Autori në pamjet e siguruara nga Report Tv duket teksa largohet me vrap pasi ka marrë paratë, ndërsa pak metra larg Hipotekës së Tiranës kërcënoi me pistoletë një polic të rrugores. Ngjarja ka ndodhur në kryeqytet, pranë ish-Stacionit të Trenit, mesditën e sotme. Në orën 14:04:18, autori duket duke u larguar me vrap pas grabitjes që ka zgjatur rreth një minut, ndërsa policia deklaron se jemi njoftuar në 14:05 minuta.
Policia deklaroi se autori ka marrë paratë te filiali i postës, por në një reagim të sajin Posta Shqiptare sqaroi se nuk kishte rënë pre e grabitjes dhe se vijonte punën normalisht, duke theksuar se ishte grabitur një bankë e nivelit të dytë.
Gjithashtu, edhe burime të Report Tv saktësuan se është grabitur filiali i bankës, ku autori ka marrë një shumë parash, e cila nuk dihet ende. Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në të gjithë kryeqytetin, ndërsa në vendngjarje kanë shkuar ekspertë të shumtë, që po kryejnë verifikimet dhe po marrin shenjat e gishtave, por është shumë vështirë, pasi autori ka përdorur doreza për të mos lënë gjurmë duke lënë të kuptohet se është profesionist.
d.b/shqiptarja.com

VIDEO










