Veliaj me banorët e Ndroqit: Non-grata dhe fuksi i lagjes, 2 vjetërsira që kthejnë vendin mbrapa”

Veliaj me banorët e Ndroqit: Non-grata dhe fuksi i lagjes, 2 vjetërsira që kthejnë vendin mbrapa”

Kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj në takimin me banorët e Ndroqit, Pezës dhe Vaqarrit, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Toni Gogu, u shpreh i lumtur që Partisë Socialiste po i bashkohen shumë demokratë sepse e kanë kuptuar se kjo forcë politik do të jetë aty edhe në ditë të vështira.

“Jam i lumtur se na janë bashkuar shumë prej atyre që, deri dje i thoshin vetes demokratë. E dini pse na janë bashkuar? Se ne në ditët e vështira, ishim aty për ta. Nëse ishte tërmet, nëse ishte pandemi, nëse ishte nevoja për tregun, nëse ishte nevoja për lidhje me autobus me Tiranën, nëse ishte nevoja për infrastrukturë - vetëm në Pezë kemi ndërtuar 4 shkolla të reja, në Ndroq 4 shkolla të tjera, në Vaqarr 2 shkolla të reja - ne ishim aty ato ditë. Ndaj, dua t’i falenderoj të gjithë ata që na janë bashkuar, ata që kanë qenë në parti të tjera, që kanë qenë demokratë, që kanë qenë me LSI-në, që kanë qenë me parti të vogla, sepse kanë kuptuar se partia më e rëndësishme, partia më e çmuar dhe partia më e vyer në jetën e një njeriu, është familja. E nëse Partia Socialiste ka punuar për familjen tënde, për shtëpinë tënde, për çerdhen, për kopshtin, për shkollën, atëherë një votë për familjen tënde, është vota për Partinë Socialiste dhe për skuadrën tonë që shkon vetëm përpara. Sot zgjedhjet lokale janë për fëmijët tanë! Ndaj çdo demokrati i them: Mos mendoni partitë, mendoni çunat dhe gocat tuaja. Nëse shkojnë në një shkollë më të mirë, votoni për fëmijët tuaj, se ajo votë është për Partinë Socialiste”, tha ai.

Kryebashkiaku shprehu mirënjohjen e tij për këdo që në ditët e vështira të tërmetit dhe pandemisë iu gjendën pranë personave që kishin më shumë nevojë. Duke theksuar se vetëm duke bashkëpunuar punët ecin përpara.

“Imagjinoni, në qoftë se dikush ikën për 4 vjet nga detyra, sikur polici i zonës të mos dukej 4 vjet në Ndroq, Vaqarr dhe Pezë, a do ishte më polic? Nëse infermierja e zonës nuk do vinte për të bërë konsultat, vaksinat, vizitat, do ishte më infermiere pas 4 vjetësh? Po sikur zjarrfikësi i zonës, nëse 4 vjet nuk do të vinte për një fatkeqësi, a do ishte më zjarrfikës? Nëse hidrauliku i zonës, për 4 vite nuk do rregullonte ujin, a do ishte më hidraulik? Nëse një nxënës në Pezë, në Ndroq, Vaqarr, nuk do vinte 4 vjet në mësim, a do e kalonte dot klasën? Nëse një nxënës nuk vjen, jo 4 vjet, jo 4 muaj, jo 4 javë, jo 4 ditë, por 4 minuta të vonohet nga ora e mësimit, ai nxënës merr mungesë. E kemi standardin shumë lart edhe për një fëmijë të vogël, që shkon në shkollë, pse e kemi standardin kaq ulët kur për 4 vjet dikush që merret me politikë nuk vjen në Këshill Bashkiak, nuk shkon në Parlament, nuk paraqitet në zgjedhje? Ndaj ftesa ime është: Kujtoni kush ishte me ju në ditët e vështira”, tha Veliaj.

Nga kundërshtarët politikë, që janë dukur vetëm tani gjatë fushatës për të kërkuar vota, Veliaj kërkoi vetëm të thonë a kanë bërë ndonjë punë në Tiranë.

“Na thoni një shkollë që kanë bërë? Ndoshta 40 shkolla nuk mjaftojnë, ndoshta Tirana ka nevojë për 50 shkolla dhe ne jemi përgatitur edhe për 10 shkolla të reja. Por, fakti që Peza ka 4 shkolla të reja, Ndroqi ka 2 shkolla të reja, Vaqarri ka 2 shkolla të reja, unë besoj se kjo është kartëvizita më e mirë se çfarë mund të bëjmë ne kur përveshim mëngët për punë. Sot kemi përballë jo një parti - se ata s’janë as parti, ata s’kanë as emër, as numër, as logo - sot kemi përballë dy rraqe, dy vjetërsira. Njëri quhet Ilir Meta, tjetri quhet Sali Berisha. Njëri është “non grata” nga Amerika, tjetri është fuksi i lagjes, spiuni i Sigurimit të Shtetit. Alternativa jonë është një skuadër që bën shkollat, që bën kopshtet, që bën çerdhet, që bën tregun agro-ushqimor, që po mbaron Unazën e Tiranës”, tha Veliaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:40
Zgjedhjet/ Veliaj: S’dinë kë emër të vënë në fletën e votimit sepse Saliu është non-grata për Amerikën, Iliri për demokratët

Nga Ndroqi, në takimin me banorët atje, kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj tha se qëllimi i fushatës së Partisë Socialiste është që të mbjellë pemë, dashuri dhe jo sherr e përçarje. Veliaj nënvizoi se kundërshtarët politikë nuk kanë qëllim të punojnë, por të bëjnë luftë me Amerikën, me artistët, me pemët.

“Këtë herë fushata jonë ka qenë ndryshe nga herët e tjera, pa debate e pa sherre, kemi mbjellë vetëm pemë sepse kemi dashur të tregojmë se pavarësisht bindjeve të njerëzve, është shumë e rëndësishme të mbjellim pemë aty ku të tjerët mbjellin sherr. Të mbjellim bashkim, aty ku të tjerët mbjellin përçarje. Të mbjellim dashuri, aty ku të tjerët mbjellin urrejtje. Shija e dashurisë, e bashkimit dhe e një peme që prodhon oksigjen do të jetë një shije shumë herë më e mirë se sa e posterave, e sherrit dhe e mallkimeve që bëjmë për njëri-tjetrin. Në Kamzë do të fitojmë bindshëm, po ashtu edhe në Kavajë, në Rrogozhinë dhe në Vorë, po pala tjetër çfarë po bën? Po shikoj fushatën e tyre, kanë 1 vit që bëjnë luftë me Amerikën, 1 muaj luftë me pemët, tani kanë një javë që bëjnë luftë me artistët. Kanë filluar luftë me Noizyn me Rita Orën, tani mbas dasmës rrezik do hapin luftë edhe me Luizin dhe Kiarën, por ne nuk kemi luftë më njeri. Ne kemi dashuri, e shoqëri, e mirësi, e mbarsi dhe punë për të gjithë njerëzit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku krahasoi kundërshtarët politikë me ‘Big Brother’, kur tha se ata mendojnë kë të përzënë nga shtëpia.

“Njëherë përzunë Jozefinën, pastaj Astrit Patozin, pastaj Majlida Bregun, pastaj Enkeljd Alibeajn, pastaj Gaz Bardhin, tani kanë përzënë edhe Lulin. Ata janë si Big Brother, për pjesën kë do të nxjerrin nga shtëpia. Kurse ne gëzohemi kush po hyn në shtëpi, kush po afrohet në shtëpinë tonë, kush po e shton familjen tonë, kush po bëhet socialist, kush po bashkëngjitet me fushatën tonë, ndaj kjo është formula e fitores. Njerëzit fitojnë kur bëhen bashkë, njerëzit fitojnë kur punojnë bashkë, njerëzit fitojnë kur përqafohen bashkë, njerëzit fitojnë kur vrapojnë bashkë dhe njerëzit fitojnë kur votojnë bashkë për Partinë Socialiste të Shqipërisë”, tha Veliaj.

Mandej ai shtoi: “Ata nuk janë të sigurt kë do të vendosin në fletë votimi. Po të vënë Saliun, ai është non grata për Amerikën. Për demokratët dhe ata që duan që familja e tyre të eci përpara ka një zgjidhje, quhet Partia Socialiste e Shqipërisë”.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale