Vdekja e aktores Imami, krerët
e politikës shprehin ngushëllimet

TIRANE - Krerët e politikës shqiptare kanë shprehur ngushëllimet e tyre, për ndarjen nga jeta të aktores së njohur Besa Imami. Presidenti i Republikës, ka përcjellë përmes një mesazhi ngushëllimet e tij, duke e cilësuar këtë si një humbje të madhe të kulturës dhe skenës shqiptare.

Edhe Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, e ka cilësuar aktoren Imami si një nga hijet e larta të kohës së vjetër.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij ndërsa ka theksuar se ajo la pas një trashëgimi të shkëlqyer të veprave që ajo ka krijuar me punën e saj.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar veprën e Besa Imamit, gur themeli për teatrin dhe kinematografinë shqiptare.  “Artistja e Merituar” Besa Imami ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në moshën 86 vjeçare, pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.

Nishani: Humbje e madhe për kulturën shqiptare
Presidenti Bujar Nishani ngushëllon familjarët e aktores së shquar të skenës dhe ekranit shqiptar Besa Imami. Kreu i Shtetit në një mesazh të bërë publik mëngjesin e sotëm shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktores së madhe, duke u shprehur se është një humbje e madhe për kulturën shqiptare.
 
“Kam ndjerë një trishtim të thellë dje, kur mora vesh për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, aktores së madhe Besa Imami. Ky lajm më ka prekur jashtëzakonisht thellë dhe është një humbje e madhe për kulturën shqiptare në përgjithësi, teatrin në veçanti dhe gjithë shoqërinë shqiptare. Besa do mbahet mend gjithmonë, se e vuri qenien e jetës së saj në shërbim të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, duke u bërë një nga figurat më të shquara në këto dy gjini artistike. Do kujtohet prej artdashësve të shumtë për interpretimin e përsosur të personazheve historike të gruas shqiptare si ‘Donika e Skënderbeut’, por edhe roleve të shumtë me përmbajtje social-psikologjike, mitologjike, patriotike, emancipuese, etj., të cilët jepnin kurdoherë mesazhe kulturë formuese. Ajo i ka dhënë nder dhe krenari teatrit, kinematografisë me rolet e shumta që ka luajtur në skenë dhe kinematografi. Por jo vetëm kaq. Së bashku me Violeta Manushin, Drita Pelinkun, Tinka Kurtin, Margarita Xhepën dhe shumë gra të tjera shqiptare i kanë hapur rrugë me kurajë një emancipimi të vrullshëm shoqëror që përjetoi gruaja shqiptare. Besa Imami e donte shumë kombin e saj. E ardhur nga Kosova në Shqipëri me familjen e saj i fali dashurisë së atdheut, jo vetëm artin e saj, por edhe zemrën e saj. Dhe këtë dashuri e ka shprehur jo vetëm nëpërmjet roleve të shumtë në skenë, por përditshmërisht në çdo bisedë të lirë. Duke ndarë këto momente të hidhura me ju, të dashurit e saj, dhimbjen time më të thellë, jam i bindur se kujtimi dhe vepra e saj kulturore ne fushën e teatrit, kinematografisë dhe operës shqiptare do të kujtohen dhe mbeten gjallë si një pasuri e përjetshme për të gjithë kombin shqiptar. U prehtë në paqe shpirti i saj!”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Kreut të Shtetit.

Rama: Një nga hijet e larta të kohës së vjetër
Kryeministri Rama ka shprehur mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aktores Besa Imami. Në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, kreu i qeverisë shkruan se aktorja Besa Imami është një nga hijet e larta të kohës së vjetër.
 
“Besa Imami ishte edhe një nga hijet e larta te kohës se vjetër kur me Arturin i shijonim byrekun e i dëgjonim kritikat!I lehte i qofte dheu!”, shkruan kryeministri Rama. 

rama fb

Meta: Imami, la pas një trashëgimi të shkëlqyer të veprave që ajo ka krijuar 
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ndërsa ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të “Artistes së Merituar”, Besa Imami ka theksuar se ajo la pas një trashëgimi të shkëlqyer të veprave që ajo ka krijuar me punën e saj.

 “Kjo është një ditë tjetër e trishtuar për të gjithë qytetarët, sidomos për komunitetin e njerëzve të kulturës dhe të artit, të kinematografisë, të teatrit, pasi një ikonë e ekranit, e filmit dhe e Teatrit tonë Kombëtar, aktorja e shquar Besa Imami, është ndarë nga jeta duke lënë një dhimbje të thellë për familjarët, për kolegët, për të gjithë botën e kulturës dhe të kinematografisë, të teatrit. Por për fat të mirë duke lënë pas edhe një trashëgimi të shkëlqyer të veprave që ajo ka krijuar me punën e saj, me talentin e saj të jashtëzakonshëm, të cilat për fat të mirë na ndihmojnë të gjithëve për ta kujtuar gjithmonë”, theksoi Meta.

Kryetari i Kuvendit vendosi buqetë me lule, ndërsa shkroi një mesazh ngushëllimi në Librin e Ngushëllimeve. 

Meta homazhe
(Në foto: Kreu i Kuvendit Ilir Meta gjatë homazheve për Besa Imamin)

Basha: Gur themeli për teatrin dhe kinematografinë shqiptare
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar veprën e Besa Imamit, gur themeli për teatrin dhe kinematografinë shqiptare. Ndërsa ka bërë homazhe në nderim të artistes së merituar, Basha tha se ndarja nga jeta e Besa Imami është një humbje për të gjithë artdashësit.
 
“Bashkë me bashkëshorten time Aurela, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, në veçanti djalit të aktores së madhe, Artur Zhejit, mikut tonë, të gjithë artdashësve anembanë, të cilët sot janë të hidhëruar nga ndarja nga kjo jetë e artistes së madhe por që jam i sigurt që sot dhe ndër vite dhe ndër dekada do të festojnë përherë kujtimin e saj përmes veprës së saj të pavdekshme, një gur themeli për teatrin dhe kinematografinë shqiptare të së sotmes dhe së nesërmes”, thuhet në deklaratën e Bashës. 
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin Librazhd- Prrenjas, trajleri del nga rruga, s'ka të lënduar

Aksident në aksin Librazhd- Prrenjas, trajleri del nga rruga, s'ka të lënduar