.
Nuk bëhet dot dielli pis me baltë nga dora e njeriut, pasi mesazhi ishte i qartë me një diferencë që nuk ka ndodhur prej 25 vitesh” u shpreh Suli.
Ora 14:30 Numërohen 70 Qendra Votimi, Rama 3111 vota kryesim
Muharrem Rama ka vijuar kryesimin edhe në Qendrën e Votimit të 73-të ku ai ka marrë 12 716 vota ndërsa Sherefedin Shehu ka marrë 9601 vota.
Diferenca mes dy kandidatëve është 3183 vota.
(Muharem Rama duke ndjekur procesin e numërimit në KZAZ 19)
14:17 Muharrem Rama 3116 vota diferencë, numërohen 69 Qendra Votimi
Kandidati i mazhorancës Muharrem Rama ka thelluar rezultatin me 3116 vota ndaj kandidatit të opozitës Sherefedin Shehut.
Deri tani janë numëruar 69 Qendra Votimi, ku Rama ka marrë 12 486 vota dhe Shehu ka marrë 9370 vota.
Ora 14:05 Administratori i dhunuar nga PD: 500 vota para në njësinë time
Kreu i Njësisë Administrative Tomin, Nuri Meda i cili u dhunua vetëm pak ditë më parë nga Dritan selishta, një militant i Partisë Demokratike, ka thënë se në Njësinë që ai drejton Muuharrem Rama në 14 Qendrat e Votimit ka dalë fitues me një diferencë prej 500 votash, ndonëse është edhe një tjetër qendër për tu numëruar.
Sa i përket dhunës së ushtruar ndaj tij, ai tha se nuk ka ndonjë vërejtje, pasi ka qenë i përgatitur duke qenë se fushatat elektorale i kanë gjëra të tilla në Shqipëri.
“Këtë rezultat e prisja, u dhunova nga pala kundërshtare, u njoftova atë ditë se në Pilaf po shpërndaheshin para. Shkuam atje, por jo për shamatë, atje më erdhën kundërshtarët e më qëlluan. Tani s’kam asnjë vërejtje, pasi fushata këto i ka. Tomini deri tani ka numëruar 14 Qendra Votimi, kemi 500 vota plus për Muharrem Ramën” tha ai.
Ora 13:55 Shkon në 2863 vota diferenca mes Ramës dhe Shehut
Muharrem Rama numëron 11570 vota ndërsa Sherefedin Shehu ka marrë 8709, ndërkohë që janë numëruar deri tani 63 kuti votimi nga 118 që janë në total.
Ora 13:40 Muharrem Rama kryeson me 2812 vota
Muharrem Rama ka vijuar thellimin e rezultatit edhe në kutinë e 61 të numëruar ku ka marrë në total 2812 vota më shumë se Sherefedin Shehu.
Muharrem Rama në total numëron 11331 ndërsa Sherefedin Shehu numëron 8519 vota.
Ora 13: 25 Shkon në 2662 diferenca e votave mes Muharrem Ramës dhe Sherefedin Shehut
Shkon në 60 numri i Qendrave të Votimit që janë numëruar deri tani nga grupet e numërimit në KZAZ-në numër 19 ku Muharrem rama kryeson me një diferencë prej 2662 vota.
Muharrem Rama ka marrë 10968 vota ndërsa Sherefedin Shehu ka marrë 8306 vota.
Ora 13:21 Muharrem Rama thellon diferencën me 2621 vota ndaj Shehut
Muharrem Rama deri tani numëron 10839 vota ndërkohë që kandidati i PD-së Sherefedin Shehu numëron 8218 vota, pra me një diferencë votash prej 2621 vota.
Deri tani janë numëruar 59 kuti votimi.
Ora 12:50 Muharrem Rama kryeson me 2395 vota, numërohen 53 Qendra Votimi
Muharrem Rama deri tani kryeson ndaj rivalit të tij me 2395 vota, ku ka marrë 9630 vota ndërsa Sherefedin Shehu ka marrë 7235 vota.
Deri tani janë numëruar 53 Qendra Votimi.
Ora 12:47 Rinis procesi i numërimit të votave
Ka rinisur procesi i numërimit të votave, pas një ndërprerje disaminutëshe për shkak të numrit të lartë të personave në ambientet e KZAZ-së.
Tashmë grupet e punës janë ulur në tavolinat e numërimit dhe po numërojnë votat e kutive të hapura
Ora 12:30 Policia: Procesi u nderpre me vendim te KZAZ-se
Policia e Dibres ka nderprere procesin e numerimit me vendim te KZAZ-se.
Ja komunikata e policise
Rreth orës 12:25, me kërkesë të KZAZ-së, efektivat e Policisë Dibër, me Vendim nr 1 të KZAZ-së, kanë ndërhyrë në ambientet e brendshme të KZAZ-së ku po zhvillohet procesi i numërimit të votave, për të verifikuar dhe larguar nga ambientet e brendshme të KZAZ-së, të gjithë ata persona që kanë hyrë pa autorizim apo ata persona që ka këkuar KZAZ-ja për ti nxjerrë jashtë.
Polica ka kryer procesin e verifikimit të vlefshmërisë së autorizimit për secilin person që ndodhet brenda qendrës së numërimit të votave ku ka rezultuar se disa persona të cilët i kishin marrë vetë anëtarët e komisioneve të numërimit të votave, ishin të pa paisur me autorizim përkatës.
Në këto kushte efektivat e Policisë kanë nxjerrë jashtë kësaj qendre këta persona.
Pas rivendosjes së rregullit dhe qetësisë në ambientet e brendshme të KZAZ-së, si dhe nxjerrjen jashtë të personave të pa autorizuar, punonjësit e policisë me Vendim nr 2 të KZAZ-së, në orën 12:45, janë larguar nga ambientet e brendshme të qendrës së numërimit të votave.
Aktualisht ka rifilluar procesi i numërimit të votave dhe shërbimet e policisë vijojnë të kryejnë detyrën për ruajtjen fizike të godinës, si dhe për të mos lejuar asnjë person të pa autorizuar të hyjë në ambientet e brendshme të numërimit të votave.
Ora 12:20 Ndërpritet procesi i numërimit, shkak mbipopullimi i ambienteve të vendit të numërimit
Është ndërprerë procesi i numërimit të votave në ambientet e palestrës së shkollës së mesme, aty ku po numërohen kutitë e votimit për zgjedhjet e realizuara. Shkak për këtë ndërprerje është bërë numri i lartë i personave që ndodhen brenda ambienteve të Komisionit Zaonal të Administrimit të Zgjedhjeve.
Ekspertët e KZAZ-së i kanë kërkuar policisë që të ndërhyjë në mënyrë që të verifikohen personat nëse janë të autorizuar për të qëndruar brenda ambienteve të KZAZ-së apo jo. Pas kësaj, do të mund të rifillojë procesi i numërimit.
Në një intervistë të dhënë për Report Tv, kreu i Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve Fadil Begu ka thënë se nga salla duhet të largohen të gjithë ata persona që nuk kanë lidhje me procesin dhe nuk janë të autorizuar për të qenë aty.
‘Kush nuk ka autorizim nuk do të jetë më i pranishëm në sallën e numërimit. Kemi ndërprerë procesin, thirrëm policinë pasi nuk lejohet brenda sallës që të futen persona që nuk janë të autorizuar” tha ai.
Ora 12:00 Muharrem Rama thellon rezultatin me 2211 vota
Kandidati i Partisë Socialiste thellon rezultatin, ku deri tani ka marrë 9369 vota ndërsa kandidati i Partisë Demokratike ka marrë 7158 vota, pra diferenca mes tyre është 2211 vota.
Deri tani janë numëruar 52 Qendra Votimit nga 118 që janë në total.
Ora 11:48 Thellohet rezultati në favor të Ramës, numërohen 50 kuti, diferenca 2020 vota
Kandidati Muharrem Rama ka vijuar thellimin e rezultatit ku deri tani numri i votave që përbëjnë diferencën ndaj rivalit të tij Sherefedin Shehu janë 2020 vota.
Deri tani janë numëruar 50 Qendra Votimi, nga 118 në total që ka e gjithë bashkia e Dibrës.
Deri tani Muharrem Rama numëron 8681 vota ndërsa Shehu ka marrë 6654. Gjithsej, deri tani janë numëruar 15 333 vota.
Ora 11:25 Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve: Numrimi ka vijuar, janë zbatuar kriteret e kodit zgjedhor
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në një deklaratë për mediat, të parën për ditën e sotme, ka thënë se gjatë procesit të numërimit të votave, për kutitë e hapura deri tani, është respektuar Kodi Zgjedhor.
Zëdhënësja e këtij institucioni, Drilona Hoxhaj ka thënë se, numërimi tashmë ka nisur, ndërkohë që ka shtuar se janë ndërruar edhe disa prej anëtarëve të grupeve të numërimit, që KZAZ-ja i ka trajnuar.
Lidhur me rezultatet, ajo ka theksuar se ato dalin të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së.
“Me vendim të kazaz procesi i numërimit të votave është ndërperë rreth orës 04;45 minuta dhe rifilloi në orën 10:45.Ka pasur ndryshime në radhët e grupeve të numërimit, por ata janë trajnuar dhe numërimi ka filluar. KQZ shpreh vlerësimin për zbatimin e kodit zgjedhor, ndërkohë që siguron të gjithë opinionin publik se rezultatet dalin të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve” tha ajo.
Ora 10:45 Rinis procesi i numërimit të votave për bashkinë Dibër
Pas ndërprerjes së numërimit të votave në orën 04:45 për arsye pushimi të komisioneve, ka rinisur edhe një herë numërimi i votave për kryetarin e bashkisë Dibër.
Ora 07:18 Muharrem Rama kryeson me 1556 vota përpara Sherefedin Shehut
Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar të bashkisë së Dibrës vijon kryesimin ndaj kandidatit të Partisë Demokratike Sheferedin Shehu me 1556 vota.
Deri tani janë numëruar 44 kuti votimi të qendrave të votimit dhe konkretisht Muharrem Rama ka marrë 7373 vota ndërkoh Sherefedin Shehu ka marrë 5817 vota.
Ora 04:45 Ndërpritet procesi i numërimit të votave
Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve ka vendosur që të ndërpresë procesin e numërimit të votave.
Vendimi është marrë pas lodhjes së anëtarëve të komisionit dhe grupeve të numërimit dhe procesi i numërimit të kutive të votimit do të nisë në orën 10:00.
04:20 Rama kryeson me 1231 vota
Teksa janë numëruar 36 nga 118 kuti votimi, kandidati socialist, Muharrem Rama kryeson me 1231 vota, ndaj rivalit demokrat, Sherefedin Shehu. Rama ka 5 362 vota, ndërsa Shehu 4131 vota.
Epërsia e Ramës u thellua pas numërimit të kutive të njësisë administrative Melan.
03:57 KQZ: Kryeson Muharrem Rama me 56%
03:55 Mbyllet Njësia Melan, Rama fiton me +160 vota
Në Njësinë Administrative të Melanit ka përfunduar numërimi i 8 kutive, ndërsa Muharrem Rama i Aleancës për Shqipërinë Europiane ka fituar me 160 vota.
Aktualisht janë numëruar 36/118 dhe në rezultat kryeson bindshëm kandidati i majtë Muharrem Rama.
03:20 KQZ: Kryeson Muharrem Rama me 56%
03:05 Numërohen 28 kuti, Rama kryeson me 1053 vota
Në total si bashki, pas numërimit të 28 kutive të Selishtës, Luznisë dhe Maqellares, Muharem Rama ka marrë 4306 vota, ndërsa Sherefedin Shehu 3253 vota. 5 vota janë cilësuar të pavlefshme. Diferenca mes kandidatëve është 1053 vota epërsi e kandidatit të ASHE, Muharem Rama.
03:02 Përfundon numërimi në Maqellarë, fiton Rama me 588 vota para
Ka përfunduar numërimi i votave në 19 kutitë e njësisë administrative Maqellarë. Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Muharem Rama, ka fituar me 588 vota më shumë se rivali i APPD, Sherefedin Shehu. Maqellara njihet si bastion i demokratëve, por pavarësisht kësaj edhe një vit më parë kur kandidonte Ilir Krosi, demokratët humbën në këtë njësi me një diferencë prej 34 votash në favor të kandidatit socialist, Shukri Xhelili.
03:00 Numërohen 25 nga 118 kuti, Rama 1020 vota para
(Numërohen 25 nga 118 kuti votimi)
Nga numërimi i 25 nga 118 kuti votimi, Muharem Rama ka marrë 3712 vota, ndërsa Sherefedin Shehu 2690 vota. Rama kryeson me 1020 vota para.
02:40 Numërohen 20 nga 118 kuti, Rama 610 vota para Shehut
Ka përfunduar numërimi i votave në 22 nga 118 Qendra Votimi. Ndërkohë që vijon intensivisht numërimi në njësinë administrative Maqellarë, e cila është njëherazi edhe njësia më e madhe, bashkë me bashkinë Peshkopi. Nga numërimi i 20 kutive, Muharrem Rama ka marrë 1920 vota, ndërsa Sherefedin Shehu ka marrë 1310 vota. Rama kryeson me 610 vota.
02:25 Numërohen 12 nga 19 kutitë e Maqellarës, kryeson Rama
Muharem Rama kryeson edhe në njësinë administrative Maqellarë, një bastion ky i demokratëve. Nga numërimi i 12 prej 19 Qendrave të Votimit në Maqellarë,
Rama ka marrë 1824 vota ndërsa Sherefedin Shehu ka marrë 1275 vota. Kandidati i majtë kryeson me 549 vota ndaj rivalit të djathtë.
02:00 KQZ: Kryeson Muharrem Rama me 675 vota
(Numërohen 16 nga 118 kuti votimi)
01:55 Përfundon numërimi në 5 QV e para në Maqellarë, kryeson Rama
Përfundon numërimi në 5 QV e para në Maqellarë. Kandidati Muharrem Rama ka marrë 881 vota ndërsa Sherefedin Shehu 687 vota. Në 5 QV në Maqellarë, Muharrem Rama kryeson ndaj Sherefedin Shehut me 194 vota.
00:55 Muharrem Rama i qeshur me Vokshin dhe Sterkajn
Muharrem Rama po ndjek procesin e numërimit të votave në KZAZ nr. 19. Kandidati i majtë shoqërohet nga deputetë të PS dhe drejtues lokalë të degës së PS.
Në një moment Rama është fiksuar nga kamerat duke diskutuar me deputeten e PD, Vokshi dhe atë të PS, Sterkaj.
Rama duket i qeshur pas kutive të para pasi kryeson me mbi 500 vota pas numërimit në njësitë e para.
00:45 Përfundon numërimi në njësinë administrative Luzni
Muharem Rama ka fituar edhe njësinë administrative Luzni. Në përfundim të numërimit të votave, kandidati i majtë, Muharem Rama ka marrë 826 vota, ndërsa ai i djathtë, Sherefedin Shehu, 411 vota. Në këtë njësi administrative, Muharem Rama kryeson me një diferencë prej 415 votash.
00:43 Përfundon numërimi në 5 qendra votimi nga 118 qendra, kryeson Muharrem Rama.
00:30 Mbyllet numërimi në Selishtë, fiton Rama
Mbyllet numërimi i votave për njësinë administrative Selishtë. Muharem Rama i PS ka marrë 423 vota, ndërsa Sherefedin Shehu i PD, 373 vota. Kandidati i majtë kryeson me një diferencë të ngushtë prej 50 votash.
00: 25 Numërohet kutia e Hoteshit, fiton Rama
Është numëruar edhe kutia e njësisë administrative Hotesh. Rezultati është 166 vota për Muharem Ramën e Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe 68 vota për kandidatin e Aleancës për Punë dhe Dinjitet, Sherefedin Shehu.
00:11 Në Luzni fiton Muharrem Rama
Përfundon kutia e parë e Luznisë me numër 977, 85 vota Muharrem Rama, ndërsa Sherefedin Shehu 58 vota.
23:46 Zgjedhjet në Dibër, nis numërimi i votave të 118 qendrave të votimit
Ka nisur numërimi i në KZAZ nr.19. Numërimi tani po bëhet për kutinë e njësisë administrative Selishtë. 2 orë pasi mbërritën në KZAZ numër 19 të gjitha kutitë e votimit, ka nisur edhe procesi i numërimit të vota për të bërë publik edhe verdiktin e popullit dibran.
Janë 33 978 vota për t'u numëruar dhe nëse procesi vijon pa ndërprerje, zbardhja e rezultatit pritet të bëhet në një kohë relativisht të shkurtër.
23:30 Pritet të nisë numërimi, çdo gjë është gati
23:00 Drejtori i Policisë Dibër: Gjatë votimit nuk u raportua asnjë incident
Në lidhje ne mbarëvajtjen e procesit por edhe me akuzat politik në drejtim të policisë së Shtetit ka reaguar edhe Drejtori i Policisë së Qarkut Dibër Rober Ago. Gjatë një prononcimi për mediat Ago deklaroi se procesi ishte i rregullt dhe nuk ka pasur asnjë incident. Akuzat e Partisë Demokratike, kreu i Policisë së Dibrës mohoi kategorikisht duke deklaruar gjithashtu se në Policinë e Dibrës nuk ka asnjë kallëzim për shkelje të Kodit Zgjedhor.
22:40 Policia e Dibrës: Shoqërimi dhe dorëzimi i materialeve zgjedhore pa asnjë problem
Policia e Dibrës deklaron se shoqërimi dhe dorëzimi i materialeve zgjedhore të 118 qendrave të votimit përfundoi pa asnjë problem.
Policia bën me dije se vijon të jetë në krye të detyrës për të garantuar ruajtjen fizike të KZAZ dhe rendin dhe sigurinë në gjithë territorin e Dibrës.
"Përfundoi pa asnjë problem shoqërimi dhe dorëzimi i materialeve zgjedhore të 118 qendrave të votimit në KZAZ. Të gjithë punonjësit e policisë kanë marrë proceverbalet e dorëzimit nga KZAZ.Gjatë shoqërimit dhe dorëzimit nuk është konstatuar asnjë problem.
Policia tashmë vijon shërbimin në ruajtien fizike të KZAZ si dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor.Njëkohësisht janë marrë të gjitha masat nga ana e Policisë për të garantuar rendin e sigurinë në gjithë territorin e qarkut Dibër"
22:20 Balla sfidon Bashën dhe ironizon Dasho Alikon e Lazaratit
N/kryetari i PS, Taulant Balla përmes një deklarate në Facebook pas përfundimit të procesit të votimit sfidon kreun e PD, Lulzim Basha që të dalë dhe të njohë rezultatin.
Gjithashtu Balla ironizon kur shprehet se "Uroj që PD mos vendosë numërues ish-kreun e Komunës në Lazarat, Dasho Aliko, i cili ishte në listën e vëzhguesve të të djathtëve në zgjedhjet në Dibër".
Deklarata e Taulant Ballës
Dua ti drejtohem personalisht kryetarit të PD Lulzim Bashës, i cili këtë betejë e ktheu në një beteje politike kombëtare, me deklaratat e tij dhe konkluzionet që është munduar të nxjerrë nga këto zgjedhje. Lulëzim, dil në çdo televizion, dil dhe deklaro që ti e njeh rezultatin meqënëse dole dhe shpalle fitoren e Sherefedinit.
Dil dhe thuaj që e njoh fitoren dhe jemi të gatshëm të themi që sot që këto zgjedhje ishin demokratike, të lira dhe që rezultati është i pa ndikuar nga çfarëdolloj incidenti që mund të ketë ndodhur. Kjo është e rëndësishmë.
U shpall fitorja nga PD, por ende nuk ka një deklaratë nga Lulëzimi, i cili është kryetari i PD-së dhe ka 21 ditë siç thotë, (është për të bërë lajm që nuk ka ikur në Hollandë gjatë kësaj kohe). Të dalë dhe të thotë që përgëzoj popullin e Dibrës, i kërkoj ndjesë për të gjitha fyerjet, edhe për rrahjet e votuesve se nuk pëlqenin Shehun, por njoh rezultatin.
Uroj që PD të mos futë numërues Dasho Alikon dhe deputetë të PD, por pikërisht ata persona që respektojnë Kodin Zgjedhor dhe mirë do ishte që vet dibranët ti numëronin votat e shprehura nga populli i Dibrës.
22:15 Sterkaj: I bindur që Dibra ka bërë zgjedhjen më perfekte
Deputeti i PS, Paulin Sterkaj i ka kërkuar PD që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve në Dibër, pasi sipas tij sa herë PD sheh humbjen, ajo zvarrit procesin. Sterkaj deklaroi se procesi ishte i qetë. Sterkaj u shpreh i bindur se Dibra ka bërë zgjedhjen më perfekte.
“Kam bindjen se Dibra ka ditur të bëjë zgjedhjen e duhur. Jam në Dibër për të mbështetur një njeri human që punon për Dibrën, që jeton në Dibër dhe që e do Dibrën. Procesi ka qenë i qetë përgjithësisht. Jam i bindur që Dibra ka bërë zgjedhjen më perfekte. Akuzat e PD për blerje votash janë absurde. Ata që kanë cenuar procesin janë PD. Flamur Noka shkaktoi incidente dhe para dy ditësh u dhunua administratori i njësisë TOmin. Shpresoj që PD të pranojë rezultatin. Kur PD sheh humbjen zvarrit procesin sepse nuk pranon humbjen”, deklaroi Sterkaj.
22: 07 Mbërrijnë edhe 3 kutitë e fundit nga Lura. Tani pritet që të nisë numërimi i votave
22:05 Bogdani: I ka ardhur fundi aleancës së qeverisë me krimin
Deputeti i PD, Gerti Bogdani ka deklaruar se procesi zgjedhor në Dibër ështwë dhunuar, por pavarësisht kësaj dibranët e shprehen vullnetin e tyre. Bogdani deklaroi se qytetarët dibranë u bashkuan me opozitën për t’i thënë jo krimit. Presim shpalljen e rezultatit dhe fitoren bindëse të Sherefedin Shehut, deklaroi ai.
"Ky është një proces i dhunuar, pasi u përfshinë kriminelë që nga dita e parë e fushatës. Para të drogës u përdorën për blerjen e votave. PD ka denoncuar disa raste dhe kemi bërë edhe kallëzim penal. Qytetarët dibranë u bashkuan me opozitën për t’i thënë jo krimit. Presim shpalljen e rezultatit dhe fitoren bindëse të Sherefedin Shehut. I ka ardhur fundi aleancës së qeverisë me krimin. Qytetarët dibranë u bashkuan me opozitën për t’i thënë jo krimit. Presim shpalljen e rezultatit dhe fitoren bindëse të Sherefedin Shehut", deklaroi Bogdani.
21:55 KVV: Procesi po shkon mbarë dhe qetë
Koalicioni i Vëzhguesve Vendor deklaron se procesi i votimit në Dibër ka qenë i qetë. Në disa qendra ka pasur problematika, por që nuk kanë ndikuar në proces. Në Luzni, ka pasur përplasje dhe është bllokuar votimi, pas një tentative për votim familjar. Ka patur prezencë nga aktorët e dy kampet politike, por kjo nuk ka ndikuar në procesin zgjedhor
“Klima e qetë ka vazhduar deri në momentin e mbylljes së qendrave të votimit. Ka patur prezencë nga aktorët e dy kampet politike, por kjo nuk ka ndikuar në procesin zgjedhor.
Para mbylljes së qendrave të votimit ka patur disa problematika. Në Luzni ka patur bllokim të procesit nga 17:30 deri në 18:00. Kërkesa për një votim familjar solli përplasje. Ka pasur probleme me furnizimin me energji në dy qendra votimi. Shumica e QV u mbyllen në orarin e caktuar. Në disa QV kryetarët kanë hyrë dhe dalë me vula. Janë shënuar edhe raste të fotografimit të votës. Pritet mbërritja e 3 kutive nga komuna e Lurës. Procesi po shkon mbarë dhe qetë, nuk ka problematika”
21:45 Fadil Begu: Numërimi do nisë rreth orës 23:00
Kryetari i KZAZ 19, Fadil Begu ka deklaruar se procesi i numërimit të votave pritet të fillojë rreth orës 23:00. Begu njoftoi se kutitë janë gati për numërim dhe po pritet mbërritja e 3 kutive të fundit që i përkasin zonës së Lurës
"Kutitë janë gati për numrin. Kutitë e Lurës nuk kanë mbërritur akoma, por janë shumë afër. Rreth orës 23:00 do të nisë numërimi i votave. Do të ketë një trajnim me numëruesit, pastaj do të nisë numërimin. Të gjitha kutitë që u morën në dorëzim janë të rregullta. Nesër rreth orës 02:00 besojmë të kemi përfunduar numërimin"
21:30 Kanë mbërritur materialet zgjedhore të 115 qendrave të votimit nga 118
21:25 Tabaku: Të dhënat tregojnë se Shehu është fitues
Deputetja e PD, Jorida Tabaku deklaron se mbi qytetarët ka pasur presione, ndërsa i ka bërë thirrje prokurorisë për të nisur hetimet.
"Ka pasur 17 raste të fotografimit të votës. Ftoj prokurorinë që të nisë hetimet për të gjitha rastet e denoncuara.
Nuk duhet të ketë thirrje lufte, por të presim me qetësi rezultatin e zgjedhjeve. Të dhënat tregojnë se Shehu është fitues. Opozita po i jep një mësim të mirë mazhorancës"tha Tabaku.
21:20 KQZ: Pjesëmarrja në votim 60%
KQZ ka deklaruar se pjesëmarrja zyrtare në votim në bashkinë e Dibrës ka qenë 60%. Vazhdon procesi i dorëzimit të kutive, teksa deri tani janë dorëzuar 101 nga 118, ndërsa ka filluar trajnimi i komisionerëve që do të numërojnë votat.
"Sipas informacioneve të mbërritura nga Administrata e KQZ e cila ndodhet në KZAZ-në 19, në Dibër, ku do të bëhet edhe Numërimi i Votave, ka filluar dorëzimi i materialeve zgjedhore pranë Komisionit të Administrimit Zgjedhor, dorëzim i cili po ecën me ritme të shpejta, ku nga mbyllja e Qendrave të Votimit deri tani, janë dorëzuar materialet e 101 QV-ve (numri ndryshon minut pas minuti), ku theksojmë se asnjë kuti e fletëve të votimit dhe e materialeve zgjedhore të dorëzuara në KZAZ nuk rezulton e parregullt.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë masat e duhura që të bëhet trajnimi i grupeve të numërimit të votave të emëruar nga KZAZ-ja, të cilët do të numërojnë fletët e votimit. Trajnimi i numëruesve do të ketë ndikim në mbarëvajtjen e procesit të numërimit të votave".
20:20 PD: Sherefedin Shehu është fitues i zgjedhjeve
Pas përfundimit të procesit zgjedhor, dega e PD në Dibër ka shpallur fitoren.
"Tani që procesi ka përfunduar me rëndësi është mbarëvajtja e transportit dhe nisja pa vonesë e procesit të numërimit. Nga të gjitha informacionet paraprake Sherefedin Shehu ka fituar bindshëm besimin e dibranëve dhe është kryebashkiaku i ardhshëm i Dibrës.
Falenderojmë popullin e Dibrës për kulturën, qytetarinë dhe aktet kurajoze të përballjes dhe mposhtjes së kërcënimeve të rilindjes. Kjo është një fitore domethënëse kundër oligarkisë kriminale të pushtetit" deklaroi zëdhënësja e PD, Irini Shehu.
19:55 Akuzat e PD, Policia: Asnjë polic nuk është përfshirë në proces
Policia e Shtetit ka reaguar pas akuzave të PD për përfshirjen e zyrtarëve në procesin zgjedhor duke i hedhur poshtë. Policia e Shtetit thekson se çdo akuzë e hedhur synon vetëm të përbaltë punën e kësaj strukture, e cila mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të zbatuar vetëm ligjin.
Njoftimi i policisë
Lidhur me lajmin e publikuar në media sociale dhe të riprodhuar më pas nga subjekti politik PD, Policia e Shtetit sqaron opinionin publik se punonjësit e policisë që shfaqen në foto janë të dislokuar me detyrë pranë Postës së Policisë në Maqellarë.
Pikërisht, godina me fasadë të verdhë dhe e mbuluar me tjegulla të kuqe, e cila evidentohet qartë edhe në foto, është Stacioni i Policisë në Maqellarë.
Askush prej tyre, siç edhe asnjë punonjës tjetër, nuk është përfshirë në aktivitet politik apo në procesin e sotëm zgjedhor duke favorizuar ndonjë forcë politike.
Gjithashtu, Policia e Shtetit hedh poshtë çdo akuzë të PD për përfshirje të oficerëve të lartë të Drejtorisë Vendore të Dibrës në procesin elektoral. Oficerët e përmendur kanë qenë dhe janë në detyrë, brenda ambjenteve të Drejtorisë Vendore në Peshkopi.
Çdo akuzë e hedhur ndaj policisë synon vetëm të përbaltë punën e kësaj strukture, e cila mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të zbatuar vetëm ligjin.
19:45 PS: Rama fitues, partitë të respektojnë rezultatin
Pas mbylljes së procesit të votimit, deputetja e PS, Blerina Gjylameti deklaroi se procesi ka qenë i qetë, ndërsa sipas saj fitorja e kandidatit të majtë është brenda kutive.
"Qytetarët dibranë iu përgjigjen apelit për të votuar masivisht. Procesi ishte kryesisht brenda standardeve, dibranët nuk u trembën nga incidentet. Tani me rëndësi është transporti i kutive dhe numërimi. Na mbetet të lexojmë vullnetin e dibranëve. Subjektet politike duhet të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve. Fitorja e kandidatit të majtë është brenda kutive. Procesi i numërimit pritet të përfundojnë nesër"tha ajo.
19:25 KQZ: Pjesëmarrja e zgjedhësve në bashkinë e Dibrës 53%
"Procesi i mbylljes së qendrave të votimit ka filluar. Ka filluar edhe dorëzimi i kutive të votimit me materialet. Pjesëmarrja e zgjedhësve në bashkinë e Dibrës ka qenë 53%. Nga 53% e pjesëmarrësve në Dibër, 42% ishin gra" sipas KQZ.
Deklarata e KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se procesi i mbylljes së qendrave të votimit është në mbyllje dhe ka filluar dorëzimi i materialeve zgjedhore nga QV-të në KZAZ-ne nr, 19, ku do te behet edhe numerimi i votave, ndërkohë që pjesëmarrja deri në orën 19.00, bazuar në informacionin që kanë përcjellë QV-të kanë raportuar në KQZ, rezulton si më poshtë: Tabela DTI
Lidhur me informacionet e ndryshme të publikuara gjatë ditës së sotme megjithse minimale dhe që në thelb nuk cënojnë mbarëvajtjen e procesit të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën me dije se në asnjë nga 118 qendrat e votimit nuk ka munguar asnjë nga elementët që parashikon Kodi Zgjedhor si bazë materiale zgjedhore.
Planifikimi në kohën e duhur i bazës logjistike zgjedhore sipas një sistemi të organizuar dhe jo rastësor, disponimi i saj në sasi dhe cilësinë e kërkuar, si dhe dërgimi i saj në destinacionin e duhur së pari pranë KZAZ-së nr. 19, dhe nga kjo e fundit në cdo QV, rezultoi pa asnjë mangësi në materialet zgjedhore, dhe i shërbeu mbarëvajtjes me sukses të procesit votimit.
Bashkëpunimi i sekretarëve dhe komisionerëve të Qendrave të Votimit me KQZ-në, duke komunikuar në kohë reale dhe korrekte për të përcjellë të gjithë dinamikën e procesit të votimit solli informimin korrekt dhe të saktë të opinionit publik, ndaj KQZ falendëron për bashkëpunimin dhe profesionalizimin e komisionerëve dhe të medias të cilët pasqyruan situatën reale të procesit të votimit, duke shpresuar që ky raportim do të vijojë edhe gjatë procesit të numërimit.
19:15 Nis transporti i kutive në KZAZ numër 19 në Dibër
Në qendrat ku është mbyllur procesi i votimit ka nisur transporti i kutive në KZAZ numër 19 në Dibër.
Deri tani janë mbyllur qendrat e votimit 11-42, 11-42/1, ndërsa kanë mbërritur 2 kutitë e para nga Maqellara. Pas transportit të kutive të fundit, që sipas të parashikimeve do të jenë nga Lura, do të nisë procesi i numërimit.
19:05 Votohet në qendrat që nuk janë mbyllur
Zyrtarisht ka përfunduar në Dibër procesi i votimit, por në ato qendra ku ka ende votues që janë në radhë procesi do të vazhdojë.
19:00 Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit në Dibër
16:42 Gjylameti: Dibranët të votojnë masivisht, procesi i sigurtë
Deputetja e PS, Blerina Gjylameti u ka bërë thirrje dibranëve që të dalin dhe të votojnë pasivisht. Ajo siguroi qytetarët se procesi i votimit është i sigurtë.
"Në tërësi, procesi ka ecur normalisht, pavarësisht disa incidenteve në qendra të izoluara votimi në zona të thella. Jam këtu, për ti bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Dibrës, që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar pët të zgjedhur atë që do ti përfaqësojë më mirë, kryebashkiakun e tyre.
Ndaj, do të doja ti bëja dhe njëherë thirrje të dalin masivisht, ti drejtohen qendrave të votimit për të realizuar atë të cilën ne të gjihtë presim, një votim masiv.
Procesi zgjedhor është i sigurtë, vota e tyre është e sigurtë. Procesi do të përfundojë në siguri të plotë për të ushtruar të drejtën e tyre, pavarësisht ndonjë incidenti të vogël" tha deputetja e PS.
16:25 KVV: Zyrtarët e të largohen nga zonat e votimit
Përfaqësuesja e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, Greta Meta në një tjetër prononcim për mediat në lidhje me zgjedhjet në Dibër theksoi se zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike janë parë pranë qendrave të votimit, ndërsa u bën thirrje që të largohen.
"Konstatuam se klima është e qetë, por ka pasur edhe disa incidente të izoluara. Policia është shtuar, por në i drejtohemi që të jeni profesionalë dhe në krye të detyrës dhe të jenë sa më të padukshëm, që procesi të jetë sa më i qetë për qytetarët.
Në Dibër vërejmë sërish ka zyrtarë të lartë të strukturave politike, përfaqësues të PD të cilët vazhdojnë që të jenë prezentë në bashkinë e Dibrës. Forcat politike të rrinë sa më larg qendrave të votimit.
Aktorë kryesorë duhet të jenë qytetarët. Prokuroria dhe policia duhet të jenë në gatishmëri për të mos lejuar intimidimin.
Procesi i votimit ka pasur edhe një problematikë. Në Muhur në qendrën 1212 ka pasur raste të votimit familjar.
Në disa raste mungonte boja, ndërsa ka pasur raste që ka votuar dy herë një person, apo kur ka votuar një person për 6 persona të tjerë të familjes.
Në Kalanë e Dodës ka qenë të dukshme rastet e votimit familjar. Edhe në Zall Dardhë dhe Zall Rec mungonte boja, procesi ka vazhduar, pasi komisionerët kanë rënë dakord që votuesit njihen, pasi ëshët fshat i vogël.
Në Kastriot ka pasur ndërrim kutie. Në Zall Dardhë dy votues i bënë foto votës, por nuk kishte asnjë reagim nga komisionerët, të cilët nuk duhet të lejojnë raste të tilla.
Në qendrën 1128 në Melan kas paasur gjithashtu raste të votimit familjar.
Në Muhur ka pasur debate mes komisionerëve. Në fshatin Fushë Cilën grumbullimi i simpatizantëve pranë qendrave të votimit.
Nga 6 kërkesa për votim janë pranuar 4 nga gjykata. Në Maqellarë ka mungesë të fletës së regjistrit"tha ajo.
16:05 KQZ: Deri tani votuan 43% në Dibër
KQZ përmes një deklarate ka njoftuar se pjesëmarrja në votim deri në 16:00 ka qenë 43%. KQZ u bën apel qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të zgjedhin të pandikuar.
"Deri në orën 16:00 pjesëmarrja në votime është në nivelin 43%. Pas mbylljes së Qendrave të Votimit, do të bëhet trajnimi i grupeve të numërimit të cilët janë të emëruar nga Komisioni Zonës së Administrimit Zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson komunikimin e të gjithë sekretarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe anëtarësisë së tyre me KQZ, komunikim i cili ka qënë permanent, korrekt dhe në kohë reale, jo vetëm për pjesëmarrjen në votime por për të gjithë dinamikën procesit të votimit deri tani, dhe inkurajon vazhdimësinë e këtij komunikimi deri në mbylljen e procesit të votimit dhe dorëzimit të bazës materiale pranë KZAZ-së nr. 19, ku do të bëhet edhe Numërimi i Votave.
KQZ ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të bashkisë Dibër, t’i drejtohen kutive të votimit, dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese, atë të votës së lirë, të fshehtë dhe të pandikuar", deklaroi zëdhënësja e KQZ.