Në fshatin Aranitas të bashkisë Mallakaster, një lagje e quajtur Lumare qëndron e izoluar prej 27 vitesh. Ajo është e rrethuar nga malet, me  pyje  kocimare dhe mbetet lagjia  më problematike, jo vetëm e Aranitasit, por edhe e  gjithë zonës së Mallakastrës. Sot këtu jetojnë vetëm 9 familje.

Janë të vetmit që qëndruan, nga 200 banorë që kishte kjo lagje para demokracisë.Të tjerët jane larguar për shkak  të kushteve shumë të këqija të infrastrukturës .   

Banorët e mbetur thonë se janë të izoluar në këtë vend, pasi  kanë mbetur pa të vetmen mundësi të lëvizjes, me pjesën tjetër të fshatit të tyre Aranitas apo  qytetit të  Ballshit, për shkak të mungesës së rrugës. Në pamundësi për të shkuar në fshat, lëvizjen e bëjnë me mushka ose me kalë, ose edhe në këmbë. Pavarësisht ankesave që ata kanë bërë ndër vite, asgjë nuk është zgjidhur sipas banorëve.

 “Trajtimi ndaj nesh , për mungesen e infrastruktures rrugore, ka qënë si të mos jemi shtetas të këtij vendi. Në 27 vite demokraci, nuk është  bërë asnjë investim në lagjen tone, pavarësisht se vinin na premtonin, çdo 4 vjet, në kohë fushatash, por sipas tyre, ato kane qënë të pavërteta dhe për t’e marrë voten”, shprehen të indinjuar banorët.

Familjet shqetësohen edhe për peripecitë që hasin fëmijët e tyre për të shkuar në shkollë. Ata duhet të kalojnë rrugën në baltë, shkurre si dhe me friken mos ndeshen me kafshë, pasi gjithe zona, është e rrethuar me pyje. Ashtu, të gjithë bashkë, shkojnë në këmbë deri në shkollën e fshatit Aranitas.

Kjo vajtje dhe ardhje 8 kilometra realizohet vetem kur është koha e mire, pasi në kohë me reshje ata nuk mund të shkojnë.

Por  me sa duket  këtij kalvari shumë të gjatë pritjeje, prej shume vitesh po i vjen  fundi. E  premtuar nga kryetari i bashkisë Mallakaster Agron Kapllanaj, banorët e lagjes Lumare nuk do të jenë më të izoluar. Kanë nisur punimet për përmirësimin e rrugës. Mjetet që po punojnë këtu, ku drejtusit e saj rrezikojnë edhe jetën, për shkak të terenit shumë të vështire malore, jane drejt fundit të hapjes së  një rruge te re në faqet e malit deri në qender të kësaj lagje. Në të gjitha punimet, banorët të lumtur, kanë ndjekur punimet. Sakaq Kapllanaj deklaroi se më në fund, kjo rrugë ka marrë vëmendjen e duhur.
Lagja e izoluar nga bota reale prej 27 vjetesh për një rrugë që po bëhet realitet  është lumturia më e madhe e banorëve, të cilët shprehen se rruga do të mbajë emrin e kryetarit të Bashkisë.


e.gj/Shqiptarja.com