Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi edhe një takim me administratorët e shkollave në kryeqytet. Veliaj tha se infrastruktura e re arsimore e bëri të domosdoshme rolin e administratorëve të shkollës, i cili po njeh të njëjtën histori suksesi me atë të administratorëve të pallateve.
“Kemi futur një koncept të ri, që ka të bëjë me administrimin e shkollave. Testin e parë e bëmë me administrimin e pallateve. Ajo që kuptuam është se banorët mund të jenë dashamirës, mund të jenë bashkëpunues, por jo çdo gjë është perfekt. Gjithmonë është një ‘zevzek’ në komunitet, që i bën bisht atij kontributi të vogël që duhet të japë. Sot është vërtet kënaqësi të punosh me shumë lagje të Tiranës, kur e di që ka një organizim dhe ka një njeri që përfaqëson dhe pastaj, këtë ambicie ne e çuam te shkollat, kopshtet e çerdhet. Më vjen mirë që roli i administratorëve të shkollave ka ardhur gjithnjë duke u ngritur, si i pandashëm me ata që drejtojnë shkollat. Sot kemi dy administratorë, pra si një kompjuter ka: hardëare dhe softëare. Ne jemi ata të hardëare, pra të hapësirës fizike, softëare e ka drejtoresha. Kur secili e bën mirë detyrën e tij, si në hapësirën fizike, ashtu edhe në hapësirën e dijeve, kemi rezultate, si ky rezultat i mrekullueshëm që kemi tek “Arben Broci”, e cila është një nga tre shkollat më të mira të Tiranës,” u shpreh Veliaj.
“Unë besoj se do ishte e mangët kjo ditë e arsimit, nëse nuk do merrnim kohë për të falënderuar të gjithë administratorët e shkollave, kopshteve e çerdheve të Tiranës. Jam këtu sot vërtet për t’ju parë në sy e për t’ju thënë faleminderit, sepse shumëkush e mori pak si një aventurë të pamundur konceptin e administratorit, si diçka të panjohur. U desh të sqaronim edhe prindërit dhe sot prindi, drejtuesi i shkollës, drejtuesi akademik dhe administratori, funksionojnë si një trekëndësh i pandarë,” shtoi Veliaj.
Ai tha se edhe vetë prindërit kanë vlerësuar rolin e administratorit i cili, siç u shpreh Veliaj, është shndërruar në një “police-sigurimi” për shkollat.
“Sot edhe feedback-u që marrim nga prindërit është se investimet kanë duk. Më përpara bënim shumë punë, por kur nuk mirëmbaheshin, degjeneronte investimi menjëherë. Tani të gjithë sillemi si njerëz seriozë. Të gjithë kemi qenë në gjimnaz, të gjithë kemi bërë ndonjë zhgarravinë të vogël nëpër banka e jemi varur tek koshi e të gjithë kemi luajtur tek rrjeta, kështu që amortizimi është i natyrshëm, sidomos kur ke të bësh me të rinj që janë energjikë dhe që kanë shumë kontakt me ambientin. Por, unë besoj se vërtet është sikur kemi blerë siguracion për investimet tona. Ashtu siç blejmë siguracion për makinë, për t’i shtuar jetën e për t’u siguruar që çdo amortizim, defekt, apo aksident, menjëherë rikuperohet me skuadrën tonë të administratorëve,” argumentoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë e vuri theksin edhe te ambientet e reja sportive, veç atyre që janë shtuar për aktivitetet e brendshme shkollore, ku mori shkas për t’u bërë sërish apel prindërve të regjistrojnë fëmijët në sport për një brez më të shëndetshëm.