Ndërkohë, aksioni ka vijuar edhe në rrugën e Kavajës, ku shpejtësia e lejuar është 81 km/orë deri 92 km/orë, pasi është zonë e banuar. Me anë të Dragerit, policia zbuloi tek Parlamenti edhe persona ne gjendje të dehur.
Siç duket edhe në videon më poshtë, një prej drejtuesve të mjeteve është krejtësisht i dehur, pasi në testin e alkoolit, ai del me rezultatin 2.4 mg dhe për këtë shkak është shoqëruar nga policia në komisariat. Edhe pse drageri e nxori me konsumim të lartë alkooli, drejtuesi i mjetit reziston duke thënë se nuk ka pirë.
(Kontrollet për alkoolin përpara Parlamentit)
Në faqen zyrtare në rrjetet sociale, Policia e Shtetit bënë thirrje drejtuesve të mjeteve që të përdorin transportin publik, nëse kanë konsumuar alkool.
Ndërkohë, situata më problematike u evidentua në autostradën Tiranë-Durrës, ku u pezulluan 17 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara, e cila kalonte deri në limite të pabesueshme. Radari i uniformave blu regjistroi drejtues mjetesh të cilët po udhëtonin 130 deri 195 km/orë.
Njoftimi i policisë për masat e marra:
Tiranë.
Policia Rrugore e Tiranës kontrolle me Drager e Radar me qëllimin parandalimin e aksidenteve rrugore. Kontrollet kanë vijuar me Radar e Drager në autostradë dhe në rrugët e brendshme të Tiranës, dhe në autostradën Tiranë -Durrës, për të parandaluar, evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi, të atyre drejtuesëve që drejtojnë automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, duke u bërë burim aksidenti për veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Policia Rrugore gjatë 48 orëve të fundit ka pezulluar 92 Leje Drejtimi, si dhe ka arrestuar 8 drejtues mjetesh. Kontrolle me Radar pothuaj gjatë gjithë orëve të natës nga e premtja deri të dielën për parandalimin e shpejtësisë sidomos në qendra të banuara por dhe në autostradë. Në drejtim të shpejtësisë në autostradë dhe në qendrat e banuara, Policia Rrugore gjatë 48 orëve të fundit ka evidentar dhe ndëshkuar:
56 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejura. Shpejtësia në autostradë vijonte nga 130 km/orë deri në 195 km/orë.
Në qendrat e banuara shpjetësia kalonte dy deri në tre herë më shumë se limiti i lejuar, nga 81 km/orë deri në 109 km/orë. Përsa i përket drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur gjatë 48 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë: 7 drejtues mjetesh që drejtonin automjetet në gjendje të dehur apo tej mase të dehur. Masa e alkoolit varionte nga 0.56 mg/l deri në 2.41 mg/l.
Kjo sasi e madhe alkooli deri ne 2.41 përbën një rrezik shumë të madh për jetën e drejtuesit të mjetit dhe të përdoruesve të rrugës. Si dhe është arrestuar një drejtues mjeti që drejtonte automjetin i pa paisur me Leje Drejtimi. Gjithashtu janë pezulluar 26 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, por jo deri në kufijtë e dehjes. Masë alkooli e konsumuar varionte nga 0.29 mg/l deri në 0.47 mg/l.
Por nga kontrolli me Drager janë evidentuar një numër i madh drejtues mjetesh që nuk kishin konsumuar alkool ose kishin konsumuar shumë pak, 0.00 mg/-0.18 mg/.
Gjithashtu janë pezulluar dhe 10 Leje Drejtimi për shkelje të tjera.
Kontrollet kanë konsistuar edhe në evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesëve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor ku për 48 orët e fundit janë vendosur :
• 95 masa për mos përdorim rripin e sigurimit.
• 120 masa për parakalim të gabuar
• 117 masa për përdorim celulari gjatë drejtimit të automjetit
• 11 masa për mos respektim të sinjalistikës së semaforit
• 52 masa për ata që qarkullojnë pa kaskë mbrojtëse si dhe pa kontroll teknik të mjetit, etj.
• Si dhe 450 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Janë bllokuar dhe 8 mjete për mosshlyerje të masave administrative mbi 3 masa. Policia Rrugore e Tiranës , do vijojë kontrollet e pandërprera me Drager e Radar në të gjithë territorin e qarkut Tiranë me qëllimin e vetëm : Rritjen e sigurisë së jetës në rrugë. Policia Rrugore e Tiranës gjen rastin të falenderojë edhe njëherë të gjithë ata drejtues mjetesh që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke kontribuar në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

