Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së sigurimit personal "arrest në burg". Kërkesa e Veliajt u shqyrtua sot nga gjyqtarja Etleve Deda dhe i pranishëm gjatë seancës ishte vetë kryebashkiaku. Ky i fundit kishte si mbrojtës vetëm për këtë seancë avokatin e ri, Sokrat Gjermeni, pasi refuzoi avokaten e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku.

Veliaj ka refuzuar avokaten e caktuar kryesisht nga gjykata dhe ka kundërshtuar çdo formë mbrojtjeje të realizuar prej saj, duke argumentuar se ajo nuk ka njohje reale mbi dosjen penale dhe se një përfaqësim i tillë është në kundërshtim të plotë me interesat dhe strategjinë e tij të mbrojtjes dhe nuk përfaqëson vullnetin e tij.

Sipas Veliajt, e drejta për mbrojtje nuk mund të reduktohet në një prani formale avokati, por kërkon njohje efektive të provave dhe aftësi reale për t’i kundërshtuar ato.

Burime pranë kryebashkiakut bëjnë me dije se ai  ka testuar profesionalisht avokaten e caktuar nga gjykata, nga ku ka rezultuar se ajo nuk kishte njohuri reale mbi dosjen, ndonëse bëhet fjalë për një çështje voluminoze dhe komplekse, e cila, sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kërkon një periudhë shumë të gjatë dhe serioze pune për t’u përvetësuar nga një profesionist. Për këtë arsye, Veliaj ka deklaruar se nuk pranon që kjo mbrojtje të flasë apo të veprojë në emrin e tij.

"Në këtë kontekst, kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë lidhet drejtpërdrejtë edhe me pamundësinë objektive për t’u njohur me dosjen në kushtet e izolimit. Veliaj ka këmbëngulur se realizimi i së drejtës për t’u njohur me aktet dhe për të ndërtuar vetë mbrojtjen e tij përbën një shkak autonom dhe thelbësor për zëvendësimin e masës “arrest në burg”, duke theksuar se asnjë avokat, sado mirë të njohë dosjen, nuk mund të ndërtojë një mbrojtje reale pa bashkëpunim të plotë me të pandehurin dhe pa njohjen e drejtpërdrejtë personale të çështjes. Në këto kushte, vijimi i paraburgimit, sipas tij, ka humbur proporcionalitetin dhe bie ndesh me standardet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor. Paraburgimi eshte kthyer nga nje instrument i mbrojtjes se hetimit ne nje instrument denimi pa gjyq dhe pa proces te rregullt ligjor",- deklarojnë burime pranë kryebashkiakut.

Të pranishëm ishin edhe dy prokurorët e çështjes Ols Dado dhe Altin Dumani.

Pas përfundimit të seancës, avokati Gjermani dhe për mediat se SPAK kërkoi vazhdimin e paraburgimit të Veliajt pasi ekziston rreziku që i fundit të prishë provat, por mbrojtësi i kryebashkiakut shton se "ne nuk jemi dakord sepse edhe një vendim njehsues i Gjykatës së Lartë thotë që provat të tipit shkresore nuk mund të manipulohen, ndryshe nga provat e gjalla, si dëshmitarët, por edhe këta të fundit nuk mund të manipulojnë dëshminë e tyre, pasi rrezikojnë të kryejnë një vepër penale".

Veliaj e ka paraqitur kërkesën për zëvendësim mase me argumentin se nuk ka rrezik për prishjen e provave, pasi çështja ka kaluar në gjykatë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet më 10 shtator 2025 dhe ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar që në 10 shkurt 2025.

Po kështu, për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri të tjera, pjesë e dosjes “Veliaj”.

SPAK ka renditur ndaj Veliajt 5 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitiprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.

Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.

Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.

Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste.

lajm në përditësim...