Vëmendje dhe ndaj feminilitetit

Vëmendje dhe ndaj feminilitetit
 
Ikën shpejt ditët e këtij tetori me fjongon rozë të sensibilizimit ndaj kancerit të gjirit. Edhe pse mendoj se një muaj nuk mjafton për një sëmundje të rrethuar ende nga shumë tabu’ kulturore, ndaj ne si grup mediatik jemi të hapur të informojmë përgjatë gjithë vitit.

Kush nuk është prekur nga afër, kush nuk ka pasur asnjëherë lidhje me historinë e kancerit të gjirit ndoshta nuk e ka kuptuar dhe ndjehet i hutuar të shohë kudo një fjongo rozë. E megjithatë, vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia, Franca, janë shembull për fushatat sensibilizuese dhe përmes tyre kanë arritur sot të kenë një grua të ndërgjegjësuar dhe që kujdeset për veten me përqindje të larta mbijetese pas diagnostikimit me kancer.
Kush është kapur në befasi nga sëmundja që të ngjall frikë vetëm po ta përmendësh, ka qenë tërë muajin krah grupit tonë mediatik totalisht i përfshirë dhe ka ngritur zërin e ka dashur të bëhet e ditur gjithçka e kurdoherë për të gjithë.

Majlinda, një grua në karrierë në një nga ndërmarrjet më të mëdha në vend, e prekur nga kanceri i gjirit dhe me mastektomi bilaterale, e fortë siç është një grua shqiptare, dëshiron dhe këmbëngul se kultura dhe informacioni mbi kancerin e gjirit, por edhe të qafës së mitrës, të nisë që në shkolla, nëse duam vërtetë të krijojmë një shoqëri të ndërgjegjësuar.

Në historitë e grave të prekura nga kjo sëmundje ka një gjë shumë të rëndësishme dhe thelbësore që bën diferencën edhe në këtë sëmundje të rëndë: Koha e kapjes, centimetrat apo milimetrat e tumorit të ushqyer nga qelizat të shndërruara në kancerogjene dhe përdorimi i terapisë. Ndërgjegjësimi synon të arrijë këtë: kontrolle të shpeshta, periodike, për të kapur në kohën më të shpejtë për ta shmangur terapinë drastike: kimioterapinë, heqjet totale të gjirit (mastektomi), rënien e flokëve si pasojë. Shumë gra, nëna e mike, të prekura nga kanceri i gjirit, kanë parë të bjerë bashkë me gjendjen shpirtërore, fuqinë për të përballuar sëmundjen, edhe feminiliteti i tyre.

Në Shqipëri, më shumë se në çdo vend tjetër të Bashkimit Europian, këto pasoja rëndojnë mbi gruan: Në një vit distancë nga Konferenca e parë me të njëjtën temë janë bërë shumë hapa përpara, sidomos për perdorimin e Herceptinës, medikamenti avangardë që vinte në Shqipëri me doza të kufizuara, përmirësimin e terapive, por ende ka shumë për të bërë: Në QSUT mungon figura e mjekut plastik rindërtues, që do ta bënte gruan të mos ndjente humbjen fizike në rast mastektomie, (në Itali sipas raportimeve të prof. Alberto Luinit të IEO, në shumë raste rindërtimi i gjirit bëhet gjatë operacionit dhe gruaja nuk del nga salla e gjymtuar); sistemet shëndetësore të vendeve europiane kontribuojnë financiarisht dhe për blerjen e një parruke dinjitoze për gruan që është nën efektin e kimioterapisë; kushtet e ambjenteve të bërjes së kimioterapisë sot në QSUT janë si ato të 30 viteve më parë të vendeve të zhvilluara.
 
Dikush mund të shprehet se këto mund të jenë “luks”, por unë them fort se nuk është. Investimi i shtetit për shëndetin e gruas, për të pasur në familje një grua të qetë, të mbrojtur, nuk është investim i tepërt.
Edhe një vit më parë, në tetorin e 2013, kur prej pak kohësh kishin marrë në dorë institucionet e vendit, kryeministri Edi Rama, u bashkua dhe bëri të tijën nismën për ndërgjegjësimin e gruas ndaj kancerit të gjirit. Këtë vit, veç shpalosjeve të strategjive në Konferencë, vuri në dispozicion fasadën e kryeministrisë duke e shndërruar në një ekran të gjallë për mesazhet sensibilizuese duke marrë edhe riskun e polemikave prej kujt bezdiset për sensibilizime të tilla. Kryeminsitri qëndroi në linjë të parë  dhe për këtë meriton vërtetë një “Big Edi”.

Gruaja shqiptare është ende pjesa e brishtë e shoqërisë, por një grua e prekur nga kanceri i gjirit dhe pasojat e kushtueshme të rimëkëmbjes së tij, është një grua akoma më brishtë dhe pa forca. Eshtë në nderin e një shteti social, të ndjeshëm, të bëjë më të mirën për pjesën më të bukur të shoqërisë.
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim