Veliaj nga Rrogozhina: Çim bixhozi i Saliut dhe Ilirit nuk mund t‘i trajtojë njerëzit si keca që blihen! Në Kavajë, plehrat mullar

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të Rrogozhinës që të votojnë të dielën kandidatin e PS, Edison Memolla. Gjatë një takimi në zonën e Lekajt, Veliaj tha se opozita gabon kur mendon se mund të blejë dinjitetin dhe votën e banorëve në Rrogozhinë.

“Për këta që kanë gjithë këto lekë dhe hapen nëpër tavolinat e Tiranës, duke thënë: ‘O Sali, o Ilir, unë i blej ata si keca’, kë ofendojnë? Njerëzit që punojnë gjithë jetën me djersë? Këta mendojnë se dinjiteti ka çmim? Mendojnë këta se nderi ka çmim? Mendojnë këta se emri ka çmim? Se fytyra ka çmim? Sigurisht, ata janë të pafe, të pa atdhe, ata mund të sjellin dikë që nuk ka lidhje me zonën dhe sigurisht mund të gjejë dikë për t’ia blerë votën, por unë di të them se kurrë nuk e kam parë PS në Rrogozhinë dhe këtu në Lekaj dhe Gërmenj më të organizuar, më të bashkuar, më optimiste, më të hapur edhe për t’u bashkuar me njerëz të tjerë”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se Berisha dhe Meta përfaqësojnë llumin dhe se ata nuk mund të tallen me banorët e kësaj zone.

 “Me Saliun dhe me Ilirin u prishën rregullat e kafes dhe të fizikës. Llumi lart, ajka poshtë. Nuk ka logjikë kjo. Këta njerëz nuk ngelën për një barsoletë, apo për ta kthyer në bixhoz, për t’u tallur Iliri me Saliun me Rrogozhinën. Sot na kërkohet të bëjmë një sacrifice: të dalim 30 minuta nga shtëpia dhe të votojnë Edisonin, numrin 1, Partinë Socialiste dhe t’i themi atyre të bixhozit kthehuni nga keni ardhur, shkoni në Gjirin e Lalëzit me Saliun dhe me Ilirin, se nuk jeni ju për punë”, tha Veliaj.

Drejtuesi politik i PS solli shembullin e Kavajës ku, pas ndryshimit të drejtimit të Bashkisë, plehrat kanë mbushur qytetin.

“Mendoni vërtet se Saliu me Ilirin do prishin pushimet e tyre dhe do merren me Rrogozhinën? Mendoni vërtet se ata mund të pastrojnë qytetet? Mendoni vërtet se ata mund të hapin kanalet? Mendoni vërtet se ata mund të ndihmojnë bujqësinë? Mendoni vërtet se ata mund të japin subvencione? Ata sapo mbaruan zgjedhjet u plasi dhe sherri mes tyre dhe nga dy copa u ndanë në katër copa, nga katër copa, në tetë copa. Si thoshin plakat tona: “kokat hëngshin”. Sepse nuk janë ata për punë. Ata po të donin punë, sa fituan Kavajën, mund të kishin vajtur në Kavajë ta pastronin, kurse atje janë bërë plehrat mullar. Mund të kishin vajtur në Kavajë të zhbllokonin kanalet. Janë bllokuar të gjitha kanalet. Mund të kishin vajtur të kishin pastruar plazhin. Plazhi është bërë sot më i ndotur se kurrë. Sepse Iliri dhe Saliu i duan njerëzit ‘përça dhe sundo’. Dhe tamam si ky, Çim bixhozi, i trajtojnë njerëzit si keca që mund të blihen”, theksoi Veliaj.

Veliaj tha se vetëm kandidati socialist, Edison Memolla, do e çojë Rrogozhinën përpara dhe jo ata që djegin dhe shkatërrojnë shtëpinë e tyre. 

“Ata çfarë i bënë Shqipërisë, ia bënë edhe selisë së tyre, shtëpisë së tyre. Por dua t’ju kujtoj që, në ditët e vështirësisë, gjithë këta milionerët s’ishin këtu. Ku ishin këta milionerët kur ra tërmeti? Sa shtëpi bënë pas tërmetit këta milionerët që sot janë gati të blejnë vota sikur të jenë keca? Po për pandeminë ku ishin? E kuptoni që këta kur vjen fatkeqësia, rrinë në Tiranë te selia? Kur gjërat shkuan keq, kur ne kishim karantinë dhe kishim nevojë për vaksina, e kur ne kishim tërmetin, ne kishim nevojë për shtëpi, Partia Socialiste dhe gjithë skuadra jonë, ishte këtu me njerëzit. Ne nuk na duhen njerëzit sot që është diell, na duhen njerëzit kur bie shi, kur bie tërmet, kur vjen fatkeqësia, kur vjen sëmundja, ndaj na duhet Partia Socialiste”, tha Veliaj. 

Ndërsa, për Sali Berishën dhe Ilir Metën, Veliaj tha se sapo mbaruan zgjedhjet ata bënë edhe njëherë atë që dinë të bëjnë më mirë, që është përçarja.

“Sa mbaruan zgjedhjet, Saliu me Ilirin u përçanë prapë. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kërkesa e parë në rendin e ditës ishte të ndahet grupi “Bashkimi për Fitoren”, se është zënë Saliu me Ilirin. Përpara u zu Saliu me Lulin. Ju kujtohet? Demokratëve po e po, por edhe ne socialistëve na kujtohet sesi e shqyen shtëpinë e tyre. Ju kujtohet në 8 janar? Vajtën shqyen shtëpinë e tyre. Vajtën, si vëllai të shkojë të djegë shtëpinë e vëllait të vet. I shihje aty para Bashkisë së Tiranës me shkopinj bejsbolli. Thashë kushedi, do shpikin lojë të re, se Tirana është Qyteti Europian i Sportit, kurse ata bejsbollin e kishin për të rrahur njëri-tjetrin. Pra një familje që bëhet çorap, që djeg shtëpinë e saj, një forcë politike që rreh kolegun e vet, vëllain e vet, sado ta kenë emrin demokratë, vetëm demokratë nuk janë. Të gjithë demokratët që e kanë kuptuar se ata që nuk rregullojnë dot shtëpinë e vet, nuk i rregullojnë dot shtëpitë tona dhe prej këtij kuptimi keni ardhur në familjen tonë, unë ju them mirë se keni ardhur në një familje që i trajton të gjithë me respekt”, përfundoi Veliaj.

G.MO/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • mmmmm: 20/07/2023 10:26

    po tirona jote me legen qe eshte llum.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Albcontrol 39,7 milionë lekë për pajisjet e Kullës së Kontrollit në Aeroportin e Vlorës

Albcontrol 39,7 milionë lekë për pajisjet e Kullës së Kontrollit në Aeroportin e Vlorës