Veliaj: Demokratët që na janë bashkuar e kanë kuptuar se kush ka bërë 100 punë, do bëjë edhe 100 të tjera

Gjatë takimit me banorët e Njësisë 4 në kryeqytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kush ka bërë 100 punë, do bëjë edhe më shumë për qytetarët. Ai renditi disa prej investimeve që Bashkia e Tiranës ka bërë, duke rritur vlerën e pronës dhe duke lehtësuar sa më shumë qytetarët e saj, si në qendër, ashtu edhe në periferi. 

“Kush ka bërë 40 shkolla i bën edhe 5 shkollat e fundit të Astirit, kush ka bërë 100 rrugë e mbaron edhe gjithë Unazën e Madhe, kush ka bërë Pazarin e Ri, do ta hapë edhe Tregun e madh Agro Ushqimor, kush ka filluar të fusë kodimin nëpër shkolla, do të hapë edhe Piramidën për ta kthyer më qendrën më të madhe të të rinjve ku mësohet kodim. Ditët më të mira i kemi përpara. Kemi qenë këtu në ditët e vështira, në tërmet, në pandemi. Kemi shkuar derë më derë për të parë se kush ka nevojë për ndihmë, për një pako ushqimore, për një mjek. Po pala tjetër? E mbani mend kur vajtën rrethuan selinë e tyre? E patë se çfarë i bënë shtëpisë së tyre? Morën bomba molotov dhe dogjën selinë e tyre, morën shkopat e bejsbollit dhe çanë kafkat e njëri-tjetrit, morën shkopat e lopatave dhe ia bënë njëri-tjetrit kurrizin më të butë se barkun, morën qysqi dhe shqyen dyert e njëri-tjetrit. Imagjinoni çfarë i bëjnë shtëpisë së tyre, do mbrojnë këta shtëpinë tonë? Këta që djegin selinë e tyre, do na mbrojnë ne, çatitë tona? Ka vetëm një forcë, Partia Socialiste e Shqipërisë. Skuadra jonë, familja jonë, ekipi ynë, ndaj mos u gënjeni. Ja ku e kanë Shkodrën, le t’i bëjmë gjërat falas në Shkodër. Le t’i japin transportin, taksinë, avionët falas në Shkodër. Ju kujtohet projekti i fundit që kishte Saliu për Shkodrën? Tha aty do të bëj central elektrik bërthamor, që t’i hidhte në erë ata shkodranë që vazhdojnë dhe e votojnë. Kjo ishte oferta e tyre për Shkodrën. Ndërsa oferta jonë për Shkodrën, Tiranën dhe gjithë Shqipërinë është që të vazhdojmë përpara”, u shpreh Veliaj. 

Kandidati i PS-së për Tiranën tha se kundërshtarët politikë nuk lënë rast pa u justifikuar për gjëra që nuk i kanë bërë. Ai falenderoi demokratët që kanë zgjedhur t’i bashkohen Partisë Socialiste, sepse e kanë kuptuar që familja është gjëja më e rëndësishme. 

“Kam qenë disa herë në lagje dhe kam takuar shumë demokratë, të cilët ndoshta nuk janë gati të dalin në kamera, por janë gati të votojnë Partinë Socialiste sepse e kanë kuptuar që familja është gjëja më e rëndësishme. Për sa kohë në shkollë shkojnë fëmijë të majtë dhe të djathtë, te kopshti fëmijë të majtë dhe të djathë, te çerdhja fëmijë të majtë, fëmijë të djathtë, te rruga e re “5 Maji”, njerëz të majtë dhe të djathtë, te qendra jonë sociale gjyshe të majta, gjyshe të djathta, te institucionet e tjera që kemi bërë, në këtë zjarrfikëse, ndihmohen të majtë dhe të djathtë, e kemi kokën lart t’i shohim në sy dhe t’i themi: Eja në familjen tonë, bashkohu me ne, që të punojmë dhe të ecim përpara, të mos kthehemi më mbrapa”, tha ai. 

Veliaj nënvizoi faktin se në çdo zonë të Tiranës është rritur ndjeshëm vlera e pronës, falë investimeve dhe punëve të mira të Partisë Socialiste që e çojnë vendin përpara. 

“Ankohen kundërshtarët sot dhe thonë është rritur shumë vlera e pronës. Në 2011-n një shtëpi vlente 100, kurse në 2015 kur e la Luli bashkinë në gjumë, bashkë me atë tortën e Pavarësisë, shtëpia vajti nga 100 në 50. Ishte mirë apo ishte keq? Ishte shumë keq, për gjysmë çmimi të vlerës. Është shumë mirë rritja e vlerës së pronës se ku ka pastërti, ku ka ndriçim, ku ka zjarrfikëse, ku ka pastrim, ku ka çerdhe, ku ka kopsht, ku ka shkollë, ku ka park si ky këtu, ku ka pemë, rritet vlera e pronës për të gjithë, për të majtë dhe të djathtë. Imagjinoni kundërshtarët tanë vetëm duke ndejtur në shtëpi dhe duke sharë janë bërë më të pasur sepse ka shumë vlerë prona. Nëse sot në 2023-in, ne diskutojmë një gjë kaq të thjeshtë nëse do shkojmë mbrapsht dhe do kthehemi në luftë më Amerikën dhe me non gratat dhe me ‘Like Fuksin’, apo do shkojmë përpara me Amerikën, me Europën, me Edi Ramën dhe ata që punojnë, zgjidhja është shumë e qartë. Edhe një demokrat nuk shkon dot mbrapsht në shtëpi, shkon vetëm përpara”, përfundoi Veliaj.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Erik: 25/04/2023 20:30

    Po ik o palafik, te jane bashkuar demokratet ty. I ke joshur me favore dhe te jane afruar, por po aq dhe me shume ke larguar edhe nga ata socialiste e te majte qe i ke mashtruar. E ke bere bashkine cerdhe korrupsioni dhe paaftesie.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Në Siri po rindizet lufta civile, rebelët futen në Aleppo për herë të parë pas 8 vitesh

Në Siri po rindizet lufta civile, rebelët futen në Aleppo për herë të parë pas 8 vitesh