TIRANE - “Impelementimi i taksës progresive, ka rritur me 10% pagën neto.” Kjo gjë u bë e ditur nga Ministri i Mirëqënies Erion Veliaj në konferencën e ILO-s për pagat.
 
Në fjalën e ministri Veliaj tha se, pavarësisht krizës ekonomike që vijon në vendet më të mëdha të botës, qeveria falë masave të ndërmarra këto muaj, siç është taksa progresive ka mundësuar rritjen e pagës neto me 10%. Ai theksoi se trendi i rritjes së pagave do të vijojë, pasi sipas tij qeveria po punon në këtë drejtim.
 
Veliaj tha gjithashtu se dikasteri që ai drejton po shqyrton mundësitë për nxitje të aktivitetit ekonomik.
 
“Kjo konferencë shtron për diskutim një çështje që nuk ka pasur ndoshta vëmendjen e duhur, siç është ajo e çështjes së pagave. Kjo konferencë vjen në një kohë kur kriza vazhdon edhe në vendet më të mëdha të botës dhe njëkohësisht edhe në vendin tonë. Me anë të taksës progresive, u rrit 10% paga neto. Qeveria ka marrë disa masa për të ruajtur trendin e rritjes së pagave. Në politikën tonë të pagave, Ministria e Mirëqënies ka negociuar për një mirëkuptim social për nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe uljen e varfërisë. Arritjet në fushën e progresit social u njohën edhe në progres raportin e fundit të KE.” theksoi Veliaj
 
Duke vijuar më tej Veliaj, parashtroi problematikën e pabarazisë së pagave mes burrave dhe grave. Sipas ministrit për të njëjtën punë, një burrë paguhet më shumë se një grua edhe pse siç theksoi Veliaj, rendimenti në punë mund të jetë më i lartë nga ana e grave, duke shtuar se qeveria do të ndërmarrë masa edhe për këtë.
 
Veliaj tha se gjatë këtyre muajve është bërë më tepër në sistemin e pagave se sa është arritur të bëhet në gjithë këto vite nga qeveritë paraardhëse.
 
“Një drejtim i rëndësishëm që mbetet është përmirësimi i rolit të pagave minimale. Gjithashtu pabarazia mes burrave e grave vijon të mbetet një problem. Për të njëjtën punë burrat paguhen më shumë edhe pse rendimenti i grave mund të jetë më i lartë.  Në shumë pak muaj kemi bërë më shumë në fushën sociale dhe politikat e pagës se sa është bërë në gjithë këto vite.” tha ministri Veliaj

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)