Ka ose jo elementë helmues në ujin e pishinës ku humbën jetën katër turistët rusë, do të analizohet edhe nga një laborator privat i akredituar në vend. Më herët, analizat dhe mostra uji iu dërguan Institutit të Shëndetit Publik i cili ia ktheu pas prokurorisë pasi nuk ishin marrë në formën e kërkuar nga ligji.

E kontaktuar nga Report Tv Prokuroria e Përgjithshme e cila po koordinon hetimet me prokurorinë e Kavajës dhe palën ruse sqaroi se të njëjtat mostra uji janë dërguar edhe në një laborator privat të akredituar ndërkombëtarisht me seli në Tiranë.

Trupat e pajetë të turistëve tashmë janë dërguar në Rusi ndërsa ekspertiza paraprake e Mjeksisë Ligjore nxori si shkak helmimin, pa përcaktuar se nga çfarë lënde apo ku ishte prania e tij në ujin e pishinës apo mbetjet ushqimore. 

Ndërkohë sipas Top Channel, Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar mjekësisë ligjore informacion të përshpejtuar mbi shkaqet e vdekjes së katër turistëve rusë. Top Channel shkruan se policia shkencore nuk ka arritur që të hapë aparatet celularë të rusëve për të mësuar bisedat që ata kanë bërë, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e shkakut të vdekjes. Sakaq, sipas tyre pritet që grupi hetimor t’i drejtohet për ekspertizën laboratorëve të huaj,Izraelit apo laboratorëve të tjerë jashtë vendit.

Sot bëhne 10 ditë nga gjetja e 4 rusëve të vdekur në hotel ‘Gloria’ në Kavajë. Trupat e tyre janë tërhequr nga djali i familjes nga morgu i Tiranës. Ka qenë djali i familje, Aleksandër Burenkov, i cili ka tërhequr trupat e prindërve të tij Nataliia Burenkova, 58 vjeçe dhe Sergei Burenkova, 60 vjeç, si dhe të motrës Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dhe partnerit të saj Nikita Belousov, 37 vjeç.

Në një reagim në mediat sociale, ambasada Ruse tha  se sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre.