Kryebashkiaku i kryeqytetit, Erion Veliaj, në cilësinë e drejtuesit politik për qarkun e Tiranës, ka qenë i pranishëm ditën e sotme në Njësinë Nr.13, me rastin e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj u shpreh se kjo lagje do vijojë të zhvillohet me ritme të shpejta edhe për shkak se ndodhet pranë Unazës së Madhe.
“Sot, jo vetëm që të jesh socialist është gjëja më e thjeshtë, por sot të jesh anti-socialist, edhe të jesh kundër kësaj qeverie, të rrëzosh qeverinë, është prapë gjëja më komode në botë. Vjen aty, nuk të rreh policia ty, zakonisht je ti që e rreh policinë me protestat që kemi parë së fundmi, shkon të rrëzosh qeverinë por rrëzon 2 vazo aty të bashkisë që prapë bashkia do t’i rregullojë do t’i mbjellë, pra jetojmë në një epokë krejt tjetër. Pra, edhe kundërshtarët tanë jetojnë më mirë sot, falë shërbimit që iu bëjmë dhe falë mirëkuptimit që ne jetojmë në demokraci, secili ka mendimin e vet dhe është i lirë. Por unë them që ambicia duhet të jetë, përtej faktit që është e lehtë të jesh me PS-në sot dhe përtej faktit që kjo është skuadra më fituese, duhet të ketë edhe bindje pse besoj unë te këto gjëra dhe pse si i majtë e avancoj këtë kauzë me forcën tonë”, tha Veliaj.
Teksa uroi mirëseardhjen për anëtarët e rinj, ai tha se Partia Socialiste është e vetmja forcë që dallon nga partitë e tjera.
“Dua t’ju sfidoj jo vetëm që ne të rritemi me sasi, patjetër që ne duam nga 4 anëtarë të rinj në çdo organizatë dhe jam i bindur që çunat dhe gocat e mrekullueshëm që po anëtarësohen, do i japin një dozë energjie të jashtëzakonshme gjithë organizmit tonë. Është tamam sikur po merr vitamina, pra ti rigjenerohesh. Kështu që këto vitamina janë të nevojshme, por na duhen edhe pjesa e cilësisë, për të kuptuar pse jemi të majtë, pse po i marrim këto vendime, pse jemi në këto debate, ku dallojmë ne nga partitë e tjera. Dhe unë besoj që kjo do na bëjë një forcë të qëndrueshme. Në momentin që edhe ne dimë dhe çfarë besojmë, pra i kemi dhe me logjikë gjërat, jo vetëm po shkoj te këta se këta janë më të shumtë. Po patjetër, duhet të pranoj që edhe kjo është e vërtetë. Është më e lehtë të shkosh me një grup i cili fiton non stop”, u shpreh Veliaj.