Në Tiranë, qytetarë të shumtë kanë kryer homazhe për të riun Florenc Beqiri i cili u nda nga jeta para kohe, pasi dyshohet se është dhunuar në një burg të Francës. Teksa mbanin në duar fotografi të 23-vjeçarit, ata kanë vendosur lule si dhe kanë ndezur qirinj përballë Kryeministrisë.

Ndërkohë, Një grup të rinjsh në Librazhd i kanë vënë flakën flamurit francez në shenjë proteste për vdekjen e Florenc Beqirajt, 23-vjeçarit nga Shkodra në spitalin e Marsejës, pasi dyshohet se u dhunua barbarisht në burg. "Për gjakun e Florencit i themi Francës se s’ka vdek shqiptari", thuhet në mesazhin e të rinjve, teksa djegin flamurin tre ngjyrësh.  



Po ashtu nesër në orën 12:00 pritet një protestë homazh përpara Kryeministrisë, tubim i cili është lajmëruar nga Nisma Thurje. Një pjesë e mirë e qytetarëve kanë reaguar përmes rrjeteve sociale duke denoncuar indiferentizmin e institucioneve të shtetit, të cilat nuk kanë reaguar për ngjarjen, me përjashtim të një deklarate të përciptë të Ambasadës shqiptare në Paris.  

23-vjeçari Florenc Beqiri humbi jetën ditën e djeshme në spitalin e Marsejës pasi qëndroi rreth një javë në gjendje kome. Mjekët francezë fikën aparaturat dhe për rrjedhojë zemra e të riut pushoi përgjithmonë. Ndërkohë familja e tij kërkon hetime për shkaqet që sollën vdekjen e djalit të vetëm i cili kishte mbërritur në Francë për azil, por përfundoi në qelitë e burgut. 


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com