Programin e tij për fshatin, kandidati i majtë për bashkinë e Tiranës Erion Veliaj është ndalur për ta prezantuar në Pezë. Integrim rrugor të zonave rurale dhe ndërlidhje me transport publik të të gjithë territorit të Bashkisë së re të Tiranës ishin dy nga zotimet që Veliaj u bëri banorëve të Pezës.
 
Duke prezantuar programin e tij të detajuar për zonat rurale, të cilat me reformën territoriale i bashkohen Bashkisë së Tiranës, Veliaj bëri edhe dy premtime konkrete: ndërtimin e dy rrugëve në Pezë, rrugën e Varoshit 2km të gjatë dhe rrugën Pezë-Gjysulkonjë 4 km e gjatë.
 
Kjo fushatë nuk është për premtime fantastiko-shkencore, por për temat e thjeshta, për të cilat diskutohet në tavolinën e bukës të çdo qytetari. Ata flasin për gjëra konkrete, për shkollat, rrugët, tregjet etj, jo se çdo bëjë Saliu e Shkëlzeni. Po shkojmë në çdo njësi, fshat e qytet, që çdo njësi të ketë programin e vet konkret dhe çdo njeri të marrë vesh se ç’do ndodhë në lagjet e tyre. Po sjellim një projekt konkret për nevojat e çdo lagjeje, si një kostum që është qepur sipas masës së çdo njësie”, deklaroi Veliaj nga Peza.
 
Ai tha se në infrastruktura dhe kanalizimet janë problematikat më të mëdha në fshatrat e Pezës, ndërkohë që do të ofrohen incentiva për fermat dhe bizneset agrobujqësore. Sipas tij, në zonat rurale rreth e rrotull Tiranës, që tashmë janë pjesë e Bashkisë së re, ka nevojë për një rikonceptim të shpërndarjes gjeografike dhe organizimit të tregjeve, vendosjen në punë të sistemit të vaditjes dhe kullimit në të gjithë territorin, si dhe premtoi ngritjen e Qendrës së Agronomisë dhe Veterinarisë për të orientuar fermerët dhe Qendrën e Këshillimit dhe Mbështetjes së Zonave Rurale, për të ofruar asistencë teknike dhe grante për fermerët.
 
Veliaj tha se do të ndërtohen pika të grumbullimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale përmes skemave të PPP, si dhe do të hartohen guida turistike dhe vendosen linja transporti të dedikuara drejt pikave turistike strategjike. Duke u rikthyer te problematika në Pezë, Veliaj tha se prioritet i bashkisë do të jetë edhe vendosja e argjinaturës në lagjen Çelje e Pezës së Vogël, që rrezikohet nga erozioni.
 
“Kundërshtarët po na thonë: Eja kthehemi atje ku ishim. Kur këta e thonë këtë, e thonë sepse ishin mirë vetë. Por, ne nuk kthehemi më mbrapsht, do të shkojmë në drejtimin e duhur”, tha Veliaj.

Ai i ftoi sërish në debat palën tjetër për të diskutuar konkretisht se çfarë do të bëjnë konkretisht për çdo lagje e çdo fshat në Bashkinë e Tiranës.
 
10 pikat e programit për fshatin
1. Integrimin rrugor të zonave rurale në territorin e Bashkisë së Tiranës;
2. Ndërlidhje me transport publik të gjithë territorit;
3. Rikonceptim i shpërndarjes gjeografike dhe organizimit të tregjeve;
4. Vendosjen në punë të sistemit të vaditjes dhe kullimit në territorin e Bashkisë Tiranë;
5. Ngrejmë Qendrën e Agronomisë dhe Veterinarisë për të orientuar fermerët;
6. Ngrejmë Qendrën e Këshillimit dhe Mbështetjes së Zonave Rurale për të ofruar asistencë teknike dhe grante për fermerët;
7. Ndërtim i pikave të grumbullimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale përmes skemave të PPP;
8. Hartojmë një guidë të plotë turistike për atraksionet turistike;
9. Vendosim linja transporti të dedikuara drejt pikave turistike strategjike;
10. Ofrojmë incentiva për fermat dhe bizneset agrobujqësore.

"Ndaj ne do të financojmë të gjitha ato familje të cilat duan që një pjesë të shtëpisë së tyre ta përdorin si hotel dhe ta ofrojë edhe për agroturizmin, ku u shërbejnë shumë turistëve prodhimet e zonës, një shembull i mirë i zhvillimit të kësaj tradite është Theth. Por, ne Thethin e kemi këtu në Tiranë", -tha Veliaj. 


Redaksia online
(o.b/ Shqiptarja.com)