Veliaj: Kush merr kot asistencë
sociale, në ndjekje penale

Veliaj: Kush merr kot asistencë<br />sociale, në ndjekje penale
TIRANE- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, ka sqaruar incidentin e ndodhur gjatë vizitës së tij në Luginën e Preshevës.

I ftuar në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, ministri Veliaj tha se gjatë vizitës së tij pati disa ndryshime protokollare nga autoritetet serbe, por që u sqarua.

Ndërkaq, ministri Veliaj është ndalur tek angazhimet që synon të ndërmarrë qeveria shqiptarë sa i takon arsimimit dhe punësimit të të rinjve të Luginës së Preshevës.


I pyetur lidhur me çështjen e lëndëve kimike të Sirisë, të cilat nuk u pranuan në Shqipëri, ministri Veliaj tha se situata e krijuar, tregoi “shenja qytetarie, si nga kryeministri, që dëgjon popullin, ashtu edhe nga qyetarët”.

Veliaj foli dhe për skemën e re të ndihmës sociale, dhe paralajmëroi "Kush e ka marrë në mënyrë të padrejtë të mos e bëjë më se do t’i vijë kallzimi në prokurori. Të tjerët të shkojnë e të japin vërtetësinë maksimale, të gjitha do verifikohen."
 
Sa i takon vizitës së fundit që ju keni bërë në Luginën e Preshevës, shtypi raportoi incidente, si është e vërtetë?
Nuk bëhet fjalë për incident, ishte një ndryshim protokolli që autoritetet serbe kishin parashikuar dhe unë nuk rashë dakord. Unë isha aty për një vizitë rajonale, jo kombëtare. Gjetëm një mirëkuptim. Pala serbe që menaxhon kufitjtë dhe protokollin, në të njëjtin orar ku unë kisha parashikuar vizitën, pretendohej një takim me nje ekip kontakti të qeverisë serbe, që ka edhe staf shqiptar brenda. Nuk e paragjykoj punën e tyre, po thjesht nuk ishin pjesë e axhendës sime. Nuk është një situatë e këndshme, në momentin që flasim ka një ndërprerje të komunikimi. Janë disa pika që duhen sqaruar ende. Megjithatë e zgjidhëm, unë i qëndrova planit fillestar dhe pala tjetër u detyrua të respektojë.

Aty diskutuat vetëm për çështje lokale, apo edhe marrëdhëniet mes Beogradit dhe Tiranës?
Ne kemi një axhendë të qartë. Dhe Edi Rama është përfaqësues i interesave të gjithë shqiptarëve, kudo ku ndodhen. Pra edhe ata të Luginës së Preshevës. Edhe përgatitjet tona paraelektorale kanë përfshirë këto veprime. Ne do promovojmë aktivitetet kulturore të të rinjve, dhe dhënien e bursave të studimit si një antidiskriminim pozitiv. Po mbajmë ato premtime që bëmë. Vumë Preshevën në hartën e aktiviteteve artistike.

Ka tendenca asimilimi aty, tendenca largimi?
Është e vërtetë. Ka një tendencë largimi. Dhe askush nuk ka të drejtë të akuzojë dikë për mungesë partriotizmi. Shumë të rinj që studiojnë në Tiranë, nuk kthehen më, pasi nuk u njihen diplomat. Për këtë ne duhet të bisedojmë me qeverinë serbe. Tendenca është për t’u larguar dhe e vetmja mënyrë për t’u siguruar se popullsia aty qëndron, është arsimimi dhe punësimi. Propozimi ynë është për të kontribuar për maternitetin e Preshevës. Sapo kemi filluar një angazhim konkret. Mendojmë se ka ardhur koha të kalojmë nga patriotizmi folklorik, në patriotizëm europian, konkret.

A u fol për një vizitë të mundshme të Ramës në Beograd?
Kryeministri Rama do jetë në një vizitë zyrtare në Beograd dhe në Preshevë. Është ende e pacaktuar vizita, por është folur prej 2 muajsh për të.

Falë stuhisë së opinionit publik kryeministri i tha jo demontimit të armëve kimike të Assadit në Shqipëri. Si mendoni ju përfituam apo humbëm nga kjo?
Kryeministri nuk u detyrua. Ai nuk kishte thënë po, dhe më pas tha jo. Them që njoh relativisht mirë kryeministrin, dhe jo vetëm nuk shkel fjalë, por edhe është korrekt në ato që thotë. T’i thuash aleatit tënd, po, jam i gatshëm të të dëgjoj për diçka të sigurt dhe pa rrezik për qytetarët e mi, është gjëja më normale. Jemi mësuar me një kryeministër që nuk dëgjonte popullin e vet, dhe tani na duket ndryshe që një kryeministër dëgjon popullin, dhe i përgjigjet atij. Ajo që ndodhi ishte një shenjë qytetarie, si nga kryeministri, ashtu edhe nga qyetarët. Nuk humbëm gjë, pasi nuk patëm diçka dhe e humbën. Them se jemi aty ku ishim. Di të them se u vendos një standard i ri, ku qeveria dëgjon zërin qytetar. Fillimisht kuptuam se nga sa shumë mbetje kimike jemi të rrethuar dhe vetë, sa hotspote ka në vend. Ne e kthyem në një proces emancipimi këtë situatë.

A u prishën marrëdhëniet shqiptaro-amerikane?
Absolutisht jo, ka më shumë marrëdhënie që na bashkojnë. Qeveria nga ana e saj, ka një marëdhënie korrekte me SHBA, dhe kjo u pohua edhe nga deklaratat që erdhën më pas. Kryeministri u soll me një dinjitet të munguar për atë post. Ngjarja ishte një ujë që rodhi nën urë, koha s’kthehet më mbrapsht. Njerëzit e kthyen sensibilizimin në aksion pastrimi. Edhe pse Shqipëria ka nevojë për financa e marrëveshja do na pastronte nga hotspotet.

Jo-ja a e vinte në rrezik mazhorancën?
Mazhorancat janë për njerëzit, mazhorancat nuk janë kokëforta për karshillëk. Ne kemi kaluar nga koha kur mazhoranca ishte karshillëk dhe kartonat përdoreshin për karshillëk. Kartonat tona si mandate popullore për t’i shërbyer publikut. Nëese publiku donte këtë, qeveria as që e çoi në parlament.
 
Pas këtij refuzimi erdhi nisma “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë”. Mos ishte show mediatik që të evidentohej gjendja ambientale dhe show për atë që ndodhi?

Jo dhe jo. Ekziston prova se nisma ishte lançuar para këtij debati. Greenline po sillte risi nga vende të ndryshme. Ne e mbështetëm si qeveri para se të fillonte debati për armët kimike. Armët kimike rritën sensibilitetin për pastrimin, se shumica e sëmundjeve vijnë nga ajri i ndotur, ushqimet.
 
Por të pastrosh mungojnë lendfillet, i bie që prapë i lëmë në territor.
 Nuk jam me teorinë se, o ta bësh diçka perfekt ose mos e bësh fare. Ishte më mirë që e bëmë. Qoftë dhe në gropat e plehrave ku gjenden ato sot është më mirë se në gropat e rrugëve, në mes të  rrugës, ku tursiti sheh një mal me plehra. Shumë nga këto gjëra i shkaktojmë vetë; të marrësh mundimin e të çosh te kazani i plehrave varet nga ne. Unë s’kam kazanë afër, por i marr në makinë te sheshi “Avni Rustemi” dhe i çoj te plehrat. Duhet ndërgjegje qytetare. Janë po ata shqiptarë që në Greqi s’hedhin asnjë mbeturinë, sa kalojnë kufirin hedhin. Unë s’jam me parimin; ose këtë ose atë, por edhe këtë, edhe atë.  S’jemi keq nga dy të mira; edhe publiku të sensibilizohet, edhe shteti të bëjë punën e tij. Ka njerëz që thonë “paguajmë taksa për pastrimin”; bëhet fjalë për shumë pak para. Para se të ngrëmë aktakuzë ndaj shtetit të mendojmë se kontributi ynë është shumë modest. Na duhen landfille dhe të gjejmë financime nga Banka Botërore.

Kjo fjongo në xhaketë, ç'domethënie ka?
Do thonin ngjyrë mavi, por kjo ngjyrë e purpurt është simbolikë e ditës botërore kundër dhunës ndaj grave. Të jesh grua dhe vajzë në Shqipëri s’është e lehtë. 2600 vajza raportojnë dhunë fizike në vit është shokuese.
 
Ç’do bëni ju si qeveri e re?
Të marrësh masa represive nuk mjafton. Ligji të zbatohet. Duhet infrastrukturë e shërbimit social. Vlera e fushatave sensibilizuese nuk është fushatë arrestimesh të burrave që rrahin gratë, por më mirë sensibilizimi, se fjala vjen kush ka thënë se është trimëri të rrahësh gruan ia ka fut kot. Të predikojmë lloj tjetër sjelljeje. Duhet të lidhim edhe sensibilizimin edhe masat represive, dënime maksimale për ata që ushtrojnë dhunë, respektim të urdhrave të gjykatës. Ndihma ekonomike vitin tjetër t’u jepet grave dhe vajzave, që janë më nikoqire për financat modeste të një shtëpie se burrat. Ajo që ndodh rëndom është mënyra se si abuzohen të ardhurat modeste.
 
Çfarë do ndryshojë në skemën sociale?
Të pastrojmë skemën me 165 mijë vetë, shumë e vështirë. Të heqim abuzuesit, që janë 20%. Një në pesë vetë ose kanë shtëpi, kanë makinë, një pronë, udhëtojnë jashtë, se njohin anëtarë të këshillit bashkiak dhe ata i kanë hyrë në hak një pensionisti, një vejushe etj. Aleati më i madh në këtë aspect është: modernizimi i teknologjisë. Do jetë një database verifikimi elektronik si e vemtja mënyrë që të shamngim automatikisht një pjesë të madhe abuzuesish.
 
Një njeri që përfiton asistencën sociale ç’duhet të bëjë ta përfitojë?
Ata që e kanë përfituar të bëjnë një regjistrim jo para një të njohuri, por para një punonjësi dhe kompjuteri. Më mirë mos shkojnë fare nëse e kanë pa të drejtë, se po u regjistruan do ndiqen penalisht. Kush e ka marrë në mënyrë të padrejtë mos e bëjë më se do t’i vijë kallzimi në prokurori. Të tjerët të shkojnë e të japin vërtetësinë maksimale, të gjitha do verifikohen. Ky është i njëjti standard, që aplikon edhe Greqia, Maqedonia, Italia etj.
 
Ju kujtohet një listë se cilat institucione do përfshihen në këtë verifikim?
Të gjitha institucionet që provojnë se ke të ardhura, prona, mundësi për të udhëtuar jashtë vendit, për shembull 3-4 herë në vit. Nëse kursejmë 20% nga abuzimet, dmth 20% e 12 milionë euro çdo vit që janë ndihmat akonomike, duke hequr këtu personat me aftësi të kufizuar. Për aftësitë e kufizuara situata edhe më tragjike.
 
Do centralizohet, do jetë në strukturat e ministrisë suaj, do i hiqet pushteti lokal dhënia e ndihmës?
Çdo bashki dhe komunë do ketë një kompjuter me këtë soft të programuar nga ne. Nuk do shkojë në këshillin bashkiak, se vendimi nuk merret atje. Njerëz në këshillin bashkiak kanë bërë kështu: Do vota nga unë, futëm nja dhjetë të mitë në ndihmën ekonomike. Shteti që na lanë në 23 qershor ishte shtet që i toleronte. Berisha duhet të jetë i vetmi ish-kryeministër që krenohet se janë shtuar të varfrit.

Çfarë garancie ka që ndihma ekonomike mos përfundojë sërish në bingo, alkool?
Jemi të gatshëm të hapim një diskutim publik. Duam të bëjmë një trajtim elektronik, pasi nga bashkitë, varfëria përdoret si instrument vote. Të varfrit në Shqipëri ndryshojnë në varësi të atyre që qeverisin komunën. Është krijuar një hendek midis fëmijëve të hanë më shumë dhe atyre që hanë më pak. Hendeku krijohet që tek fëmijët në moshë 3 vjeç. Duhet të tregohet kujdes për të patur të ushqyer të shëndetshëm. Ne kemi propozim për dhënin e pagesave nëpërmjet një karte debiti, për të mos marrë para kesh, por të bëhen blerje të ushqimeve të shportës, vendase, dhe jo alkolike. Roli i shtetit këtu, është rregullator. Ajo që do të bëjmë është një pilotim i kësaj skeme, në zonat urbane, pasi në zonat rurale ka ndryshime. Abuzimi në zonat urbane është edhe më i madh. Nëse këto para nuk shpenzohen për 40 ditë, atëherë ato para do të zhduken. Pasi nëse këto para nuk të nevojiten për ushqime, do të thotë se ty ato para nuk të duhen. Rezulton se ka një përqindje të caktuar, që nuk preket, dhe këta njerëz e përdorin këtë si një llogari kursimi. Ata që duan ndihmë ekonomike, duhet të çojnë fëmijët në arsimin e kufizuar. Dhe së dyti do të kushtëzohet vaksinimi.

Me personat me aftësi të kufizuar çfarë do të ndryshojë në skemë?
Ne në vit parashikohet të kemi rreth 17.4 mld lekë të pageasave të aftësisë së kufizuar. Kur unë kam ardhur në detyrë, protestat kishin filluar. Dhe pyes financën që më thotë se ishte harxhuar 96% e buxhetit. I kishin shpenzuar për aftësinë e kufizuar, por fiktive. E kishin rritur numrin në 150 mijë vetë. Është bërë abuzim i jashtëzakonshëm. Kishte fshatra ku para zgjedhjeve ishin 30 veta invalidë, mbas zgjedhjeve 130. Atëherë si ndodhi kjo, ne s’ishim në luftë. Kundrejt një marrëveshje për votat, njerëzit shpalleshin si invalidë. Kemi një sjellje të papërgjegjshme të opozitës. Paraardhësi im në korrik 2013, i bën një letër ministrisë së Financave, dhe i thotë se më kanë mbaruar lekët. Unë i mirëkuptoj zërat e opozitës, edhe kur thonë ato që i detyrohet të thonë. Por duhet të dihet e vërteta. Sot 165 vetë janë kallëzuar në prokurorinë e rrethit Elbasan. Këtë javë filluam me Elbasanin, dhe do vijohet në të gjitha rendet e vendit. Kjo është ministri për nevojtarët, por e pamëshirshme për abuzuesit. Vetëm në këtë mënyrë do t’i japim zgjidhje. E provuam me transparencë, me ndërgjegjësim, por asgjë.

Për ata që janë realisht invalidë, si do veprohet me fondet e tyre?
Padyshim që do t’i marrim, por duhet të kuptojnë si ndodhi. U gjet një “shtëpi” bosh, dhe do t’i shkojmë në fund kësaj historie. Kemi kërkuar mirëkuptim maksimal nga njerëzit. Deri sa të na kalojë buxheti i ri, do të japim në mënyrë të barabartë pagesën bazë për të gjithë. Për pagesat e tjera, do të bëhen me buxhetin e ri. Do bëjmë disa pagesa që këtë javë. Duke marrë keste të kredisë, ne po i fusim në sistem. Jemi në diskutim me ministrinë e financave. Çdo e ardhur që po na shtohet, ne po e kanalizojmë në këtë fond. Shpresoj që me masat që po marrim, ky të jetë viti i fundit që ne dëgjojmë drama të tilla. Do të shtojmë penalizimet për ata që kryejnë akte korruptive.

Redaksia Online
(e.s./mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit