Kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj gjatë takimit me banorët e Njësive 1, 2 dhe 3 në kryeqytet, ftoi demokratët që të mendojnë për familjet e tyre dhe të bashkohen me ata që bëjnë vetëm punë dhe e çojnë vendin përpara. Ai tha se tashmë demokratët e kanë kuptuar që nuk duhet të shqetësohen për hallin e Saliut ‘non-grata’ dhe të Metës, që është fuksi i lagjes.
“Sali Berisha nuk shkon dot deri në Rinas sepse ka një hall të madh. Është ‘non-grata’. Pyetja për demokratët është: Pse halli i Saliut duhet të jetë halli yt? Ilir Meta ka gjithashtu një hall të madh. Ilir Meta sot është spiun i sigurimit, fuksi lagjes, 20-lekëshi që shkonte spiunonte shokët kush shikonte televizionet e huaja, kush shante te radha e qumështit e mishit aty te Lumja, kush ishte te tolloni dhe ankohej. Është bashkuar sigurimsi, fuksi i lagjes, me një ish-komunist të diskretituar dhe janë sot në hall. Për demokratët thirrja është: Mendo për hallet e tua. Ilir Meta me Saliun shkojnë në Gjirin e Lalzit çdo natë, nuk kanë hallet tona. Kur ishte hera e fundit që e patë Saliun te një çerdhe, te një kopësht, te një shkollë? Kur ishte hera e fundit që e patë Ilir Metën te një çerdhe, te një kopësht, te një shkollë?”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku tha se kundërshtarët politikë kanë një muaj që zihen me artistët, sepse këta të fundit i kanë braktisur.
“Kanë një vit që zihen me Amerikën, kanë një muaj që zihen me pemët dhe kanë një javë që zihen me artistët sepse i kanë braktisur të gjithë. I dëgjova kur po thoshin për shkollat: “Ndërtohen me 60 euro m2 në Europë”, thanë, “këto shkollat si shkolla ‘Kosova’, ‘Sami Frashëri’, qenkan shumë të shtrenjta”. Unë ju bëra një propozim: “Nëse bëhen me 60 euro metri katrorë, na i shisni vilat në Lalz për 60 euro metri katrorë, t’i blejmë që të çojmë aty gjyshërit, gjyshet, fëmijët, ata që kanë nevoja sociale, t’i përdorim për banesa sociale”. Por, vilat e tyre ata nuk i shesin, vilat e tyre ata nuk i ndërrojnë, vilat e tyre ata i shijojnë sepse Shqipëria ju ka dhënë atyre gjëra që ne të tjerëve nuk na i ka dhënë. I ka bërë presidentë, i ka bërë kryeministra, i ka pasur tërë jetën deputetë. Shqipërisë ata i kanë marrë gjithçka pa i dhënë asgjë. Ndërkohë, ky komunitet i ka dhënë Shqipërisë gjithçka, dashuri, pasion, punë, ndaj dhe familja jonë është e madhe dhe ka vendosur që të ecë përpara”, u shpreh ai.
Mandej, shtoi se në këtë fushatë po diskutohet për ide dhe jo për dy parti apo dy logo të ndryshme.
“Sot nuk diskutohen dy parti, nuk diskutohen dy logo, nuk diskutohen dy numra, diskutohen dy ide. Një ide që do të na çojë mbrapa dhe thotë i bëjmë luftë Amerikës, t’i hapim luftë 1 milion pemëve, t’i hapim luftë artistëve, dhe ka një forcë tjetër që thotë: Jo, ne e duam Amerikën, e duam Europën, i duam pemët, e duam artin dhe kulturën dhe ne duam që Tirana jonë të ecë vetëm përpara”, përfundoi Veliaj.