Veliaj dhe ambasadori i Izraelit, homazhe në Memorialin e Holokaustit në Tiranë, Kryebashkiaku: Koha të reflektojmë (VIDEO)

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të viktimave të Holokaustit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri thirrje për reflektim dhe për të lënë pas kulturën e urrejtjes, përçarjes dhe shpifjeve. Ai, së bashku me Ambasadorin e Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, vizitoi stendat me foto dhe fakte historike të ekspozuara pranë Memorialit të Holokaustit te kodrat e Liqenit, ku u shpreh se kjo është një ditë për të cilën Shqipëria krenohet, sepse është një nga vendet e rralla në botë që strehoi dhe shpëtoi hebrenjtë.

“Sot është dita kur e gjithë bota, jo vetëm Shqipëria, reflekton mbi Holokaustin. Përkujtojmë një nga ngjarjet më tragjike të historisë sonë njerëzore, shfarosjen e 6 milionë hebrenjve. Ajo që ndodhi në vitet 1941-‘45 nuk filloi në vitin 1933. Kultura e urrejtjes, e përçarjes, e shpifjes dhe e damkosjes së tjetrit kishte nisur kohë më parë. Por, edhe pse sot jemi larg tragjedive si gjenocidi, kultura e përçarjes, e shpifjes, e damkosjes dhe e urrejtjes kultivohet ende; ka ende njerëz që akuzojnë pa fakte”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se duhet të reflektojmë nga gabimet e së shkuarës dhe të ndahemi nga gjuha e urrejtjes. “Nuk ka rëndësi nëse je kryetar bashkie, ambasador, politikan etj., duhet të kuptojmë se ato që themi sot, vërtet nuk shkaktojnë gjenocid apo përplasje fizike, por në afatgjatë e helmojnë shoqërinë. Prandaj, është shumë e rëndësishme të mos i përsërisim gabimet, duhet të reflektojmë dhe të kuptojmë se, gabimet e së kaluarës, jo vetëm gjatë Holokaustit, por edhe me ngjizjen e gjuhës së urrejtjes dhe damkosjes së njerëzve për bindje ose etni, na çojnë në tragjedi të tilla”, deklaroi ai.

Veliaj solli shembullin e familjes Biçaku nga Qerrishta e Elbasanit, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore strehoi 26 hebrenj. “Holokaustin e shkaktoi ligësia, urrejtja dhe përçarja, por dashuria e ka fuqinë më të madhe. Familja Biçaku nuk ishte një familje pasanikësh, por zemrën e kishin të pasur. Ata kishin tjetër botëkuptim, pavarësisht se nuk ndanin të njëjtën fe me hebrenjtë që strehuan dhe shpëtuan. Shqiptarët e thjeshtë, kryesisht të besimit mysliman, hapën dyert për ta. E kjo tregon se fuqia e dashurisë e mund urrejtjen, fuqia e dritës e mund errësirën, fuqia e bashkimit e mund përçarjen”, shtoi ai.

Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler, nënvizoi se Shqipëria është një shtet model, i cili duhet ndjekur për veprat e mira. “Jemi krenarë që jemi këtu dhe ndiejmë detyrimin t’ia rrëfejmë gjithë botës historinë tuaj. Historia juaj nuk është vetëm një histori e së shkuarës, por i përket edhe së ardhmes, brezave që do të vijnë, dhe kjo është diçka unike dhe e pabesueshme. Si ambasador i Izraelit dhe përfaqësues i kombit hebre ju falenderoj për këtë, juve personalisht dhe popullin tuaj”, tha ai.

Kryebashkiaku Veliaj dhe Ambasadori Gendler vendosën buqeta me lule dhe ndezën edhe qirinj në Memorialin e Holokaustit, në Parkun e Liqenit Artificial.

1611749077_10c011d1d0e0405b9ca49d497d0dbf94.jpg


Lajmi kryesor:

Antisemitizmi/ Dita e Përkujtesës, 76 vite nga çlirimi i Kampit të Vdekjes në Aushvic! Meta: Bota duhet të ndjekë shembullin tonë! Ruçi: Thirrje për paqe (FOTO)


J.GJ./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja