Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erioj Veliaj, së bashku me kandidatin për deputet të Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj, zhvilluan një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Rrogozhinë. Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës tha se, ashtu sikurse për artistët që zgjedhin të mbështesin një forcë politike, sidomos në fushata elektorale, edhe shoqëria civile duhet të luajë rolin e saj, duke analizuar programet që partitë ofrojnë.
“Unë besoj që të jesh shoqëri civile nuk është sporti i të qenit gjithmonë kundra, por i të qenit i pavarur. Ama, të jesh i pavarur nuk do të thotë të mos kesh një opinion. Në fushatën e Biden të gjithë artistët më të mëdhenj u pozicionuan dhe thanë “vërtet unë jam artist dhe muzikën duan ta dëgjojnë të gjithë, edhe republikanë edhe demokratë, por, ama, në finale nuk jam pa opinion, unë zgjedh diçka progresiste”. Roli i shoqërisë civile, sidomos në një fushatë, është që të na kontrollojë programet, kush është programi më serioz. E nëse flasim për program, programi ynë është falas, gjendet në internet po e postojnë kudo. Ndërsa programi i tyre kushton 10 mijë lekë. A keni parë ndonjë lider të thotë, “po i bëj një letër të hapur popullit, por letra bën 10 mijë lek ta hapësh?! Kjo është qesharake! – tha ai.
Veliaj theksoi se, përtej opinioneve, shoqëria ka nevojë të vihet përpara fakteve. “Unë besoj që qëllimi i shoqërisë civile është të bëjë atë që quhet “fact check”, kontrolli i fakteve, kush gënjen dhe kush thotë të vërtetën. Ne mund të kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Është fakt që u mbyll “Kristali” me “Vitrinën”. Është fakt, ka 7 vjet nuk ka më protesta të të përndjekurve, se u dhanë të 7 këstet. Është fakt që PS e çoi çështjen çame në Gjykatën Kushtetuese e në Hagë. Është fakt që tek partia që kemi përballë po the dhëndri, kunati, djali dihet për kë e ke. Edhe tek ajo partia e vogël që është bërë kokoshi një thelë, po the burri dhe gruaja merret vesh për kë e ke. Këto janë fakte. Ti nuk e ke në dorë Presidentin që çmendet, shkon zihet me policët në prag pensioni të Bashkisë dhe as Presidentin e mëparshëm që shkon e zihet me lodrat e fëmijëve tek liqeni. Është fakt dalldia e dy presidentëve konsekutivë. Ne mund të kemi opinione të ndryshme si bëhen rrugët, por është fakt që Astiri u bllokua tre vjet,” vijoi Veliaj.
Në fund kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh i bindur për fitoren e Partisë Socialiste për vetë faktin se çdo qytet i Shqipërisë sot është transformuar. “Unë jam i bindur që ne do fitojmë, jo se e thonë sondazhet, por se është punuar. Edi Rama ka punuar. Janë transformuar qytetet në mënyrë të paimagjinueshme, qytete që kishin ngelur si xhepa, siç është Rrogozhina; qytete që ishin lënë pas dore, si Vlora, apo Durrësi; qytete që kishin ngelur në harresë, siç ishte Korça; qytete për të cilat kujtoheshin vetëm për ditëlindjen e Skënderbeut, si Kruja, apo kryeqyteti, Tirana, ku qeveria vinte me matrapik të prishte Zogun e Zi, ku zaptohej Liqeni, Lana e Parku Rinia,” deklaroi Veliaj.