Drejtuesi politik i PS në qarkun e Tiranës dhe njëherazi kreu i Bashkisë, bën me dije se socialistët kanë fituar në njësinë numër 1. Në një deklaratë për mediat, Veliaj tha se PS ka fituar me 52.4% dhe se ka marrë më shumë vota se të gjitha forcat e tjera politike së bashku. Ai u shpreh se maxhoranca duhet të jetë e përulur në këtë fitore dhe se mandati i tretë, është një mandat për t'i bashkuar njerëzit.
"Ka qenë një natë e gjatë, 72 orë, por ja ka vlejtur, sepse ne kemi fituar në njësinë nr.1 me mbi 52.4% të votave. Ka qenë një fushatë fantastike. Kemi përmirësuar rezultatin. Është koha t'i rikthehemi më fuqishëm punëve në njësinë nr.1, besoj që mesazhi është i qartë për forcën tonë, pasi morëm shumë më shumë se gjithë të tjerët në atë njësi. Do të doja të kishim një tur zgjatje dore për ata që mendojnë ndryshe nga ne. Ne fituam sepse jemi shumica, pro na duhet ët jemi të përulur në këtë fitore. është një mandat shumë i fortë për t'i bashkuar njerëzit dhe për të bërë shumë punë", tha Veliaj.
Veliaj bëri me dije se PS ka dalë fituese edhe në Vorë, duke siguruar 54% të votave.
Edhe Astiri, një prej zonave të kryeqytetit ku puna për Unazën e Madhe u vonua për dy vite për shkak të protestave të opozitës, sot votoi me mbi 60% Partinë Socialiste. Lajmin e mirë e dha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nga selia e PS-së, duke e cilësuar këtë fitore si "qershia mbi tortë".
"Siç ju kisha premtuar, do kishte një qershi mbi tortë sot, qershia mbi tortë është që Astiri ka votuar me 60% Partinë Socialiste. Ata që punojnë, jo ata që bllokojnë. Është një lajm fantastik. Falenderoj gjithë banorët e Astirit e Unazës së Re, gjithë banorët e një zone që ka qenë pjesë e debatit publik prej kohësh. Gjithmonë kam besuar që betejën më të madhe në Shqipëri, janë kryesisht minoranca të zhurmshme. Duke qenë se bërtasin gjithë kohën, të japin përkohësisht idenë se janë shumica. Por këta nuk përfaqësojnë shumicën e heshtur që duan punët e mira. Ka një arsye pse e quajta "qershia mbi tortë" sepse nuk jam gëzuar aq shumë kur mundëm në Tiranë Lulin apo në Kavajë Saliun sa ç'jam gëzuar kur mundëm mendësinë bllokuese të Lulit dhe Saliut për Shqipërinë që ka nevojë të ecë përpara", tha Veliaj.
Fitore spektakolare e Partisë Socialiste në Njësinë 7 në Tiranë. Kandidatja dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj komunikoi arritjen e një rekordi historik votash për PS në këtë njësi zgjedhore ku kutia e fundit e votave për partitë përfundoi në orën 15:00.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj u shpreh se "Sapo u numërua vota e fundit për numrin 12 në zonën zgjedhore 37 dhe kemi regjistruar rezultatin më të lartë historik për Partinë Socialiste në këtë zonë. Pas një fushate të gjatë dhe plot entuziazëm dhe pas një maratone numërimi, jam e lumtur dhe tejet krenare të shënojmë 15,918 vota për Partinë Socialiste dhe kryetarin Edi Rama tek Njësia 7. Më shumë se në 2013! Më shumë se në 2017! Faleminderit nga zemra të gjithë banorëve të Shtatës për besimin e palëkundur tek Partia Socialiste dhe tek fushata jonë kokë më kokë me zgjedhësit. Një falenderim i veçantë për ekipin e fushatës për sakrificat dhe pasionin. Të gjithë bashkë ia dolëm të kapim një rekord të ri elektoral tek Shtata dhe një sukses elektoral pa precedent."
Partia Socialiste ka korrur fitore edhe në Kavajë, ku marrë edhe më shumë vota se në vitin 2017. Në një deklaratë për mediat, drejtuesi politik i PS, Erion Veliaj, nuk e fshehu entuziazmin për këtë fitore, ndërsa i "vodhi" PD-së kolonën zanore të fushatës teksa tha "jemi të pandalshëm". Sipas Veliaj, fitorja e PS është përgjigjja e tij për të gjitha akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe për të gjithë ata që mundohen t'i përçajnë.
"Jemi të pandalshëm. Më keni pyetur shpesh se pse nuk jap një përgjigje për të gjitha fëlliqësirat që Sali Berisha nxjerr nga goja, apo ata analistët, më keni pyetur pse nuk flas për këta njerëz... sa fituam Kavajën? Kjo është përgjigja ime për të gjithë ata që na hyjnë me gjuhën e urrejtjes, gënjeshtrat dhe ata që mundohen të na përçajnë e të na vënë kundër njëri tjetrit, që flasin para kohe. Ne sapo fituam Kavajën, e fituam më shumë se në vitin 2017, Kavajën dhe Rrogozhinën", tha Veliaj.
Partia Socialiste ka fituar me 54% të votave në Kombinat. E emocionuar kandidatja e PS në këtë zonë, Belinda Balluku, falënderoi të gjithë votuesit që i dhanë besimin, skuadrën e saj dhe veçanërisht familjen. E shoqëruar nga e bija, Belen, e përlotur Balluku tha se nuk do të kishte arritur të merrte këtë rezultat në zgjedhje, nëse fëmijët e saj nuk do t'i kishin dhënë 'lejen' për të punuar, por do të kërkonin që ajo të kalonte më shumë kohë me ta. Por sipas Ballukut, fëmijët e saj e kuptuan që ajo duhej ta fitonte këtë 'luftë'.
"Dua të falënderoj babain tim, Çlirim Ballukun i cili erdhi në fushatë për Partinë Socialiste dhe jo për mua. Pavarësisht se unë jam kundra ekspozimit të fëmijëve në fushatë dhe unë i mbaj zakonisht fëmijët e mi larg, sot vendosa të marr Belen me vete sepse ajo dhe i vëllai, që nuk do të dalë në media, janë një pjesë e rëndësishme e kësaj fitoreje sepse nëse ata nuk do më kishin lejuar të kisha kohën e disponueshme për të bërë fushatë, nëse do kishin insistuar të rrija më shumë me ta, unë nuk do ja kisha dalë dot të merrja rezultatin që mora, por Belen dhe vëllai kuptuan që ne duhej ta fitonin këtë luftë dhe më dhanë leje që unë të punoja maksimalisht dhe kemi patur ditë që nuk e kemi parë njëri-tjetrin, por ama erdhëm me fitore", tha Balluku.
Partia Socialiste thyen për herë të parë pas 20 vitesh një prej bastioneve më të forta të Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, Bashkinë e Vorës. Drejtuesi politik i PS Erion Veliaj ka deklaruar se në këtë bashki, Partia Socialiste ka fituar bindshëm me plot 54% të votave. Bastioni historik i PD, e cila megjithatë e kishte lënë në mëshirë të fatit të gjithë zonën mes Tiranës e Durrësit në dy dekada, është kthyer majtas falë fushatës intensive të drejtuar nga Veliaj edhe në këtë bashki, si drejtues i të gjithë qarkut më të madh të vendit.
“Kemi pritur 20 vite për ta bërë këtë lajmërim. anë qenë 20 vite ku ne kemi qenë në opozitë, nuk jemi dorëzuar, jemi rrëzuar jemi ngritur por mund të them me plot gojën që pas 20 vitesh PS sot ka fituar në Vorë me 54%. Dua të falenderoj të gjithë qytetarët e Vorës që zgjodhën ndryshimin, zgjodhën si në Vorë, si në Prezë si në Bërxullë, si në Domje një alternativ që prej 20 vitesh nuk ishte forca përfaqësuese e tyre në Vorë. Di t’ju them gjithë atyre që morën një shans, vunë një besim në shtëpinë tonë politike që nuk do zhgënjehen. Ne do ju shërbejmë me shumë dinjitet,” u shpreh Veliaj.
Ai falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në fitoren e kësaj bashkie, por nga ana tjetër u zotua që do u shërbejë të gjithëve njëlloj, edhe atyre që nuk mendojnë dhe votojnë majtas.
“Të gjithë atyre burra e grave që kanë shërbyer gjithë këto vite mbi dy dekada në Vorë për PS gjithmonë të nënshtruar, gjithmonë në opozitë, inferiorë, mundi juaj u shpërblye. Për të gjithë ata që mendonin që Vorën e kishin në xhep, e që kishin var xhaketën, që do prisnin duar e këmbë në Vorë për parti di tu them që ne do u shërbejmë të gjithëve njësoj dhe kjo retorikë nuk shkon. Edhe atyre që mendojnë ndryshe nga ne, do t’ju them që do ju shërbejmë me shumë përulësi. Një nga mesazhet që dua tu jap është se do jemi si në bashki ashtu dhe në parlament ku do i përfaqësojmë të gjithë edhe të majtë edhe të djathtë,” deklaroi Veliaj.
Njësia 2 është fitorja e radhës e Partisë Socialiste në Tiranë. Erion Veliaj, së bashku me deputetin e PS, Arben Pëllumbi, kanë falënderuar çdo votues që i ka besuar për një mandat të tretë Partisë Socialiste.
“Jam shumë i lumtur që është një njësi që ka disa nga investime tona ikonë, duke filluar nga stadiumi “Arena Kombëtare”, Piramida, shkolla Kosova, shkolla e Baletit, kështu që nuk ka rëndësi nëse jeni nga Sauku, apo nga rruga e Elbasanit, faleminderit të gjithë qytetarëve, nga Njësia 2 për këtë bekim të madh dhe për këtë mbështetje të madhe që na keni dhënë,” u shpreh Veliaj duke shprehur mirënjohjen e thellë edhe për çdokënd që është angazhuar për këtë fitore, komisionerët, numëruesit apo të deleguarit e PS në këtë zonë.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste nuk la pa përmendur kandidaten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila garonte në këtë njësi, që tashmë i shtohet zonave humbëse të opozitës në kryeqytet.
“Puna e parë që duhet të bëjmë është shtrirja e dorës për kundërshtarët tanë. Ka qenë një njësi ku kemi pasur një betejë shumë të forte, duke filluar nga Presidenti i Republikës, te shoqja ime e vjetër Jorida, por në këtë moment, çfarëdo dallimesh që kemi, ose qejfmbetjesh nga fushata, çdo lloj pakënaqësie, duhet të jetë pjesë e së kaluarës dhe duhet të shohim përpara. Ajo që i kam kërkuar Benit është që sot të telefonojë Joridën dhe t’i thotë që beteja mbaroi, pati një fitues për njësinë tonë, por nga tani të dy deputetët, si Beni që përfaqëson skuadrën fituese, por dhe mikesha jonë, që përfaqëson opozitën, do të duhet të punojnë bashkë që Njësia 2 të vazhdojë të ecë akoma më përpara dhe ne t’iu shërbejmë të gjithëve njësoj, pavarësisht bindjeve politike dhe pavarësisht angazhimeve të fushatës,” theksoi Veliaj.