LEZHE-Dy persona kanë grabitur gjatë natës një pikë elektro-shtëpiakesh dhe pajisjesh elektronike.
 
Autorët kanë qenë të maskuar dhe të armatosur, ndërsa kanë thyer derën dhe kanë marrë kasafortën dhe 30 telefona, mes tyre edhe IPhone 7.
 
Report Tv ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë  në momentin që dy autorët, të maskuar dhe me një çantë në dorë kanë thyer derën me varre.

Autorët morën kasafortën dhe disa ‘IPhone 7’
Në 30 sekonda ata kanë arritur që të marrin kasafortën dhe telefonat.
 
Grabitësit janë ndjerë nga një tjetër biznes pranë që ka njoftuar menjëherë policinë si dhe pronarin e dyqanit. 

Ndërsa pas alarmit policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet.
 
Grupi hetimor ka nisur punën nga kamerat e sigurisë dhe gjurmët që autorët kanë lënë në vendin e ngjarjes për t’i identifikuar dhe arrestuar.
 
Nga të dhënat e para mësohet se autorët janë larguar drejt Shkodrës me një makina pa targa pas grabitjes së biznesit në hyrje të qytetit të Lezhës, te rrethrrotullimi.
 
Pas ngjarjes, pronari i biznesit ka deklaruar se në kasafortë ndodhej një sasi e vogël parash, ndërsa dëmi më i madh është shkaktuar nga telefonat që janë grabitur.

[gallery]23611[/gallery]
Njoftimi i policisë
Me datë 25.08.2017, rreth orës 04:43,  është marrë njoftim se është vjedhur me thyerje një dyqan elektro - shtëpiak në qytet Lezhë.
 
Menjëherë në vendngjarje  kanë mbërritur shërbimet policore që kanë konstatuar se 2 autorë të maskuar , pasi kanë thyer derën kryesore, kanë hyrë brenda dyqanit ku kanë vjedhur rreth 30 celularë të markave të ndryshme.
 
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, janë bërë sekuestrimi i kamerave të sigurisë, janë shoqëruar disa persona si dhe  vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.



dy.b/shqiptarja.com