TIRANË, 19 Nëntor/ATSH/- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj tha të mërkurën se derdhja e kontributeve nga qytetarët është shumë e rëndësishme, ndaj i ftoi ata të përfitojnë nga amnistia e kamatëvonesave për të vetëpunësuarit në fshat. Por deputeti i komisionit të Ekonomisë, Përparim Spahiu kërkoi që pjesë e amnistisë të ishte edhe industria fason. "Falja e kamatvonesave, ështe kërkesë kryesore por që nuk u mor parasysh në paketën fason", tha Spahiu.
"Në bujqësi, falja e kamatvonesës dhe gjobës shkon në përfitim të vetë fermerit që e ka këtë detyrim. Kurse në rastin konkret falja e kamatvonesës apo e gjobës nuk shkonte direkt në përfitim të punëtorit fason, por vetëm të kompanisë. Diferenca edhe nga ana njerëzore është shumë e madhe", sqaroi ministri Veliaj.
Ndërsa kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, shprehu qendrimin kundër këtij propozimi, duke argumentuar se qeveria po favorizon biznesin fason, i cili po lulëzon vetëm me paratë e shtetit.
Duke folur në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ministri Veliaj shpjegoi se vitin tjetër do të shtohen përpjekjet për përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare të skemës së pensioneve, duke synuar uljen e subvencionit buxhetor.
Ministri theksoi se ka patur abuzime me personat në skemën e ndihmës ekonomike si dhe atë të personave me aftësi të kufizur.
Duke folur për sektorin e fasonit, Veliaj, informoi se për vitin tjetër qeveria ka krijuar një fond prej 4.5 milion dollarë për Fondin e Nxitjes së Punësimit, nga të cilat 2.5 milion vetëm për sektorin fason./a.gjonaj//m.m/