Vdekja e paralajmëruar
e  Skënder Haskos

Vdekja e paralajmëruar<br />e  Skënder Haskos
Vdekja e tij mësohet të ketë qenë e paralajmëruar, një vit më parë pas largimit nga jeta të gruas së tij të dashur Shanies, e cila vuajti nga një sëmundje e rëndë. Skënder Hasko, shkrimtari i mirënjohur i fëmijëve, u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare, dje më 5 shkurt 2013. Largimi i bashkëshortes nga jeta e pikëlloi aq shumë Skënderin sa në librin e tij “Me iku gjysma ime”, me dedikimin: Shanos, ka një “premtim” drithërues, “tani po pret t’i vete pranë dhe unë po përgatitem...”.

 Është një dashuri e përjetshme, të cilën Skënder Hasko nxitoi ta përjetësojë në faqet e librit shkruar në vitin e fundit të jetës së tij. Sapo mbushi një vit nga vdekja e bashkëshortes, ai “mban fjalën” dhe tashmë do të shkojë pranë saj, pas ceremonisë së varrimit që do të zhvillohet sot në orën 12.30 në Dukat të Vlorës. Skënder Hasko është nga ajo racë e shkrimtarëve që për fatin e keq të fëmijëve tanë po rrallohen. Ajo, që e bën të papërsëritshëm është krijimtaria e bollshme letrare, me një problematikë të gjerë e të larmishme, e cila përçon mesazhe të fuqishme e me vlera të mëdha gjithëpërfshirëse. Libri i tij i parë është “S’jam i vogël”, botuar në vitin 1971.”

Qysh atëherë,shkruan Skënderi në kujtimet e tij,“më hyri krimbi”. Ndaj kurrë s’kam pushuar së shkruari ,natë e ditë”. Gjatë gjithë periudhës. Skënder Hasko ka botuar 7 romane për fëmijë e të rritur,1 vëllim me përralla, 2 poema, 6 pjesë për Teatrin e Kukullave; 14 drama, komedi e radiograma,si dhe 2 skenarë filmash për fëmijë. Shumica e librave të tij është ribotuar disa here, jashtë dhe brenda vendit. Ndërsa disa prej tyre janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës, si rusisht ,greqisht etj. 14 vepra të tij janë nderuar me çmime kombëtare, si: ”La Fonteni”,”Viktor Eftimiu”, “Xhani Rodani”,”Tasim Gjokutaj”. Njëzet vjet më parë, shkrimtari Skënder Hasko do të bëhej i famshëm me librin për fëmijë, ”Një gjeneral kapet rob”, i cili, në Konkursin Kombëtar, u vlerësua me çmimin e parë .

Ndërsa më vonë ai u bë film, po me të njëjtin titull. Kurse me romanin për fëmijë, ”Gjashtë muaj nga jeta e Besianit”, u nderua me çmimin ”Libri më i mirë për fëmijë, i vitit 2005”. Për fëmijët ai i lëvroi të gjitha gjnitë, shkroi romanet “Të burgosurat e Xhuxhumit”, Sh.B. “Toena”-1997; “ “Dimri iku duke qarë”, Novela si “Çimi dhe roboti budalla”, etj, etj. Të shkruash një arsenal kaq të madh librash cilësorë, kërkohet jo vetëm talent, por edhe sakrifica e përkushtim, pasion e durim. “Shqiptarja.com” boton sot pjesë nga libri “Më iku gjysma ime”, duke zbuluar dashurinë dhe përjetimet në vitin e fundit të jetës së shkrimtarit të mirënjohur Skënder Hasko.

Skënder Hasko: “Me iku gjysma ime”


“Ja që tek ne trokiti dhe një e keqe tjetër. Jemi në mesin e Nëntorit të vitit 2010. Shania kishte kollë dhe bëri skopi. I doli një pikë në mushkërinë e djathtë. Nga meraku bëmë grafi dhe skaner tek klinika greke pranë Medresesë dhe për fat të keq doli se kishte kancer. Mos më keq. Jam vrarë shpirtërisht, sa nuk e them dot me fjalë. Qaj fshehurazi. Qan burri, do të thoni ju. Po nuk qave për njerëzit e tu më të afërt e më të dashur, për atë me të cilin ose të cilën ke përzier gjakun te fëmijët e tu, për kë do qash? Turp është të mos qash e jo të qash. Oh, mos zëntë njeri një e keqe e tillë...

Ky qe fati im

Ah ky fati, çfarë fati,
fshehtas për fyti më kapi
më shtriu më shkel me këmbë
Ma kafshon jetën me dhëmbë
Ma mbushi zemrën me plagë
Vit pas viti nga një vragë.

Shpirti vuan përpëlitet
Fati i keq nuk po më shqitet

31 gusht 2011


Pra e dinim se vdekja vinte vërdallë në shtëpi, me kosore në dorë, e gatshme të gëlltiste jetën e Shanes, ashtu siç kishte kositur miliona e miliona jetë të tjerë më parë, por shpresonin që të vonohej sa më shumë. Por ajo shtrigë nuk duroi. Pasi e torturoi dhe e katandisi si mos më keq, e mori me vete. Nga sëmundja Shania u tkurr e tkurr fizikisht sa nuk e përshkruaj dot me fjalë. Ajo tkurrej fizikisht, ne tkurreshim shpirtërisht. S’kishim si ta ndihmonim. “Ndihma” jonë ishin lotët që binin mbi trupin e saj. Dhimbjet e Shanes kanë mbetur në shpirtin tim. Më mbylli shtëpinë dhe fluturoi. Zemra i pushoi në 8 janar 2012, ora shtatë pa pesë e mëngjesit. Tani po pret t’i vete pranë dhe unë po përgatitem.

Kjo jeta jonë

Në lak
(kur nisi dashuria jonë)
Ç’më cicërin një zogë në vesh
Me frymë e zë më guxhulin
Pa qeshem unë dhe ajo qesh
Si engjëllushkë më kukuris

Unë nga gëzimi sa s’fluturoj
Se shpirt e zemër më ndizen flakë
Nga zoga s’di se ç’të kërkoj
ndjehem si zog i zënë në lak….”




Biografia

Skënder Hasko u lind në 2 mars 1936 në Dukat të Vlorës. Punoi mësues në Dukat nga viti 1953 deri më 1955, kur u thirr për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Flotën Luftarake Detare. Në fund të vitit 1958 u lirua dhe kreu një kurs për mekanik në Kuçovë dhe punoi në Uzinën Mekanike të Naftës të atij qyteti, deri sa u mor si aktor profesionist në Estradën Profesioniste të Beratit dhe, në të njëjtën kohë, vazhdoi shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” për aktor.

Në vitet 1970-1974 vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Tiranë, në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, degën e gazetarisë dhe u diplomua gazetar. Pas mbarimit të studimeve punoi gazetar-redaktor në revistën satiro-humoristike “Hosteni”, shef i botimeve Teatër-Estradë në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore. Ndërkohë mbaroi Kursin e Lartë për Ekonomi Politike. Në vitin 1976 u emërua Kryeredaktor i revistës për fëmijë ”Pionieri” ku qëndroi deri në vitin 1990, vit në të cilin e emërua Drejtor i Teatrit Kombëtar të Fëmijëve, ku doli edhe në pension. Ka dhënë kontribut në prozë, poezi, dramaturgji dhe kinematografi.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 6 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ ‘Darka e fundit’ në Olimpikë, organizatorët kërkojnë falje! Thyhet rekordi i Tokios, 191 atletë pjesë e LGBTQ

Paris 2024/ ‘Darka e fundit’ në Olimpikë, organizatorët kërkojnë falje! Thyhet rekordi i Tokios, 191 atletë pjesë e LGBTQ