Voskopoja përfshihet nga flaket pasditen e së dielës. Ky është zjarri i tretë brenda pak ditësh në pyjet masive të fshatit turistik.
 
Zjarr ka përfshirë një sipërfaqe rreth 50 ha në pyje e pisha. Specialistët e shërbimit zjarrfikës bëjnë me dije se edhe ky zjarr ka qenë i qëllimshëm.
 
Për shuarjen e zjarrit janë aktivizuar forca të shumta të shërbimit pyjor, zjarrfikës, policë ushtarakë si dhe banorë të zonës.
 
Gjithashtu në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe tre mjete zjarrfikëse që kanë bërë të mundur normalizimin e flakëve.
 
Banorët e fshatit turistik janë alarmuar pasi zjarri ishte rreth 800 metra në vijë ajrore nga banesat e tyre por shumë më tepër ata janë alarmuar edhe nga prania shumë e madhe e tymit dhe blozës në fshat çka ka alarmuar edhe turistët e shumtë të Voskopojës këtë të diel.
 
Ndaj dhe për këtë është kërkuar sa më parë ndërhyrja nga ajri si e vetmja mundësi për shuarjen e vatrave të shumta që kanë përfshirë pyjet e Voskopojës.
 
Ndërhyrja nga ajri kërkohet edhe për faktin se terreni është i vështirë çka e bën të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse deri tek vatrat e zjarrit.
 
E vetmja mundësi është izolimi i vatrave me anë të forcave njerëzore te cilat kanë qenë të shumta. Banorët kërkojnë ndërhyrje sa më të shpejtë, pasi sipas tyre në Voskopojë vihet për të thithur ajrin e pishave dhe jo tymin e blozën.
 
Ndërkohë që tre vatra të reja zjarri janë shënuar pasditen e sotme edhe në Dibër.
 
Një vatër e fuqishme rrezikon Parkun e Lurës, e dyta në Lucan ku rrezikohen 15 hektarë me pishë dhe e fundit në Blacë, që kërkohet ndihmë nga ajri, pasi terreni është i vështirë.
 
Në të gjithë vendin sot janë shënuar disa vatra zjarri, duke sjellë një riaktivizim si në dy javët e para të muajit gusht.

 
[gallery]23546[/gallery]

dy.b/shqiptarja.com