Veliaj: Zgjedhjet e 30 qershorit janë referendum, kush i prek dënohet me burg (VIDEO)

Gjatë takimit elektoral me banorët e Zall-Bastarit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj theksoi se vëmendja e mazhorancës është zgjidhja e shqetësimeve reale që kanë qytetarët. “Ne këtu kemi halle që duhet t’i zgjidhim; nëse u bë gjysma e rrugës, duhet të bëjmë edhe gjysmën tjetër, që të lidhet përfundimisht me Rrugën e Arbrit. Me këtë investim do të shkohet në Tiranë për 12 minuta. Zall-Bastari tingëllon larg, jo se është larg, por se duhen dy orë të vish këtu. Nëse largësia shkurtohet në 12 minuta, do të thotë se një student do të shkojë për 12 minuta në Universitet; një produkt bujqësor për 12 minuta do kapë tregun; nëse ka një lindje të vështirë, për 12 minuta arrin në spital. Kemi edhe 12 ditë punë, që të jemi  12 minuta më afër. Kjo është diferenca”, tha Veliaj.

Kandidati socialist u shpreh se opozita aktuale ndonëse 6 vite më parë e kishte pushtetin, nuk bëri asgjë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit dhe për zhvillimin e këtyre zonave, të cilat i la në varfëri. “Jemi duke menduar për të ardhmen, kurse ata te Gjiri i Lalëzit, që si ditë me vapë që është, sot janë mbledhur me këmbët te pishina, duke menduar për të kaluarën, se kanë hall të asaj që po humbasin. Kanë hall të një popull që s’po i beson më. Kanë hall të njerëzve që i kanë gënjyer dhe s’i shohin dot në sy. Ju kujtohet kur erdhi dhëndri, kishte kapur 4 a 5 të komunës, këtu e kishin, pse nuk e bënë? Sot ka filluar të bëhet qendra e komunës, e bën vetëm PS dhe çunat e gocat që shërbejnë këtu. E kishte vjehrri i dhëndrit 8 vjet, s’e bëri Rrugën e Arbrit. Aty ishte. S’është gjë e re. Projekti ka qenë aty gjithmonë, por kur vjen Edi Rama, kur vjen PS, kur bashkohet skuadra jonë, mund t’i mbarojmë punët, mund të mbajmë fjalën, mund të realizojmë ëndrrat”, theksoi Veliaj, teksa shtoi se pavarësisht pengesave të opozitës, Tirana dhe gjithë njësitë e saj administrative do të vijojnë të ecin përpara.

“Na penguat te lodrat, do na pengoni që të bëjmë sheshin, siç na penguat për sheshin “Skëndërbej”, do na pengojnë që të bëjmë këtë tregun e ri agro-ushqimor, që duam ta bëjmë publik siç na penguan me Pazarin e Ri. Siç nuk ia dolën me rrugën me sheshin dhe me Pazarin në Tiranë, nuk do ia dalin me rrugën, me sheshin, me pazarin në Zall-Bastar: Kaq e thjeshtë është”, tha kandidati socialist.

Mandej, Veliaj u shpreh i sigurt se zgjedhjet e 30 Qershorit do të mbahen dhe se kushdo që do të tentojë të bëhet vegël qorre e partive të opozitës për të prishur zgjedhjet, do të përballet me ligjin dhe vendimin e SHBA dhe BE për të refuzuar hyrjen e tyre në vendet e Europës.

Ligji është i qartë: kush bllokon rrugë, kush bllokon zgjedhjet, kush gris listat, do të shkojë në burg, do dënohet, e jo vetëm kaq, por për herë të parë SHBA dhe BE thonë: Do t’ju heqim vizat! Pyetja ime është: a ja vlen të shkatërrosh jetën e familjes tënde, për të rregulluar jetën e familjes së atyre që në fakt i kanë punë vaj? Ja vlen mos me dal kurrë nga Shqipëria, me fis e farefis, për sa kohë që shkon dhe bllokon zgjedhjet? Ja vlen të prishesh me komunitetin tënd, ku shumica e njerëzve mezi pret që pas 4 vitesh të japë mendimin e tij, votën, se si do të vazhdojnë punët në këtë vend”, u shpreh Veliaj. 

Ai theksoi se është e palogjikshme dhe e paligjshme, që data e zgjedhjeve që është përcaktuar me dekret në bazë të Kushtetutës të kërkohet të shtyhet përtej afateve të caktuara. “Jemi në kohë vere, është koha e korrjeve, imagjino dikujt t’i jetë bërë gruri ose misri për t’u korrur, a frutat për t’u vjelë, edhe thotë: po përtoj tani, a ta lej për nga Tetori, Nëntori se është një çik më freskët? Por, ka afat, duhet të bëhet tani. Çdo gjë ka afat në jetë, nuk mund të themi: ua sa shpejt ikën këto 4 vjet, a ta shtyjmë, t’i çojmë 5 vjet zgjedhjet? Nuk funksionon kështu, ka një kontratë, ka një marrëveshje, është lënë me date, me afat”, tha kandidati socialist.

Veliaj u shpreh se Tirana do që të marrë shërbimet edhe pas 30 qershorit. “Unë si kryetar bashkie më hanë duart për punë, po duhet të konfirmohem edhe njëherë, se nuk mund të punoj mbas njëfarë date, se është shkelje. Tirana do të vazhdojë jetën edhe më datë 1 Korrik, ka nevojë për pastrim. Me rrugën e re vijnë edhe shërbimet e pastrimit në Zall-Bastar, siç janë në çdo lagje të Tiranës. Po ka afat. Duam s’duam ne, do lindin fëmijë në datën 1 Korrik, ka afat për të nxjerrë certifikatat, për të dhënë çekun e bebes; duam s’duam ne, do celebrohen familje edhe në datën 1 Korrik, madje në fakt shumica celebrohen në Korrik, por ka afat, unë s’firmos dot celebrime në qoftë se nuk jam kryetar i bashkisë, edhe më ka skaduar afati. Si për gëzime si për hidhërime, si për pastrime, si për gjelbërime, ka një afat, ajo është data 30 Qershor”, nënvizoi Veliaj. 

Kryebashkiaku shtoi se pala tjetër ka zgjedhur vetë të mos konkurrojë dhe kjo nuk i bën zgjedhjet jo demokratike. Ai u shpreh se në garë në Tiranë ka edhe kandidat tjetër dhe 41 forca të tjera politike. “Fakti që jam numri 2, do të thotë që është edhe njëri me numrin 1, fakti që partia jonë është numri 30, do të thotë që janë edhe 30 parti të tjera të paktën, se në fakt në total janë 42. Do të thotë që në qoftë se disa parti nuk vijnë në fushën e betejës, nuk do të thotë se do lemë lojën. Edhe për një ndeshje futbolli, kush nuk vjen në fushë, fiton pala tjetër; edhe në një takim, kush nuk paraqitet për një intervistë, fiton ai që paraqitet. Për të gjitha këto arsye, të gjithë bashkë do të zbresim në fushë në datën 30, në fushën e kutive të votimit masivisht”, shtoi Veliaj. 

Ndaj, theksoi ai, zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë vetëm një mundësi për të zgjedhur kryetarin e Bashkisë së Tiranës, por janë një referendum nëse vendi do kthehet prapa apo do eci para drejt BE-së. “Miqtë e mi, data 30 Qershor nuk janë vetëm zgjedhjet në Bashkinë e madhe të Tiranës. Në datë 30 Qershor ne kemi referendum, nëse duam të qajmë hallet e këtyre që bota ua ka hequr vizën, apo duam të qajmë hallet e familjeve tona. I kanë hequr vizën Saliut, i kanë hequr vizën Tit Vasilit. A ka njeri, ma thoni ju, në Zall-Bastar që nuk e zë gjumi rehat për këtë punë? A ka ndonjë njeri që çohet në mëngjes dhe i thotë gruas: Sa keq kam fjetur, si more s’i kanë dhënë vizën Saliut? Do rri Las Vegasi pa Saliun, Nju Jorku pa Saliun, Ëashingtoni pa Saliun, Florida pa Saliun? Ndaj, koha ka ardhur për të vrarë mendjen për hallet tona. Madje, unë kam një propozim tjetër: ashtu si Amerika i ka hequr vizën Saliut dhe Titit, ashtu si po ua heq edhe këtyre të tjerëve të dhunshmëve, unë them se në datë 30 Qershor ka ardhur koha të bëhemi si Amerika, t’i heqim ne vizën atyre dhe t’u themi rruga e mbarë në pension, vazhdo me prostatën, vazhdo me protestat, por ne do të vazhdojmë me Shqipërinë, me Zall-Bastarin, me Tiranën me gjithë punët që na presin”, deklaroi Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se meraku i vërtetë i opozitës nuk janë as zgjedhjet dhe as hallet e njerëzve, por frika nga drejtësia që po vjen. “Frikën se kanë në datë 30 për Tiranën se Tiranën ata s’e marrin kurrë, e kanë se do të shkojnë përpara drejtësisë për një drejtësi që më në fund do ta marrin”, tha ai.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tironci: 16/06/2019 18:51

    Duket qe erioni paska filluar te marri ilacin e Rames

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja