TIRANË - Borxhi që ka lënë bashkia e vjetër e Tiranës, e kryesuar nga Lulzim Basha ka lënë pa çerdhe dhe kopshte vogëlushët e Tiranës.

Alarmin për këtë e ka ngritur kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ka ftuar biznesin që të kontribuojë për rikonstruksionin e çerdheve dhe për ti bërë ato gati deri në Shtator.

"Dua t’i bëj një thirrje për 31 engjëj që mund të na shpëtojnë nga ky ferr financiar. Në rast se ka 31 kompani, 31 organizata, 31 fondacione, 31 individë që do të ofroheshin pranë bashkisë së Tiranës për të marrë dhe për të adoptuar një çerdhe, ne do ta çmonim jashtë mase. Ndaj thirrja ime është publike, nëse në qytetin më të madh të shqiptarëve ka mjaftueshëm bamirësi dhe bujari, duhet të ketë 31 vetë, biznese, fondacione apo organizata, që të ofrohen dhe të adoptojnë një çerdhe. Sot thirrja është shumë e qartë, adopto një çerdhe”, - tha Veliaj.

Këto deklarata Veliaj i bëri teksa inspektoi çerdhen ‘Taulantia’ në kryeqytet në të cilën kryebashkiaku tha se ishte e njëjta ku kishte shkuar dhe ai vetë.
veliaj
Edhe më herët Kryetari i Bashkisë ka deklaruar se buxheti i bashkisë është në një gjendje të mjerueshme dhe se për bashkinë e re do të jetë e vështirë që të realizojë projektet pa patur mbështetjen e bizneseve donatore.
 
Do të vinim në dispozicion të gjithë stafin tonë, vullnetarë dhe të gjithë dashamirësit sipas secilës njësi. Në Njësinë 2 me Elezin dhe ekipin, në Njësinë tjetër me Zhanin dhe ekipin e saj, të jemi në dispozicion të këtyre bamirësve për të na ndihmuar që të kemi një fillim të mbarë të vitit, për të gjithë ata prindër që duan dhe presin çerdhe më dinjitoze se këto që inspektuam sot. Ne do të ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme dhe për projektet dhe për stafin për tú siguruar që në një kohë rekord, 31 çerdhet që sot janë pa asnjë financim, prej këtij buxheti që kemi gjetur të rrënuar dhe prej këtij borxhi që na ka zënë frymën” – tha Veliaj