DURRES - Ujësjellësi i Durrësit ka ndërhyrë për prerjen e lidhjeve të paligjshme në lagjen nr 1 të qytetit, në një zonë problematike. Në bashkëpunim me inspektoriatin e kësaj ndërmarrje si dhe me policinë e rendit, pranë një subjekti privat specialistët e kësaj ndërmarrje kanë konstatuar tre lidhje të paligjshme. 

Bëhet fjalë për 'Albanian College' në Durrës të deputetit të PD-së Astrit Veliajt. Inxhinieri Nikolla Simaku u shpreh se subjekti nuk ka bërë asnjë kërkesë tek ndërmarrja e ujësjellësit për të lidhur ujin e pijshëm, duke ndërhyrë në rrjet dhe duke bërë tre lidhje të paligjshme. Për këtë shkelje subjekti u gjobit me 50 mijë lekë të reja. 

“Në kuadër të fushatës që kanë nisur Ujësjellës-Kanalizimet për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme në qytetin e Durrësit kanë filluar ndërprerjet nga fshati në qytetin e Durrësit. Momentalisht ndodhemi tek lagja numër 1, ku na rezulton se subjekti “Albanian College” ka tre lidhje të paligjshme. Ndërprerja e ujit u bë e menjëhershme, ndërsa do të merren edhe masat administrative.” tha inxhinieri Simaku

Prej më shumë se një muaji inspektoriati i ujësjellësit në bashkëpunim me degën teknike dhe atë të shitjes kanë kryer kontrolle dhe prerjen e lidhjeve të paligjshme në disa zona të qytetit, siç është zona e Shkozetit, plazhit dhe ajo e Shkëmbit të Kavajës.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)