TIRANË- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ka paraqitur ditën e sotme projektligjin për uljen e moshës së pensionit për minatorët.
"Qeveria është e vetëdijshme për kushtet e vështira të punës në këtë sektor, e shoqëruar kjo me lodhje fizike, në ambiente me prezencë të pluhurave, gazrave, të cilat krahas rrezikut të shtuar për aksidente, japin dëmtime graduale të aftësive për punë, deri në dëmtime të parehabilitueshme, që sjellin paaftësinë për punë dhe uljen e jetëgjatësisë së tyre",  tha Veliaj.
Miratimi i këtij projektligji jo vetëm që do të ulë me 5 vjet, nga 60 në 55 vjeç, moshën e daljes në pension të minatorëve, por edhe do të rrisë përfitimet e të gjithë atyre ish-minatorëve që sot përfitojnë trajtim të veçantë financiar.
Nga ky projektligj pritet të përfitojnë 3840 individë, pjesa dërrmuese e të cilëve, rreth 3700 individë, sot përfitojnë trajtim të veçantë financiar.
Ndërkaq, gjatë diskutimit të projektligjit, Veliaj ka theksuar se për mbështetjen e kostove financiare të projekligjit, sipas diskutimeve të bëra në Këshillin Kombëtar të Punës, përfaqësues të industrisë minerare dhe sindikatave kanë rënë dakord për të rritur kontributin në masën 5% të pagës, nga të cilat 3% do të paguhen nga punëdhënësi dhe 2% nga punëmarrësi.
Pjesa tjetër, si edhe ata minatorë që do të dalin me këtë ligj në pension, do të përfitojnë pensione mujore akoma edhe më të larta deri në masën 21,000 lekë në muaj. Pjesa tjetër dhe ata që do të përfitojnë nga ky ligj do të mund të përfitojnë pensione më të larta se 21.000 lekë në muaj./ATSH/