Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, gjatë një takimi me të moshuarit në Këshillin Bashkiak, u shpreh se Partia Demokratike jo vetëm që do paguajë gjobën prej 163 milionë lekëve që bashkia i ka vënë për dëmet e shkaktuara në protestën e 8 dhjetorit, por do të përballet e të tjera fatura nëse veprimet e dhunshme do të përsëriten në protestën e së enjtes.

Veliaj tha se PD po merret me personin që ka nënshkruar gjobën, ndërkohë që duhet të mendojë për pagesën pasi në të kundërt do të merren masat që parashikon ligji.
 
"Nuk mund të jetë ofertë politike shkatërrimi, por një sistem i ri arsimi, taksash, energjetik. Dhuna nuk është platformë politike. Teksa pritet protesta tjetër shpresoj që partitë politike nuk do shkatërrojnë qytetin. Për politikë jemi gati të gjithë, për protesta i mirëpresim të gjithë, por mos na shkatërroni qytetin. Se janë me lekët e qytetarit. Jo vetëm do paguhet gjoba që u emetua herën e fundit. Se këta merren me lajmësin dhe jo me lajmin. Lajmi është që kush dëmton paguan. Po pati dëmtime prap fatura. Letra ju shkon në mënyra të ndryshme edhe pa korrier. Janë të pafuqishëm ta refuzojnë lajmin dhe merren me lajmësin,” u shpreh Veliaj.

Sa i përket nevojave të moshës së trëtë duke filluar nga kjo e hënë, interesat e tyre për rolin e Bashkisë së Tiranës do të përfaqësohen nga Këshilli i Moshës së Tretë, të cilët do të ndjekin nga afër vendimmarrjet e bashkisë.  “Kemi kërkuar që me këtë organizim, të fillojmë një risi në qytetin e Tiranës, ku të kemi një këshill i moshës së tretë”, tha Veliaj.
 
Krahas këtij këshilli, kryebashkiaku i Tiranës sqaroi se ashtu si Këshilli Rinor, do të kemi gjithashtu edhe Këshillin e Fëmijëve. “Kjo do të jetë pjesë e një organizimi konstant, vendimmarrës, këshillimor për Bashkinë e Tiranës. Si në ekzekutivin e Bashkisë, si në legjislativin e Bashkisë dhe qarkut, ne besojmë në filozofinë e një qyteti që quhet 8-80. Pra, një qytet që është i mirë dhe i jetueshëm për një 8 vjeçar, është gjithashtu edhe për një 80 vjeçar”, deklaroi Veliaj.
 
Të gjithë anëtarët e Këshillit të Moshës së Tretë do të kenë mundësi që të shpërndahen në disa komisione, të cilat do të prodhojnë qëndrime të unifikuara për çështje të caktuara. 

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)