Pas 30 vitesh zaptim të godinës, Bashkia e Tiranës po punon për ndërtimin nga e para të kopshtit 37 në Njësinë 10, i cili shumë shpejt do të ofrojë kushte më të mira për të vegjlit e qytetit. Punimet që po kryhen në këtë kopësht, i cili e çon në 101 numrin total të kopshteve dhe çerdheve të ndërtuara dhe rikonstruktuara në Tiranë, u inspektuan nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
“Jemi në fazën kur kemi mbarur karabinanë dhe tani po fillojmë suvatimet, për t’i dhënë dorën e fundit kopshtit, të cilin do e quaja kopshtin më fatkeq në historinë e Shqipërisë, por me gjasa do jetë edhe kopshti më fatlum për 30 vitet e ardhshme. Këtu kemi pasur 11 familje, të cilat prej ndryshimeve të viteve ’90-të erdhën e u strehuan në Tiranë, por zaptimi i një kopshti nuk ishte mënyra e duhur. Zaptimi i kopshtit, i çerdhes, i shkollës, i godinave të “Qytetit Studenti”, është diçka që duhet t’i takojë së kaluarës. Nuk kemi nevojë për më shumë shembuj ulëritës si ky, për të kuptuar se çfarë i kemi bërë qytetit tonë”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se familjet të cilat kishin zaptuar godinën e vjetër të kopshtit po trajtohen me bonusin e qirasë dhe me strehim social.
“Ka një mënyrë për ta bërë gjënë siç duhet, pra për të gjetur strehim, por jo në kopshte dhe çerdhe. E kemi rikuperuar këtë hapësirë, ish-kopshti i zaptuar sot është liruar dhe siç e shikoni ka mbaruar karabinaja. Unë e kuptoj që fëmijët, duke qenë se nuk votojnë, duke qenë se nuk rrinë tërë natën nëpër televizione të bëjnë analistin, ata edhe shpërfillen më kollaj. U jepet më shumë rëndësi atyre që nga divani tregojnë sesi bëhen gjërat, se sa fëmijëve që janë në fakt 20% e popullsisë, por janë 100% e së ardhmes. Për këtë betejë ia ka vlejtur gjithë mundi. Besoj fort se do jetë vërtetë bizhu për këtë zonë”, theksoi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë u shpreh se përtej debateve të ditës, ato që mbeten janë veprat, ndërsa falënderoi qytetarët që besuan te fuqia e një qyteti që do të çlirojë hapësirat publike.
“Do të lemë një shenjë, e cila do të shkojë përtej lajmit të ditës. E kuptoj që lajmi i ditës është histeria dhe sherri, shamataja, flakadani dhe ulërimat, por përtej cic-miceve, përtej shpifjeve, përtej baltës, do ngelen veprat. Ky është kopshtit 101; kemi mbaruar 100 kopshte dhe çerdhe deri më sot. Kjo nuk mjafton dhe kjo është arsyeja përse edhe te “Fresku”, edhe te “Astiri” po marrim edhe ndërtesa me qira, pra për të shfrytëzuar ndërtesa ekzistuese private, për t’i dhënë një shërbim publikut për kopshte edhe çerdhe. Dua të falënderoj të gjithë banorët e Njësisë 10, që besuan te ky projekt, besuan te fuqia e bashkisë dhe fuqia morale dhe fuqia e një qyteti që do të çlirojë hapësirat publike. Një qytet i madh si Tirana ka vend për të gjithë”, shtoi më tej ai.
Veliaj nënvizoi se puna do të vijojë paralelisht për lidhjen e kontratave të qerasë për të ofruar shërbimin e kopshteve edhe në zonat periferike të Tiranës.
“Jam i lumtur që Tirana cilësohet si një nga qytete më miqësore për fëmijët, por e mira s’ka fund. Me të mbaruar këtë kopësht do të shohim hapësira të tjera për të sistemuar”, tha ai.
Sipas Veliajt, këtë vit Bashkia e Tiranës ka miratuar fondin më të madh për shkollat, ku një kujdes i veçantë i është kushtuar sigurisë përreth tyre.
“Edhe në shkollat e vjetra do të realizojmë projektin e brezit të sigurisë rreth shkollës, ku fëmijët apo prindërit, gjyshërit e gjyshet, që i sjellin në shkollë, të futen në një hapësirë të sigurtë, pa makina, me një park linear, ku edhe mund të pushohet. Është diçka që duam ta vazhdojmë këtë vit edhe në 10 shkolla të tjera, për t’i dhënë një dimension sigurie dhe mirëqenieje fëmijëve, në mëngjes dhe në darkë, kur dalin nga shkolla. Mezi presim që të vazhdojmë ta mbajmë stekën lart të çerdheve dhe kopshteve, si një nga punët më të mira që kemi bërë në Tiranë”, deklaroi kreu i Bashkisë.
Kopshti 37 do të presë rreth 150 fëmijë, ndërsa ambienti i jashtëm do të ketë edhe hapësira për lojëra.
Po sh mirë,Brezi i sigurisë...po mos ngushto rrugën e Makinave e ii merr parkingjet popullit...por prishi gardhet e muret e shtëpitë abuzive rreth e rrotull shkollave!
Përgjigju