SARANDË- Policia e Sarandës ka arrestuar pronarin e lokalit të natës ‘Orange’, Spiro Iljadhi ku rreth një muaj më parë ndërroi jetë si pasojë e një aksidenti fatal në punë, kamerieri 17-vjeçar, Antonio Delilaj. Ai akuzohet për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë dhe i është caktuar masa arrest me burg.
Që prej mbrëmjes tragjike të 26 gushtit, pronari Spiro Iljadhi ishte në kërkim. Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 01:15 të 26 gushtit në lokalin e Iljadhit. Nga hetimet ka rezultuar se Antonio Delilaj po merrte disa koli me ujë nga bodrumi për tek bari dhe ndodhej brenda ashensorit kur është këputur njëra prej kavove. Goditja e fortë në kokë i ka shkaktuar vdekje të menjëhershme. Adoleshenti ishte nga fshati Qafë-Gjashtë i Sarandës.
Kush është Spiro iljadhi:
Spiro Iljadhi njihet si biznesmen në zonë dhe është pronar i lokalit mjaft të frekuentuar 'Orange" në Sarandë, që njihet dhe si vendi i festës së natës që frekuentohet nga shumë të rinj dhe ka të ftuar special këngëtarët më të njohur në vend. Ndërkohë ai rezulton pronar edhe i Orange Pizza & Grill Lounge" në Ksamil. Iljadhi njihej gjithashtu edhe me emrin Ermal Iljazi, ndërsa shkurt thirrej 'Ero'. Më 20 qershor të vitit 2021, Spiro Iljadhi mbeti i plagosur afër lokalit të tij, pasi u qëllua me breshëri automatiku nga 3 persona, vëllezërit Andrea dhe Visi Caushi dhe shoku i tyre Redjan Hadëri.