Policia e Tiranës ka nisur një procedim penal për mjekët e spitalit "Continental", pas vdekjes së 16-vjeçares Blerta Pepa një ditë më parë pas operacionit në ligamentet e gjurit. 

Me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm ndaj adoleshentes, janë proceduar mjekët Tefik Zhurda, Jovan Kosta dhe Moeibus Ulf. Ky i fundit ka qenë edhe mjeku kirgurg i cili ka bërë ndërhyrjen. Ndërkohë, i proceduar është edhe mjeku anestezist, Tefik Zhudra, i cili pasi 16-vjeçarja ndërroi jetë tentoi vetëvrasjen, ndërsa më pas pësoi edhe infarkt.

16-vjeçarja Blerta Pepa humbi jetën orët e para të mëgjesit të djeshëm, pak orë pasi doli nga salla e operacionit. Ajo kaloi një hipertermi malinje pas ndërhyrjes, duke bërë që fati i saj të jetë tragjik, pavarësisht se operacioni konsiderohej i lehtë. 

Ish-këngëtarja e "Gjeniut", nxënëse e gjimnazit "Çajupi" në kryeqytet, pësoi një dëmtim në gju në ambientet e shkollës, ndërsa pas analizave rezultoi se nevojitej bisturia për rikthimin e saj në normalitetit.

Pikërisht ky operacion shkoi keq dhe Blerta Pepa humbi jetën disa orë pas ndërhyrjes kirurgjikale. 

Mbërrin në Prokurori dosja
Dosja për vdekjen e 16-vjeçares Blerta Pepa ka mbërritur në Prokurori këtë mesditë. Rasti është referuar nga policia me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm.

Sipas kartelës mjekësore të sekuestruar, Blerta Pepa ishte alergjike nga pluhurat. 

Shkak i vdekjes, sipas ekspertizës mejko ligjore ka qenë "Hipertermia Malinje". Prokuroria e Tiranës ka bërë të ditur se hetimi do të përfshijë mjekët, spitalin dhe stafin që ka asistuar si infermier e ndihmës mjek. 

Po ashtu janë sekuestruar pamjet filmike të spitalt "Continental" pasi Blerta Pepa dhe familjarët kanë qëndruar në pritje për më shumë se 6 orë. 

Operacioni sipas kartelës ishte planifikuar në orën 10:00 paradite, por është shtyrë për në orët vona të pasdites, më konkretisht në orën 19.00. 

Mjekët që kanë asistuar operacionin kanë deklaruar se 16-vjeçarja nuk pati asnjë shqetësim para dhe gjatë operacionit. Komplikacionet nisën rreth orës 23:30 fillimisht me temperaturë të lartë. Ndërsa në orën 01:00 pas mesnate, Blerta Pepa humbi jetën. 

Ekspertiza: Shkak i vdekjes, hipertermia malinje, "Dantrolen"-i u përdor
Ekspertiza mjeko-ligjore ka dalë në përfundimin se shkaku i vdekjes së 16-vjeçares Blerta Pepa ka qenë hipertermia malinje, një komplikacion i shfaqur gjatë operacionit.

Gjithashtu, ekspertiza bën të ditur gjithashtu se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale është përdorur edhe ilaçi "Dantrolen" medikament për uljen e temperaturës, i pretenduar se ka munguar gjatë operacionit.

Pavarësisht përdorimit të këtij ilaçi, artistja e re nuk ka mundur t'i mbijetojë komplikacionit shëndetësor, duke ndërruar jetë pak orë pas operacionit.

Deklarata e spitalit Continental
Duke marrë shkas nga ngjarja e djeshme e ndodhur në Spitalin Continental, ku një paciente humbi jetën gjatë një interventi kirurgjikal si dhe nga nevoja për të informuar opinionin publik, duke i shprehur së pari ngushëllimet tona më të thella dhe njerëzore familjes Pepa për humbjen e njeriut të saj të dashur, ju informojmë se:
Dje me datë 15.05.2017 rreth orës 24:00 pas një beteje të gjatë me një nga komplikacionet më të rënda, shumë të rralla dhe me vdekshmëri të lartë, humbi jetën në Spitalin Continental pacientja, Blerta Pepa. Ju bëjmë me dije se; bazuar në vlerësimin e ekspertëve tanë të anestezi – reanimacionit të cilët punojnë në Spitalin Continental si dhe të bashkëpunëtorëve të tyre arritëm në përfundimin se komplikacioni që çoi në humbjen e jetës së pacientes sonë është HIPERTEMIA MALIGNA.

Çfarë është HIPERTEMIA MALIGNA?
Hipertermia Maligna përfaqëson një nga komplikacionet më të rënda dhe shumë të rralla që ndodh gjatë anestezisë. Ajo vjen si pasojë e një defekti genetik dhe që është e pamundur të zbulohet me anë të ekzaminimeve standarde apo të posaçme të kryera para operacionit.

Hipertermia maligna vjen nga çlirimi masiv i energjive termike nga muskujt, si pasojë e aplikimit të substancave anestetike. Dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se protokollet e anestezisë së aplikuara në Spitalin Continental në këtë rast janë të njëjta me ato të vendeve të BE-së. Gjithashtu sigurojmë se niveli profesional i anestezistëve të spitalit tonë është tejet i lartë dhe veçanërisht i mjekut që u përball me këtë komplikacion të rrallë, i cili e ka trajtuar atë me profesionalizëm të lartë dhe devotshmëri në një afat kohor prej disa orësh.

Spitali Continental garanton familjen e të ndjerës dhe gjithë opinionin publik se është i hapur për të bashkëpunuar me të gjitha organet që bëjnë ekspertizën në këtë fushë si dhe ato ligj-zbatuese për t’i shkuar deri në fund kësaj çështje me qëllim heqjen e çdo mundësie për të abuzuar më të vërtetën, siç kemi vërejtur gjatë orëve të fundit nga shumë media, apo individë të caktuar. Jemi thellësisht të keqardhur për dizinformimin e përhapur i cili në jo pak raste duket që është i qëllimshëm. Është e pafalshme të luhet me ndjenjat e njerëzve apo më keq akoma të krijohen kopertuar në kurriz të së vërtetës.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja. com