Pushuesit që do të zgjedhin Velipojën këtë verë do të gjejne çmime me te lira për çadrat dhe shezlonët, si në plazhet publike ashtu edhe në ato private.

Në plazhet publike të administruara nga bashkia, çmimi për 1 çadër me dy shezlonë do jetë 500 lekë. Jane katër plazhe të tilla, të shpërndara në Velipojë dhe në zonën e Rrjollit.

“Ne jemi në proces për fillimin e mobilimit të këtyre plazheve me çadra dhe shezlonët përkatës. Është pak a shumë menduar dhe përcaktuar një çmim që nuk do ta kalojë masën 500 lek për sa i përket plazheve publike me pagesë dhe dua ta ritheksoj sërish që kjo nuk cenon absolutisht plazhet e lira dhe plazhet pa pagesë” thotë për Report TV Bekim Mema, Drejtor i Planifikimit.

Ndërkohë, për plazhet private është propozuar një tarifë maksimale prej 900 lekësh për çadër me dy shezlonë. Ky cmim tavan pritet të miratohet më 21 maj.

“Ne si Bashki kemi hapur dëgjesën publike, e cila do të zhvillohet me datë 21 maj të këtij muaji për sa i përket përcaktimit të çmimit tavan. Çmimi tavan i propozuar në dëgjesën publike, që do të integrohet pastaj edhe në kontratat e operatorëve privatë, është në vlerën 900 lek (të reja). Pra, ky është çmimi tavan i përcaktuar ku operatorët ekonomikë, sipas kërkesës, sipas asaj të tregut që do të jetë përgjatë këtij sezoni, do të vendosin çmimin e tyre në bazë të kërkesës dhe në bazë të mundësisë, por gjithmonë pa e kaluar vlerën 900 lek për çadër dhe 1500 lek (të reja) për strukturat që janë në formë gazebo”, shpjegon Mema.

Autoritetet vendore bëjnë me dije se kjo skemë e re nuk prek hapësirat publike falas. Mbi 30% e vijës bregdetare në Velipojë do të mbetet plazh i lirë, pa pagesë për pushuesit.

“Pra, sipërfaqja 30% plus edhe më tepër do të jetë sërish dhe gjithmonë në shërbim të publikut, pa pagesë” sqron Mema.

Procesi i ndarjes së parcelave dhe lidhja e kontratave me operatorët privatë po kryhet Bashkia e Shkodres në bashkëpunim me Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe pritet të përfundojë ne fund te muajit maj.

‘Kemi kontratat ekzistuese që kanë qenë me afate tre-katërvjeçare, të cilat, siç e shohim edhe në Velipojë, kanë filluar me vendosjen e stacioneve të plazhit. Ndërkohë, çdo ditë vijnë perditesime te miratimeve të reja, të cilat u jepen edhe privatit, edhe neve si bashki dhe është një proces që shpresojmë që deri në gjysmën apo në fundin e muajit maj të përfundojë” thotë Mema.

Paralelisht me përcaktimin e tarifave, në Velipojë po vijon përgatitja për sezonin turistik me pastrimin e rërës, sistemimin e plazheve, vendosjen e pedanave, tualeteve publike dhe sinjalistikës.