Njeriu që qëndroi për 30 vite si hije pranë udhëheqësit komunist Enver Hoxha dhe që e ka mbrojtur atë nga atentatet e imagjinuara apo të vërteta duke kontrolluar deri ushqimin s’jeton më. Kështu, personi më i afërt i Enver Hoxhës për 30 vite, që u kujdes për sigurinë e tij, Sulo Gradeci, ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme, në moshën 93­vjeçare.

Komandanti i grupit të shoqërimit të Enver Hoxhës, zyrtarisht deri në vitin 1983, vdiq rreth orës 21:00 të mbrëmjes së dy ditëve më parë, gati 1 javë pasi kishte humbur dhe bashkëshorten e tij. Të njohur të familjes Gradeci konfirmuan për mediat vdekjen e njeriut që ishte për një kohë të gjatë edhe komandant i grupit të shoqërimit të udhëheqësve pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, duke konfirmuar në këtë mënyrë dhe vazhdimësinë në radhët e sigurimit të udhëheqjes komuniste të kohës.

Më 1991, ende pa ardhur në pushtet partia e parë opozitare ai është arrestuar, teksa qëndroi tre vite në burg për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” e “cënimit të Pasurisë shtetërore” apo siç janë cilësuar asokohe këto akuza, për kafet dhe vakitë.

Njëherësh pas rënies së diktaturës, përpos bërjes së tre viteve burg, Sulo Gradeci botoi një libër me kujtimet e tij dhe jetën pranë Enver Hoxhës, “mitit” e “udhëheqësit shpirtëror”, siç e cilësonte ai. Një nga njerëzit që ka punuar më gjatë me Enver Hoxhën, të paktën për 30 vjet me radhë, ka qenë vetë ish­shefi i Sigurimit të tij, Sulo Gradeci. Të paktën që prej vitit 1956 ai është ngarkuar me detyrën e sigurimit të jetës së Enver Hoxhës, duke mos iu ndarë deri në ndarjet e diktatorit nga jeta në vitin 1985.

Ai ka qenë pjesëmarrës në luftën nacional-çlirimtare ku dhe u njoh me Enver Hoxhën, ndërsa më pas ka mbaruar shkollën e lartë të sigurimit të Bashkimin Sovjetik. Gradeci kujton se me Enver Hoxhën njihej qysh prej demonstratës së madhe të 28 nëntorit ‘41.

Ndërsa takimi i parë i tyre do të ndodhte në marsin i vitin 1944, pasi Sulo ishte inkuadruar si partizan në Çetën e Skraparit. Nga duart e Sulo Gradecit kanë dalë 45 mijë fotografi ku është fiksuar Enver Hoxha në të gjitha aktivitetet e tij, politike, shoqërore e familjare. Gjithashtu, Sulo Gradeci ka fokusuar mbi shiritin elektronik të kamerës, të paktën 50 orë film nga jeta dhe veprimtaritë e Enver Hoxhës. Por Gradeci ka ruajtur si të shtrenjta, të paktën 2000 fletë ditari, ku janë përshkruar qindra detaje nga jeta në shërbim të udhëheqësit komunist.

Sulo Gradeci, 30 vite shoqërues i Hoxhës, më 1991 bëri 3 vite burg
Qëndroi i heshtur pas rënies së komunizmit, larg mediave e i harruar. Bëri një libër
 
Sulo Gradeci, njeriu që ka shoqëruar personalisht për 30 vite me radhë Enver Hoxhën ishte ish-partizan dhe detyrën ia komunikoi Hysni Kapo. Në të gjitha rastet ka qenë pranë ish-diktatorit deri në vdekjen e tij. Më pas komandant i shoqërimit të udhëheqjes, më 1991 arrestohet dhe dënohet me tre vite burg. Qëndroi larg medias dhe botoi një libër për 30 vitet e qëndrimit pranë Enver Hoxhës.
 
Kush ishte Sulo Gradeci dhe sa vite qëndroi në ruajtje të Hoxhës?
Një nga njerëzit që ka punuar më gjatë me Enver Hoxhën, të paktën për 30 vjet me radhë, është ish-shefi i Sigurimit të tij, Sulo Gradeci. Të paktën që prej 1956 ai është ngarkuar me detyrën e sigurimit të jetës së Enver Hoxhës. Por Gradeci kujton se me Enver Hoxhën njihej qysh prej demonstratës së 28 nëntorit 1941. Ndërsa takimi i parë i tyre do të ndodhte në mars 1944, pasi Sulo ishte inkuadruar si partizan në Çetën e Skraparit.
 
Nga kush mori detyrën e njeriut që do ruante ish-diktatorin...?
Ka qënë numri dy i PPSH Hysni Kapo ai që e ka thirrur në zyrë ku i ka thënë se “Partia ka menduar të të ngarkojë një detyrë të rëndësishme e delikate…”. Dhe Sulo ka treguar gatishmërinë e plotë për të siguruar jetën e Enver Hoxhës, duke u shprehur pas vitesh se një gjë e tillë ishte dhe ëndrra e tij e vjetër. Që prej asaj kohe, ai u vu në krye të shërbimit që përgjigjej drejtpërsëdrejti për jetën e numrit një të shtetit shqiptar. Dhe këtë detyrë e ka kryer më së miri për 30 vjet më radhë.
 
Deri ku arrinte kontrolli nga Gradeci...?
Vetë Gradeci ka thënë se jeta e udhëheqësit nuk mbrohet e nuk sigurohet vetëm nga efektshmëria e lartë e shërbimit të rojës, e shërbimit të ushqimit, të veshmbathjes etj., por mbrohet në çdo sekondë e për gjithçka, duke filluar nga gjërat më të zakonshme. Kështu për shembull, ai kishte zakon të zgjohej herët në mëngjes dhe gjëja e parë që kërkonte, bashkë me kafen ose qumështin, ishte shtypi i përditshëm e ai periodik. Ai e dinte mirë se cila gazetë e revistë duhet të vinte atë ditë, cila nesër e pasnesër.
 
Si kryhej shërbimi roje pranë Enver Hoxhës...?
Pas infarktit të 1973, jeta e Enver Hoxhës ishte vazhdimisht në një rrezik, që ishte çmuar edhe nga mjekët specialistë. Një gjë e tillë, pas shumë vitesh konfirmohej nga ish-shefi i Sigurimit, Sulo Gradeci. Në kushtet problematike për shëndetin Sekretarit të Parë, e për të qenë sa më pranë tij, Komiteti Qendror, jo vetëm miratoi krijimin e një grupi pune me mjekë specialistë, por nga strukturat përkatëse është vendosur që të ketë edhe një shërbim mjekësor roje prej 24 orësh. Ky shërbim ka ekzistuar për më shumë se 12 vjet rresht, deri ditën e vdekjes së Enver Hoxhës.
 
Si vijoi jeta e Sulo Gradecit pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe pas rrëzimit të komunizmit...?
Sulo Gradeci pas vdekjes së ish-diktatorit komunist Enver Hoxha nuk u largua nga grupi i shoqërimit të udhëheqjes së asaj kohe. Ai shërbeu si komandat i grupit të shoqërimit të ish-udhëheqjes komuniste derisa u rrëzua diktatura në vitin 1991. Pikërisht në atë vit Sulo Gradeci arrestohet dhe akuzohet për shpërdorim detyre, duke vuajtur dhe tre vite burg. Me daljen e tij nga burgu ai ruajti një profil të heshtur duke mos dalë në në media dhe duke u marrë vetëm me sistemimin e kujtimeve të tij, të përmbledhura në një libër të botuar për tërë periudhën e tij të qëndrimit pranë udhëheqësit komunist Enver Hoxha.
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)