Gjykata Adminstrative ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për çështjen e emërimit të Ols Dados si prokuror.

Në vendim, gjykata u shpreh se Veliaj nuk ka interes të drejtpërdrejtë, por të tërthortë dhe çështja nuk merret në shqyrtim.

“Dihej, por shyqyr e mori vesh mileti”, mësohet të jetë shprehur kryebashkiaku pas shqiptimit të vendimit.

“E pritshme!”, ishte reagimi më i parë i avokatit Plarent Ndreca pas shpalljes së vendimit.

“Ishte test për sistemin sesa ka aftësinë për të vetëkorrigjuar problematikat që ka. Dado nuk është emëruar në mënyrë të ligjshme. Ai nuk ka thënë që jam prokuror i emëruar në mënyrë të ligjshme. Sistemi nuk e tregoi aftësinë për t’u vetëkorrigjuar. Nuk ka problem më të rëndë sesa emërimi i një prokurori që ushtron funksionin në mënyrë të paligjshme. Është një e vërtetë që do e ndjekim deri në fund. Kjo lidhet me sistemin e drejtësisë dhe aftësinë e tij që të tregojë vetveten. U tregua korporatizmi gjyqësor”, tha Ndreca për mediat.

Në vijim, avokati tha se çështja do të ndiqet në Apel.

“Do të shkojmë në Apel me të pasur vendimin e zbardhur nga gjykata. Do e fitojmë këtë çështje”, tha Ndreca.

Gjykata refuzoi gjithashtu edhe kërkesën e pranimit si palë të ish-prokurorit Tom Deda dhe gjithashtu të Asociacionit për Media e Drejtësi. 

Shoqata ishte shprehur se çështja përbënte interes publik dhe lidhej me integritetin e sistemit të drejtësisë. Shoqata zbuloi se prokurori Dado ka qenë pjesë e hetimit për vrasjet në bulevard, para kryeministrisë së udhëhequr nga Sali Berisha në 2011-ën. Sipas tyre, mënyra si është hetuar 21 janari, me përfshirjen edhe të Dados, lidhej drejtpërdrejt me kriteret dhe rrethanat e emërimit të tij si prokuror në shkelje të ligjit.

Për këtë kërkesë, avokati Plarent Ndreca paraqiti në fillim të seancës një qëndrim ku kërkonte pranimin e palës.

Ndërsa ish-prokurori Deda, i cili u paraqit sot me kërkesën për t’u bërë palë, tha se emërimi i Dados përkon me shkarkimin e tij, duke u shprehur “jam hequr unë që i është hapur vendi Ols Dados”.

Edhe kjo u cilësua nga Veliaj si “shqetësim i një qytetari për rrëmbimin e kryebashkiakut” dhe u kërkua të pranohej.

Qëndrimi i Ndrecës për kërkesën e Asociacionit për Media

Lajm në përditësim....

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:21
Gjyqi në Administrative/ Ish-prokurori Tom Deda kërkon të bëhet palë kundër Dados: U shkarkova nga detyra që të emërohej ai, përkon koha! Veliaj: Të legjitimohet

Ish-prokurori Tom Deda ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën Administrative për t'u bërë pjesë e procesit si palë e tretë. Pas një tërheqjeje prej 20 minutash të trupës gjykuese për të shqyrtuar kërkesën, seanca rinisi dhe ish-prokurori hyri në sallë.

Në pretendimet e tij, Deda thotë se emërimi i Dados përkon me kohën kur ai u shkarkua.

Deda: Mënyra e largimit dhe shkarkimit tim, duhej të hapej një vend dhe të emërohej dikush tjetër. Ata duhej të më shkarkonin mua dhe të emërohej Ols Dadon. Por përkon periudha kohore.

Gjykata: Çfarë interesi ke ti nga ky gjykim? Cili është interesi yt i drejtpërdrejtë?

Deda: Ina Rama më ka shkarkuar për një qëllim kriminal. Në momentin që do shkarkohet Ols Dado unë do të bëj një kërkesë për dëmshpërblim sepse mesa duket më kanë shkarkuar mua për të emëruar Dadon. Procedura ka nisur në shtator 2008 dhe ka përfunduar në tetor 2009. Më pas unë fitova të drejtën në Gjykatën e Lartë dhe jam rikthyer në 2013. Ata janë një organizatë kriminale së bashku me Ina Ramën.

Veliaj: Për çdo qytetar si bashkisë së Tiranës që është shqetësuar për rrëmbimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Po ashtu duhet të legjitimohet pasi ky shtetas thekson se Ols Dado është paguar për të rrëmbyer Erion Veliajn. Pasi ai thekson se ai u paguaka dhe ka shtëpi në Pogradec dhe ka biznes imobiliar që jep e shet prona. Si kryetar i bashkisë unë kërkoj që të legjitimohet.

Ndërsa u pyet lidhur me këtë në gjykatë, Deda ngriti akuza se emërimi i Dados është bërë duke e hequr atë nga puna. Deda thotë se po përpilon një kallëzim 40-faqësh për prokurorin.

Deda: Në kohën e Ina Ramës ajo prokurori ka funksionuar vetëm me lekë, në atë kohe e dinë të gjithë që Bamir Topi dhe Ina Rama i bënin emërimet me lekë. Këta njerëz janë në punë dhe janë kamikazë të frikshëm. Gjykata e Lartë e dha vendimin në 2011 dhe ajo gjente justifikime se nuk kam vend në organikë. Ajo duhet të hiqte dikë për të marrë një tjetër në punë. Unë të dhënat i kam marrë nga shtypi për Ols Dadon dhe jam duke bërë një kallëzim prej 40 faqesh.

Avokati Erarb Almadhi: Akti i emërimit të Ols Dados është një vit përpara se të shkarkohej pala kërkuese. Një vit pas emërimit të Ols Dados është shkarkuar zotëria. Të mos pranohet padia dhe të orientojë palët për padi të reja.

Presidenca: Subjekti nuk ka asnjë lloj interesi për të marrë pjesë në këtë gjykim.

Ndreca: Ne u qëndrojmë argumentave dhe padia i ka plotësuar kërkesat formale për t’u legjitimuar.

Veliaj: Nëse Dado do kishte sjellë dëftesat e Magjistraturës, do e kishim mbaruar këtë histori. Ai nuk ka mbaruar magjistraturën dhe ai nuk duhet të jetë prokuror. Ai ka veshur kostumin e prokurorit dhe sillet si bandit që rrëmben qytetarët.

Mbrojtja e Dados: Nuk ka asnjë fakt, s’ka asnjë pasojë, Veliaj nëse ka pretendime për prokurorin, t’i paraqesë në GJKKO, nëse do të legjitimohej kërkesa e Veliajt atëherë do të kthehej në precedent për rastet e tjera dhe do rrëzoheshin institucionet dhe do çonte në anarki në institucione.

Gjykata do të japë vendimin pas pak.

Ora 10:18
Gjyqi kundër Dados në Administrative, një grua kërkon të përfaqësojë Veliajn! S'ka licencë avokatie, palët: Nuk e njohim

1784877127_veliaj.png

Në sallën e Administratives është paraqitur një zonjë e cila është ka bërë kërkesa që të vijë në sallë si përfaqësuese e kryebashkiakut Veliaj. Rezulton që zonja nuk ka as licencë avokatie. Asnjëra nga palët nuk e njeh zonjën. Gjykata theksoi që do të referojë çështjen në organet kompetente.

Ora 08:56
Gjyqi kundër Dados, kryebashkiaku Veliaj mbërrin në Gjykatën Administrative

I shoqëruar nga Policia e Burgjeve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka mbërritur në Gjykatën Administrative për seancën kundër prokurorit Ols Dado. Në dorë, shihet që edhe këtë herë mban një libër.