Vdekja e të arrestuarit për vjedhje, Jani Rustemaj, Prokuroria e Tiranës nis hetimet! Familja shkon me makinën e funeralit për protestë te ministria e Drejtësisë

TIRANË- Pak ditë nga vdekja e Jani Rustemajt, 27-vjeçari i cili mbeti viktimë pak ditë më parë pas gjendjes së tij në koma, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet.

Burime nga organi i akuzës i kryeqytetit kane konfirmuar për Report TV regjistrimin e procedimit pas një referimi te ardhur nga AMP. 27 vjeçari humbi jetën te shtunën pas qëndrimit ne koma për afro dy javësh. Gjendja e tij u përkeqësua pas qëndrimit në paraburgim, ai u shoqërua drejt spitalit të burgut dhe përfundoi në gjendje kome. Ajo çka e bëri ngjarjen të dyshimtë ishte fakti që rasti u zbulua pas denoncimit të së ëmës në media. Për këtë ngjarje policia fillimisht nuk kishte nisur një komunikatë publike.

Teksa po e dërgonin për në banesën e fundit, familja me makinë funerali u ndal për disa minuta për të protestuar te Ministria e Drejtësisë. Protesta që nisi rreth orës 15:30 vetëm pak minuta dhe familjarët që kërkuan drejtësi pretendojnë se i riu kishte shenja dhune në pjesën e veshit që thonë se e kishte të nxirë dhe dhëmbin e thyer. 

Vdekja e 27-vjeçarit ndodhi pas arrestimit të tij më 13 prill ndërkohë që tri ditë më vonë ai u dërgua në spital. Në një raport të Komitetit Shqiptar të Helsinkit thuhet se brenda Bllokut të Sigurisë i është dhënë sasia prej 40 mg në ditë, çdo 24 orë, në tre ditë, gjatë kohës që ka qenë i akomoduar aty, konform praktikës së bashkëpunimit me qendrën Aksion Plus, u trajtohej para se të arrestohej për vjedhje.

Por çfarë ndodhi që e çoi të riun në këtë gjendje?
Jani Rustemaj u arrestua më 13 prill. Sipas policisë së Tiranës, më 14 prill, gjatë qëndrimit në bllokun e sigurisë në rrugën “Mine Peza” ka shfaqur probleme shëndetësore. Është njoftuar shërbimi i emergjencës mjekësore, - thotë policia - të cilët janë paraqitur në ambientet e Bllokut të Sigurisë dhe pas ndihmës mjekësore të dhënë, gjendja e tij është përmirësuar”.

Sipas kartelës mjekësore të riut i është dhënë metadon për qetësim, pasi prej varësisë nga heroina ka nisur të ndihet keq. Një ditë pasi dyshohet të ketë pirë metadon, më 15 prill Jani Rustemaj është dërguar në gjykatë, ku pavarësisht gjendjes shëndetësore që kishte kaluar, togat e zeza i vendosën masën e sigurimit personal të arrestit me burg. Më 16 prill, 27-vjeçari është dërguar në paraburgim te 313-a, por autoritetet e burgut, “nuk kanë pranuar që ta marrin në dorëzim - thotë zyrtarisht policia- për shkak të mbingarkesës në këtë institucion dhe në këto kushte ai është rikthyer dhe vendosur përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë”. Më 17 prill i riu i arrestuar ka shfaqur përsëri shqetësime shëndetësore dhe pas ardhjes së emergjencës shëndetësore është transportuar në spitalin "Nënë Tereza", ku ndodhej në gjendje kome derisa ndërroi jetë sot ditën e sotme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:53
Protesta për Jani Rustemajn: Duam drejtësi për djalin, kishte dhëmbin e thyer dhe veshin e nxirë! Nuk na linin ta shihnim në spital

 

Familjarë të 27-vjeçarit Jani Rustemaj kanë dalë për të protestuar para Ministrisë së Drejtësisë për të riun që ndërroi jetë pasi qëndroi 1 muaj në koma. Ai ishte i arrestuar për vjedhjen e një tapeti e një palë atleteje kur u arrestua dhe përfundoi në spital. I riu njihej si përdorues droge dhe mjekët dyshohet se i kanë dhënë overdozë metadon për qetësim.

Familjarët shprehen se kur ishin në spital, nuk e lejonin që të shihnin djalin dhe pasi ka ndërruar jetë pretendojnë se kanë vënë re shenja dhune në trupin e tij.

“Kontrollova djalin dhe ka pasur dhëmbin e thyer dhe pjesën e veshit të nxirë. Në Spital nuk na lejonin ta shikojmë.

Nuk e dimë se s’na lejonin ta shohim. Do të vazhdojmë protestat dhe do të kërkojmë të drejtën kudo.

Policia nuk ka të drejtë të prekë një njeri me dorë. Çfarëdolloj krimi të kenë bërë. Askush s’ka të drejtë të dhunojë askënd”, thanë familjarët e të riut.

G.MO/KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

 Fundjavë me shi e borë, vijon dhe i ftohti! Parashikimi i motit

Fundjavë me shi e borë, vijon dhe i ftohti! Parashikimi i motit