Qyteti nuk mund të mbahet peng nga asnjë minorancë e zhurmshme. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga Denveri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku mori në konferencën vjetore me temë “Qytete që rriten me gjelbërim”, në të cilën prezantoi Tiranën dhe projektet transformuese të saj, u shpreh se qyteti nuk mund të ndalet në rrugën për të ecur përpara me Teatrin Kombëtar, Unazën e Re, zgjatimin e Lanës apo Bulevardin e Ri, pavarësisht kundërshtive që mund të kenë pakica të caktuara të lidhura me politikën.
Kryebashkiaku tha se ashtu siç janë kundërshtuar çdo gjë e mirë e bërë nga Bashkia e Tiranës për qytetarët në këto 4 vjet, edhe projekti i Teatrit të Ri do të zhvillohet dhe kryeqyteti do ketë një teatër modern, bashkëkohor, i cili do t’i shërbejë si aktorëve, ashtu edhe artdashësve.
“Kemi kaluar disa sfida në mandatin tonë të parë: mbaj mend këndet e lodrave, protestat kundër tyre. Edhe këtu në Amerikë shumë prej projekteve që sjellin ndryshim përshkohen nga një sens histerie, protestash apo pakënaqësie. Megjithatë, kur ndryshimi vjen, përqafohet nga të gjithë. Në Tiranë ndryshimi do të vijë edhe për çështje shumë të debatueshme, si zgjatimi i Lanës, Unaza e Madhe, Teatri i Ri Kombëtar, por janë ndryshime absolutisht të nevojshme dhe të pakontestueshme. Pra, nuk mundet që qyteti të mbahet peng prej disa minorancave që do ekzistojnë gjithmonë, dhe gjithmonë nuk do të bien dakord. Më vjen mirë se si Tirana, në aktivitetin më të madh të bashkive në SHBA, është sot imazhi i një Shqipërie moderne, i një Shqipërie që po ndryshon, që ka plot probleme, por që më e mira është përpara”, tha Veliaj.
Duke iu referuar pikërisht temës së diskutimit të këtij takimi, kryebashkiaku u shpreh i kënaqur që Tirana është përzgjedhur si model suksesi për nismat në shtimin e gjelbërimit, duke filluar nga zbatimi i projektit të Pyllit Orbital e deri investimet në parqe, çka ka sjellë edhe një frekuentim masiv të tyre. “Jam shumë krenar për të gjitha ato që kemi arritur në Tiranë. Një nga gjërat për të cilat po shquhet Tirana janë hapësirat e gjelbërta. Sapo kemi filluar rehabilitimin e Parkut Rinia, kemi mbaruar Parkun e Liqenit, që është parku tradicional i Tiranës, por ambicia për 4 vitet e tjera është që të vazhdojmë me Parkun e Kasharit, me Parkun e Farkës. E mbi të gjitha, të vijojmë me Parkun Qendror te Bulevardi i Ri dhe parkun linear në të dyja brigjet e lumit të Tiranës. E shohim Bulevardin e Ri jo vetëm si një hapësirë të financës dhe teknologjisë, të hoteleve të ardhshme, por e shohim kryesisht të lidhur me parqet që do të ndërtohen në atë zonë”, theksoi ai.
Më tej, Veliaj nënvizoi se nisur nga mënyra se si qytetarët i kanë pritur këto ndryshime, edhe në 4 vitet e ardhshme të mandatit të dytë, shtimi i hapësirave të gjelbra dhe politikat që sjellin një mjedis të pastër, do të jenë në qendër të vëmendjes së Bashkisë Tiranë.
“Njerëzit preferojnë ta kenë shtëpinë, punën, rutinën e ditës, pranë një parku dhe një hapësire të gjelbërt. Nëse do të kishte një refren ose një etiketë për 4 vitet e ardhshme të Bashkisë së Tiranës, do të ishin 4 vitet e hapësirave të gjelbërta, parqeve dhe të këndeve të lodrave. Kemi parë se si vlera e pronës është rritur aty ku ka një park. Kemi parë se si ekonomia është zhvilluar, janë krijuar më shumë vende pune, dhe do të doja shumë që reputacioni i Tiranës të ishte rreth parqeve”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj hapi Kongresin vjetor me temë “Qytete që rriten me gjelbërim”, ku morën pjesë mbi 1.000 kryetarë bashkish dhe menaxherë qytetesh nga 200 bashki të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kanadasë. Në vitet e fundit, takimi “Greater & Greener” ka tërhequr folës dhe liderë nga mbi 20 vende, duke përfshirë kryebashkiakun e qytetit të Nju Jork-ut, Michael Bloomberg, kryebashkiakun e San Franciskos, Ed Lee, Guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Neësom etj.
Plani Vendor për Tiranën 2030, transformimi i Sheshit “Skënderbej” dhe fokusi tek investimet urbane për krijimin e “Pyllit Orbital” përreth qytetit, kanë tërhequr vëmendjen edhe të drejtuesve të qyteteve të tjera dhe të urbanistëve në të gjithë botën.