Veliaj "i merr" parkimin deputetit të
PD, 'Selman Stermasi' për qytetarët

Veliaj PD, 'Selman Stermasi' për qytetarët">
Një tjetër hapësirë publike i kthehet qytetarëve të Tiranës, duke u shndërruar në një parking publik me pagesë, të ardhurat e të cilit do të kthehen në investime për lulishte apo korsi biçikletash. Gjatë përurimit të parkingut publik në stadiumin “Selman Stermasi”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se nga një hapësirë e paligjshme që menaxhohej për përfitime personale nga një deputet e PD-së, kthehet në shërbim të qytetarëve.

 “Më vjen shumë mirë që sot, në një ditë të bukur, i kthejmë Tiranës një shesh të uzurpuar në mënyrë të paligjshme nga qytetarë dhe kontrata të papërgjegjshme, dhe ua kthejmë qytetarëve të Tiranës. Brenda një muaji e kemi shndërruar gjithë hapësirën përballë stadiumit ‘Selman Stermasi’ në një parking publik”, deklaroi Veliaj.

 Kryebashkiaku garantoi të gjithë qytetarët se investimi në menaxhimin publik të parkingjeve nga Bashkia e Tiranës është në fakt një investim për familjet dhe fëmijët e tyre.

“Kjo është një mënyrë se si vetëm me 100 lekë dhe me një faturë tatimore, çdo qytetar praktikisht investon në një qytet më të mirë. Me këto para që ne mbledhim nga parkimi, mbjellim më shumë pemë se këto që kemi mbjellë këtu, bëjmë më shumë korsi biçikletash, si ajo që kemi bërë në rrugën “Dritan Hoxha”, shtojmë hapësirat e gjelbra, ashtu siç po bëjmë tek liqeni dhe hapësira të tjera. Ky është qyteti që duam, ky është qyteti që votuam dhe ky është premtimi që ne po mbajmë”, tha Veliaj.

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se ndryshe nga modeli kur hapësirat publike menaxhoheshin nga deputetët e Partisë Demokratike, këto prona publike do të shfrytëzohen për interes të qytetarëve.

"Kjo hapësirë ishte një parking i paligjshëm, menaxhohej nga një deputet i PD. Unë besoj se është më mirë kur e menaxhon Bashkia për të gjithë qytetarët, se sa nga një deputet që i merr dhe i fut në xhep paratë. Për të sqaruar këdo që është shqetësuar nga opozita, e di që ju janë prekur interesat, por unë jam zgjedhur për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Tiranës, kurse ata u zgjodhën që të mbronin interesat e deputetëve të tyre”, theksoi Veliaj.

 Ai shprehu besimin se ka më shumë legjitimitet dhe më shumë banorë Tirana, se sa një grup i vogël deputetësh që e kishte ndarë Tiranën në zona dhe copa, ku çdo para futej në xhepin e tyre. Përfaqësuesja e agjencisë “Tirana Parking”, Egla Zëre, tha se do të vijohet me hapjen e parkingjeve të reja publike.

 “Ky është parkingu i dytë për qytetarët e Tiranës dhe projektet e radhës do vijojnë. Së shpejti, fillojnë punimet për parkimin publik “Eco-parking”, pranë Pallatit të Sportit ‘Asllan Rusi’”, tha Zëre.


Redaksia online
(shqiptarja.com)


 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Macron kërkon që të ndalen dërgesat me armë për Izraelin

Macron kërkon që të ndalen dërgesat me armë për Izraelin