Daniel Naroditsky, mjeshtër i madh amerikan i shahut, ka ndërruar jetë në moshën 29-vjeçare, duke tronditur komunitetin global të kësaj disipline sportive. Lajmi u bë i ditur nga “Charlotte Chess Center” ku ai stërvitej dhe punonte si trajner, sipas AP.
Në një deklaratë zyrtare, klubi i tij shprehu “hidhërim të thellë” për humbjen e një figure që “inspironte lojtarë në mbarë botën”.
“Daniel ishte një shahist i talentuar, komentator dhe edukator, i admiruar nga tifozët dhe lojtarët në çdo cep të globit”, thuhet në njoftim. Ndër figurat që shprehën ngushëllime ishte edhe mjeshtri i madh Hikaru Nakamura, aktualisht amerikani numër dy në botë, i cili shkroi në rrjetet sociale: “Jam i shkatërruar. Kjo është një humbje e madhe për botën e shahut.”
I lindur në Kaliforni nga prindër emigrantë hebrenj me origjinë nga Ukraina dhe Azerbajxhani, Naroditsky u bë i njohur që në fëmijëri si “kampion” i shahut, duke fituar kampionatin botëror nën 12 vjeç. Në moshën 18-vjeçare ai fitoi titullin “Grandmaster”, ndërsa paralelisht shkroi libra strategije dhe vazhdoi të ngjitej me shpejtësi në renditjet ndërkombëtare.
Gjatë karrierës, ai u rendit vazhdimisht mes 200 lojtarëve më të mirë në botë në shahun klasik, ndërsa në blitz u bë një nga emrat më të rrezikshëm të skenës, duke mbajtur shpesh një vend në 'Top 25'.
Përveç rezultateve në turne, Naroditsky u bë një nga zërat më të ndjekur të shahut modern. Me komentimet e tij të qarta dhe stilin e qetë në YouTube dhe Tuitch, ai i afroi lojës mijëra ndjekës të rinj. Shumë figura të njohura e vlerësuan rolin e tij në popullarizimin e shahut, duke e cilësuar si “frymëzues dhe edukator të rrallë.”
Komente









