Seanca në GJKKO për dosjen Veliaj u zhvillua me debate mes avokatit Plarent Ndreca dhe prokurorit të SPAK, Altin Dumani. Ai tha se akuza nuk ka asnjë problem që seancat të zhvillohen live, por sipas tij nuk mund të ekspozohen dëshmitarët dhe kjo nuk lejohet as në vende të rajonit apo në BE dhe SHBA. Dumani tha se Veliaj po përpiqet të zvarrisë procesin me kërkesa artificiale, por ky pretendim u mohua nga avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca.

Pjesë nga diskutimet

Altin Dumani: Ne si organ akuze nuk kemi problem, por transmetimi live mund të shqetësojë procesin. Në çështjet penale ku ka dëshmitarë, veçanërisht bashkëpunëtorë të drejtësisë, nuk lejohet transmetimi live. Kjo nuk ndodh as në rajon, as në Evropë dhe as në gjykatat federale në SHBA. Mund të lejohen kamera për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen”, tha Dumani.

Prokurori Ols Dado replikoi me avokatin Plarent Ndreca

Ols Dado: Pse vetëm ti do të flasësh? Prit, se ka kërkuar fjalën prokurori.

Altin Dumani: Kemi dy muaj që kemi kaluar në themel dhe vijojmë me seancat paraprake. Avokatët e Veliajt, në mënyrë të përsëritur, paraqesin kërkesa artificiale, sipas vlerësimit tonë, me qëllim zgjatjen e shqyrtimit gjyqësor.

Plarent Ndreca: Ne nuk kemi qëllim të zvarrisim procesin. I vetmi që mbahet në burg është Erion Veliaj dhe ai ka interes që ky proces të ecë sa më shpejt. Ne nuk pranojmë të vijojmë pa u garantuar një proces i rregullt ligjor.


Lajmi kryesor:

Veliaj kërkon gjyq live, GJKKO e rrëzon: S'pranojnë të pandehurit e tjerë! Dumani: Nuk mund të ekspozohen dëshmitarët! Ndreca: 35 fashikuj me prova digjitale të pahapura