PRISHTINE, 6 Dhjetor/ATSH/-Vendet e rajonit kanë rënë dakord që të rrisin komunikimin dhe bashkëpunimin mes prokurorive dhe agjencive që zbatojnë ligjin, për shkëmbim të inforamcionit, të hartojnë strategji dhe plane operacionale të përbashkëta dhe bashkëpunimin në ofrimin e ndihmës reciproke përmes bashkëpunimit gjyqësor në çështje penale.
Ky është përfundimi nga konferenca rajonale dy ditore "Sfidat në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe bashkëpunimi në Evropën jug-lindore".
Konferenca ishte organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ishte mbështetur nga Presidenca e Republikës së Kosovës, Ministria e Drejtësisë dhe Ambasada Amerikane në Kosovë .
U.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, ka falënderuar pjesëmarrësit për kontributin e tyre në sjelljen e përvojave nga vendet që vijnë, lidhur me kornizën ligjore të luftimit të krimit të organizuar dhe terrorizmit.
"Falënderim i veçantë shkon edhe për dy ekspertë nga Qendra Evropiane për studimet e sigurisë, "George C. Marshall", dhe ekspertin e fushës kundër terrorizmit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët me ligjërimet e tyre do të na ndihmojnë në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit," ka thënë Hoxha.
Përmes një komunikate për medie të Këshillit Prokurorial të Kosovës, pjesëmarrësit e konferencës e vlerësuan mbështetjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Ambasadores Amerikane në Kosovë dhe të akterëve tjerë, që treguan gjatë kësaj konference për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizimit./a.g/