Veçori dhe ngjashmëri tranzicionesh

Veçori dhe ngjashmëri tranzicionesh
Tranzicionet, kudo dhe kurdo që ndodhin, mbajnë të njëjtin emër, sepse ngjajnë në karakteristikat themelore të ndryshimit që synojnë, por edhe në mundësitë që krijojnë për realizimin e tyre. Të ndodhura në kohë, në vende e për arsye të ndryshme, tranzicionet natyrshëm bartin individualitete, specifika e veçori.

Dihet dhe është historikisht i gjithëpranuar dallimi në mes tranzicionit britanik dhe atij francez për kalimin nga monarkia absolute në demokraci. Siç dihet edhe vështirësia e krahasimit  të procesit të kalimit nga sistemi diktatorial në atë demokratik, edhe mes Hungarisë e Çekisë me Shqipërinë. Është vështirë të krahasohen, se, megjithëse në fillesat e tranzicionit janë gati të njëjta në kohë, vendet e sipërpërmendura kanë vite të anëtarësuara në BE, ndërkohë që Republika e Shqipërisë vazhdon të jetë në tranzicion.

I theksova dallimet mes tranzicioneve për të nxjerrë në pah disa veçori dhe ngjashmëri tranzicionesh aktualisht në Shqipëri dhe Kosovë. Në orën apo kohën historike, 10 vjet kalendarikë, diferencat mes ngjarjeve të mëdha janë të papërfillshme. Ndryshimet në Republikën e Shqipërisë filluan në fillimet e 90-tës, kurse në Kosovë, për rrethana tashmë të njohura, në fillimin e 2000-tës. Kjo është distancë kohore në rrafshin ndryshimor, por e barasvlershme: Shqipëria filloi ndryshimin nga monizmi komunist në demokraci, kurse Kosova nga çlirimi kombëtar, në krijimin dhe strukturimin e shtetit drejt demokracisë.

Fillesat dhe mundësitë e tranzicionit drejt demokracisë në Republikën e Kosovës janë të ndryshme nga ato të Shqipërisë. Kosova, ish kolonia e vetme dhe e fundit evropiane në shekullin XX, fitoi pavarësinë, me përpjekjet, luftën, sakrificat e gjakun e derdhur të bijve të vet dhe më ndërhyrjen humane e vendimtare të NATO-s, më 1999. Ajo u çlirua nga Serbia, por shtet i pavarur u shpall vite më vonë dhe ende nuk është anëtare e OKB-së, OSBE-së etj. Është shtet që ende nuk i ka të përcaktuara kufijtë shtetërorë me fqinjët, madje as detyrimet, pasuritë dhe pronat me ta. Shteti i pavarur i Kosovës, i njohur si i tillë nga mbi 100 shtete të Globit, ende është nën monitorimin e strukturave të posaçme ndërkombëtare, të pranishme dhe vepruese në territorin e saj (EULEX-i, KFOR-i etj).

Kosova, e cilësuar ligjërisht si shtet multietnik, ka një pluripartizëm tejet të zhvilluar. Ka të regjistruara aq shumë parti saqë është gati e pamundur të gjendet një qytetar i saj që të dijë numrin dhe emrat e të gjitha partive. Partitë më me emër e më me peshë të shqiptarëve kanë kaluar edhe nëpër procesin e fraksionimit, duke lind parti të tjera, dhe ky proces nuk mund të konsiderohet i mbyllur. Partitë e pakicave, posaçërisht të etnitetit serb (Lista serbe), të cilave ligji ynë themeltar (Kushtetuta) iu rezervon vende në Kuvend, nuk shfaqen të interesuara dhe vepruese për t’i kontribuar konsolidimit të shtetit dhe demokracisë në Kosovë. Dihet se një shtet në fillimet e tij domosdoshmërisht do të shikojë dhe do të mësojë nga të rriturit. Shqipëria, sa hapi portat e demokracisë, pa dhe u përpoq të bëjë të vetat përvojat nga shtete të BE-së dhe SHBA-ja.

Ndërkaq ne, shteti i sapokrijuar i Kosovës, në rrugëtimin tonë për konsolidimin dhe orientimin demokratik patëm më të afërt, më të besueshëm dhe më të ngjashëm për arsye historike, etnike, politike, social-psikologjike procesin e përjetuar nga Shqipëria. Por, shteti demokratik në Shqipëri ishte vetë në hapat e parë të fëmijërisë, i moshës së hapur ndaj “viruseve”, “epidemive” dhe përballjes me veset. Shqipëria e tranzicionit përjetoi, para çlirimit tonë, vjedhjen e votave më 1996-n, kaosin shkatërrues të 1997-tës. Kosova duke u ndjerë edhe borxhli për mbështetjen dhe ndihmën e Shqipërisë në dhjetëra vjeçarë u përpoq të përvetësojë e zbatojë ecurinë faktike të shtetit demokratik Shqiptar. Por shteti ynë, si simbol material dhe veprues i politikës sonë, mësoi nga përvoja e shtetit të Shqipërisë jo më të mirat e përcjella nga jetësimi i saj. Po bëj disa konstatime, natyrisht të diskutueshme. Mësuam nga Republika e Shqipërisë: Së pari, krijimin dhe funksionimin e pluralizmit. Bëmë shumë parti dhe i identifikuam ato me emrat e krijuesve.

Së dyti, mekanizmin zgjedhor, numërimin e votës, nxjerrjen e rezultateve përfundimtare të votimeve dhe “zhvlerësimin” partiak e mediatik të këtij rezultati.

Së treti, raportet shumicë-pakicë; tensionimin jo rrallë të tyre, mbi motive jobindëse dhe krijimin e përplasjeve të pamotivuara dhe të dëmshme për shtetin dhe mbarë vendin.

Së katërti, përdorimin e mjeteve të njohura dhe të gjithëpranuara demokratike të protestës jashtë institucioneve, duke tejkaluar kufijtë e lirisë, pa konsumuar hapësirat e veprimit demokratik në rrugë institucionale.

Së pesti, korrupsionin e niveleve të larta të piramidës shtetërore. Edhe në testimet më të fundit ndërkombëtare për nivelin e korrupsionit në shtete të ndryshme të botës, Shqipëria dhe Kosova renditen pranë njëra-tjetrës. Megjithatë bashkëpunimi ndërqeveritar mes dy shteteve është i nevojshëm, madje i domosdoshëm. Mbarësisë së shqiptarëve, kudo ku gjallojnë, jetojnë dhe ndihen në shtëpitë dhe trojet e tyre iu shërben përzgjedhja e një modeli të pranuar e merituar bashkërisht për të ndërtuar e konsoliduar shtetet përkatëse demokratike.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?