Në mesin e 290 viktimave të regjistruara nga tërmeti tragjik në Italinë Qendrore ështe edhe Erjon Toro. Trupi i pajetë i viktimës ka mbërritur mëngjesin e kësaj të diele në Shqipëri. Trageti i linjës Brindizi-Vlorë u ankurua në port rreth orës 08:30 minuta. Ai u nis nga porti i Brindizit mbrëmjen e ditës së shtunë. 

Trupi i emigrantit u prit nga familjarët dhe miqtë e tij, ndërsa shpenzimet për kthimin në atdhe janë mbuluar nga qeveria shqiptare. Me mbërritjen e tragetit dhe trupit të 34 vjeçarit familjarët e të ndjerit kanë hyrë në ambientet e tragetit ku ndodhej dhe trupi.

Mes dhimbjesh dhe lotësh familjarët, ata që jetojnë në Shqipëri dhe ata që shoqëruan trupin nga Italia kanë ngushëlluar njëri-tjetrin.

Pëllumb Toro, xhaxhai i emigrantit 33-vjeçar Erjon Toro, ka falenderuar autoritetet për përshpejtimin e procedurave në sjelljen e trupit në Shqipëri. Ai tha se ky është lehtësim për familjen e Erjonit, të cilët u përballën me dhimbjen e madhe të humbjes së djalit të vetëm.
 
"Do them vetë dy fjalë për të falënderuar autoritetet. Falenderojmë shtetin shqiptar, ambasadën shqiptare në Romë dhe Kryeministrin që përshpejtuan procedurat. Kjo na lehtësoi dhimbjen.

Tani për ne fillon dhimbja e dytë", u shpreh Pëllumb Toro.

Arkivoli me trupin e pajetë të emigrantit u përcoll për në vendlindjen e tij, në fshatin Kurjan të Roskovecit, Fier. Një eskortë policie shoqëroi makinën mortore me trupin e pajetë të Erjon Toros.

Emigranti 33-vjeçar do të përcillet nesër në oren 13:00 për në banesën e fundit. 





trupi i pajete i toros ne fier

Emigranti nga fshati Kurjan i Fierit jetonte prej disa vitesh në Amatrice në Itali. Gruaja dhe dy vajzat e mitura të Toros arritën të dilnin nga banesa, ndërsa trupi i Erjonit ngeli mes rrënojave.
 
Erjon Toro ka emigruar në Itali që në moshën 18 vjeçare dhe që në fillim u vendos në qytezën Amatrice. Vitet e fundit ai punonte në ndërtim dhe njihej në zonë si një djalë i qetë dhe i respektueshëm. Erioni ishte djali i vetëm i familjes Toro. Ai kishte tre motra, dy prej të cilave emigrantë në Greqi, ndërsa prindërit e moshuar jetojnë vetëm në Fier.

Pas kërkesave të familjarëve për kthimin sa më parë të trupit të pajetë të djalit të tyre në Shqipëri, për ta përcjellë atë për në banesën e fundit  qeveria shqiptare u zotua se do të mbulonte shpenzimet e kthimit të trupit të 33-vjeçarit në Shqipëri.