Në seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, avokati Plarent Ndreca paraqiti pesë kërkesa paraprake, të cilat sipas tij do ta vendosnin procesin në “shina ligjore”. Mbrojtja kërkoi transmetimin live të seancës, praninë e Veliajt krah avokatit, pra jashtë kafazit të qelqtë, si edhe kohë për t’u njohur me provat. Ndreca po ashtu tha se SPAK ende s’i ka kthyer përgjigje për mënyrën e administrimit të kallëzimeve të Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit.

Plarent Ndreca: Kemi bërë 5 kërkesa për vendosjen e procesit në shinat ligjore, këmbëngulim. E para sa i takon publicitetit gjyqësor që i nxirrni kamerat sapo nisim ne. Nuk ka asnjë pengesë kushtetuese pse të mos transmetohet seanca. Fakti që vjen në sallë një punonjëse administrative dhe na pyet kur është dakord e kush jo për filmim, është ndërhyrje drejtpërdrejtë në sallë. Moslejimi i filmimit të këtij është procesi goditje e të drejtës kushtetuese që kanë mediat. Kërkoj të lejohen kamerat që të filmojnë live procesin.

Vlerësojmë që duhet garantuar prezenca e Veliajt i lirë jashtë kafazit të xhamit. Mosprezenca apo mos lejimi afër avokatit cenon prezumimin e pafajësisë, dinjitetin njerëzor, ndikon në proces dhe nuk mund të vijojë pa qenë prezent siç kushtetuta parashikon. Komiteti i Helsinkit e konsideron cenim i dinjitetit njerëzor kur nuk ka arsye për tu vlerësuar e kundërta. Kafazi i xhamit është kthyer në rregull ndërkohë që duhet të jetë përjashtim. Nuk paraqet asnjë rrezik për mbarëvajtjen e procesit. Kërkoj të garantoni të jetë përkrah avokatit të tij i liri, të bëjë mbrojtjen e tij siç kushtetuta ia ka garantuar.

Për sa kohë nuk jemi njohur me provat në këtë fazë dhe ju thatë se nuk përbën pengesë në këtë fazë, na jepni kohë të njihemi me to.

Akoma nga SPAK s’na është kthyer përgjigje, për mënyrën e administrimit të kallëzimeve të Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit. Vlerësojmë se lidhet me këtë fazë të procesit

Lënia e seancës nga ana juaj 1 herë në javë është afat shumë i ngushtë që nuk na jep mundësi të komunikojmë me të mbrojturit prej nesh. Të kemi prezencë reale e mbrojtje efektive.

Këto janë 5 kërkesat tona që pranimi i tyre besoj do e vendoste në shina këtë proces ligjor, patjetër kemi edhe kërkesa për pavlefshmëri aktesh


Lajmi kryesor:

Gjyqi në GJKKO/ Veliaj nuk shkon, i rrëzohet kërkesa për të dalë nga kafazi! Dado: Është garanci në sallë, jo poshtërim! S’i pranohet as transmetimi live! Shtyhet seanca