Teksa inspektoi një bllok banimi në zonën e Yzberishtit, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i bëri thirrje banorëve që mos të zgjedhin politikanët që pushojnë në vilat e Gjirit të Lalzit dhe i lanë pa shkolla e kopshte në lagje, por të ndërtojnë një jetë më të mirë aty ku jetojnë.
Gjurmët e gabimeve nga pushteti i djathtë janë ende prezente në disa zona të Tiranës, - tha kryebashkiaku Erion Veliaj - siç është situata në një bllok banimi në Yzberisht, ku megjithë transforimin që ka pësuar pas ndërhyrjes së bashkisë, lejet abuzive të dhëna nga PD, kanë lënë jashtë planit të urbanizmit shkollat e kopshtet e reja.
“Këtu ka qenë vërtet një Kandahar. Duke qenë se lejet e ish komunës janë dhënë kuturu, siç i bënte PD-ja në vakt këto punë, na lindi ideja që, më mirë të marrim me qira hapësira ekzistuese nëpër pallate, për të hapur çerdhe dhe kopshtin e ri, pas dy të parëve që hapëm vjet. Në fund të verës do të hapim një garë për shkollat e reja...”- tha Veliaj.
Qytetari i parë i Tiranës ftoi qytetarët të jenë palë me ata që bëjnë revolucion me punë dhe jo me ata që do të mbahen mend për sherre politike e djegie gomash.
‘Më mirë ejani ta bëjmë revolucionin këtu dhe ta bëjmë këtu urbanizimin, të ndërtojmë një jetë shumë herë më të mirë, secili në shtëpinë e tij, sesa ta bëjmë revolucionin me telekomandë për ata që mezi po presin të shkojnë te Gjiri i Lalzit dhe ta mbyllin stinën e revolucionit.’- u shpreh Veliaj.
Blloku i transformuar i banimit, i kufizuar nga rrugët “3 Dëshmorët” - Rexhep Shala - Joklin Persi”, sipas Veliajt rrit edhe më shumë vlerën e pronës në zonë.
Komente










