TIRANË - Në një seancë maratonë, Këshilli Bashkiak i Tiranës diskutoi buxhetin për vitin 2025. Në nisje të mbledhjes kryebashkiaku Erion Veliaj prezantoi projektet për vitin e ardhshëm, ndërsa veç investimeve, mbështetje financiare do të ketë edhe për një sërë kategorish.
Veliaj evidentoi faktin se prej 1 janarit çdo pensionist i Tiranës do të udhëtojë me abone të përgjithshme falas.
“Me këtë buxhet ne bëjmë subvencionimin 100% të abonesë së përgjithshme për pensionistët. Nuk mund të japim një shifër të saktë sepse nuk e dimë sa pensionistë do ta përdorin shërbimin, pasi do të jetë në varësi të frekuencës së marrjes së shërbimit”, thotë Veliaj.
Nga shtatori i 2025, do të zbatohet në të gjitha shkollat publike të Tiranës nisma e kryebashkiakut Veliaj për paketën ushqimore.
“Për sa i përket projektit “Ushqimi në shkolla”, parashikohet shpërndarja e një pakete ushqimore falas për nxënësit e 9-vjeçares. Sot kemi bërë një revolucion për dietën e vogëlushëve tanë në kopshte. Të njëjtën gjë duam ta bëjmë edhe për ata të 9-vjeçares”, shtoi kryebashkiaku.
Bursa për të gjithë ekselentët parashikon buxheti i 2025 tha Veliaj.
‘Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot vendimin për dhënien e bursave për nxënësit e arsimit parauniversitar për vitin shkollor 2024–2025. Ky vendim synon të mbështesë financiarisht nxënësit që ndjekin arsimin bazë dhe të mesëm në institucionet arsimore publike të kryeqytetit, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin dhe edukimin e tyre’, vijoi më tej Veliaj.
Sipas Veliajt shtatë objekte të reja arsimore janë parashikuar në buxhet, shkolla të cilat ose do të ndërtohen nga e para ose do të rikonstruktohen, së bashku me disa kopshte.
Gjatë mbledhjes, pati replika edhe nga këshilltarët e opozitës të cilët, e quajtën buxhetin më të madh të vjedhjes në historinë e Tiranës, buxhet që sipas tyre nuk ndihmon shtresat në nevojë, por godet pensionistët, personat me aftësi të kufizuar e familjet e varfra.
Ndërkohë nga ana tjetër vazhdojnë punimet për rindërtimin e shkollave dhe kopshteve në kryeqytet.
Vazhdojnë punimet për rindërtimin e shkollave dhe kopshteve në kryeqytet. Sipas kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj janë në proces ndërtimi ose rikonstruksioni shtatë objekte të reja arsimore, përfshirë këtu çerdhe, kopshte dhe shkolla.
Ndërtim kopshti dhe çerdheje të integruar në zonën e ish-shkollës 9-vjeçare “Migjeni”
Ndërtim i palestrës dhe ambienteve shtesë në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi”
Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare “Kol Jakova”
Ndërtim i shkollës 9-vjeçare në Rrugën “Muharrem Caushi”,
Ndërtim kopshti dhe çerdheje të integruar në Rrugën “Muharrem Caushi”
Ndërtim shkollë 9-vjeçare (Tipi 2) dhe të mesme (Tipi 4) në Rrugën “3 Dëshmorët”
Ndërtim shkollë 9-vjeçare (Tipi 1) në Rrugën “Selitë e Vjetër”
Gjithashtu Veliaj nënvizon se janë lidhur kontratat për ndërtimin dhe rikonstruksionin e disa shkollave të tjera:
Ndërtim i shkollës 9-vjeçare "Edit Durham"
Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare “Shyqyri Peza”
Ndërtim terrenesh sportive dhe muri rrethues për shkollat “Mustafa Greblleshi” dhe “Sander Prosi”;
Ndërtim i shkollës 9-vjeçare “Ibrahim Hima”
Ndërtim i shkollës së Mesme të Bashkuar “Mersin Duqi”
Ndërtim i shkollës së Mesme të Bashkuar në Krrabë.
Gjithashtu, po ndërtohen dhe 2 objekte “Ndërtim i shkollës 9 vjeçare Arbanë dhe ndërtim i shkollës Profesionale.
Veliaj theksoi se janë planifikuar edhe projektimi dhe ndërtimi i katër shkollave të reja:
Ndërtim i një shkolle të mesme (Tipi 4) në Rrugën “Elbasanit” (Njësia 2);
Projektim për ndërtimin e një kopshti dhe çerdheje të integruar pranë Kompleksit “Mangalem” (Njësia 1);
Projektim për ndërtimin e një shkolle të mesme (Tipi 4) në Rrugën “Stavri Themeli” (Njësia 7);
Projektim për ndërtimin e një shkolle të mesme (Tipi 4) në Rrugën “Muharrem Butka” (Njësia 5).